Sinan SADIKU
RAMADAN MUSLIU – VLERËSUES I MËVETËSISHËM I POEZISË
Përqendrimi në aspektet estetike të poezisë
Ramadan Musliu në esetë e tij ka shkruar për subjektin dhe objektin e poezisë, për vrapimin pas formës dhe “terrorin e figurës”, për realizmin socialist dhe ideologjizimin e saj. Ai ka konstatuar se poezia duke u marrë me vetveten, me sprova dhe eksperimente formale, duke u dhënë pas shprehjes së hermetizuar, mbylljes tematike, e ka sjellë punën deri aty sa të bëhen përpjekje për krijimin e saj me anë të shenjave dhe figurave grafike. Kjo ka bërë që ajo të mos e ketë të qartë objektin dhe subjektin e saj. Musliu ka menduar se poezia do të duhej t’i kthehej subjektit të saj, njeriut, shpirtit të tij. Pikërisht njeriu, shpirti i tij do të duhej të jetë subjekti dhe objekti i poezisë. Nga ana tjetër poezia e realizmit socialist duke qenë në shërbim të ideologjisë për ta krijuar njeriun e ri, në vend se me njeriun real, të gjallë , me shpirtin e tij është marrë me çështje dhe projekte ideologjike, të huaja për natyrën njerëzore. Edhe poezia formaliste e estetizmit ekstrem edhe poezia e realizmit socialist e kanë lënë anash njeriun, dhe njëkohësisht janë shkëputur nga fundamenti etik. Nuk ka art, nuk ka poezi pa njeri, siç nuk ka vepër të madhe poetike pa u sendërtuar harmonia midis komponentës estetike dhe etike. Ishin këto disa nga botëkuptimet filozofike dhe estetike të RamadanMusliut, poetit, kritikut letrar dhe njeriut të mirë.
Ramadan Musliu njihet kryesisht si poet dhe si kritik letrar. Në të dy këto fusha renditet në mesin e më të mirëve. Nga fusha e kritikës letrare dhe e studimit të letërsisë i ka shkruar dhe botuar librat: “Mbindërtimi poetik” (1990), “Konfiguracione narrative” (1998), “Estetike e dallueshme” (2004), “Eskurs në letërsinë për fëmijë” (2010), “Tangjentat letrare” (2011) dhe “Domeni i literaritetit” (2018). Në këtë punim do të shkruaj për librat ose pjesët e librave të Musliut në të cilët ai ka shkruar për poezinë bashkëkohore shqipe, duke u përpjekur për ta qartësuar mendimin e tij për rendin e vlerave në poezinë shqipeqë është shkruar dhe botuar prej gjysmës së dytë të shekullit njëzet e këndej.
Libri i parë i Ramadan Musliut, nga fusha e kritikës letrare,titullohet “Mbindërtimi poetik”. Është i botuar nga “Rilindja” në vitin 1990. Në të janë sistemuar recensionet e autorit të shkruara gjatë viteve 1980-1989, në të cilat recensione ka shkruar për librat me poezi të botuara gjatë atyre viteve. Thuajse të gjitha punimet, në kohën kur janë shkruar, janë botuar në faqen për kulturë të së përditshmes “Rilindja”, ku ka punuar autori. Punimet recensionalekanë të bëjnë me librat e posa botuar dhe gati në çdo rast kanë qenë shkrimet e para për ata libra. Janë recensione interpretuese në të cilat u kushtohet vëmendje e veçantë aspekteve estetike, por duke qenë i kujdesshëm që të mos artikulohet si kritik që e thotë fjalën e fundit.
Libri i tretë me kritikë letrare i Ramadan Musliut titullohet “Estetike e dallueshme”. Është botuar në vitin 2004 nga shtëpia botuese “Buzuku” në Prishtinë. Te ky libër shpërfaqet në mënyrën më të mirë profili krijues i Ramadan Musliut si studiues i letërsisë dhe si kritik letrar. Libri është i ndarë në tri pjesë apo kapituj. Kapitulli i parë i titulluar Parabolizmi poetik përmban ese, studime dhe recensione kushtuar poezisë. Është ky kapitulli më i rëndësishëm që zë gati dy të tretat e librit. Musliu si estet, studiues dhe vlerësues i poezisë shkëlqen veçmas te eseja Esenca dhe ekzistenca poetike dhe te studimet: Distorzioni poetik, që i kushtohet poemës “Bagëti e bujqësia” të NaimFrashërit; Struktura ideotematike e poezisë “Anës lumenjve” të Fan Nolit dhe Përmasat e një mitologjie poetike, që i kushtohet poezisë së Luljeta Lleshanakut.
Me që te libri i parë i titulluar “Mbindërtimi poetik” janë përmbledh recensione për libra konkret, në të cilat recensione autori kryesisht është përqendruar te librat për të cilët ka shkruar, ndonjëherë duke e thënë ndonjë fjalë edhe për librat e tjerë të të njëjtit poet, pa bërë vlerësime krahasuese me librat e autorëve të tjerë, e kemi vështirë të flasim për ndonjë rend aksiologjik, për ndonjë renditje të poetëve sipas vlerave. Vlerësimet e autorit, mendimet e tij për rendin e vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe fillojnë të qartësohen, madje do të thosha se qartësohen deri në njëfarë mase, te libri i tretë. Te ky libër shpërfaqet individualiteti i veçantë i Ramadan Musliut si vlerësues i poezisë shqipe.
Ramadan Musliu ka filluar të shkruajë kritikë letrare në fund të viteve shtatëdhjetë dhe në fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Në atë kohë si kritikë letrarë dhe si studiues të letërsisë kishin bërë emër Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Mensur Raifi, Anton Berisha, Agim Vinca, Sabri Hamiti etj. Këta, dikush më shumë e dikush më pak, i kishin lexuar librat nga fusha e kritikës letrare dhe e studimit të letërsisë që asokohe ose disa vite më parë i kishin shkruar dhe botuar emrat më të njohur të këtyre fushave nga Evropa Perëndimore dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato njohuri kishin filluar t’i zbatonin, madje mund të them se disa prej tyre i kishin zbatuar me mjaft sukses,gjatë punës së tyre si kritikë letrarë.
Ramadan Musliu e ka vlerësuar lart kritikën letrare të shkruar nga I. Rugova, po e ka vlerësuar edhe kritikën letrare të shkruar nga A. Berisha, M. Raifi dhe S. Hamiti. Megjithatë si kritik letrar, si studiues dhe vlerësues i letërsisë ai është i ndryshëm nga të gjithë të tjerët, është individualitet në vete, i veçantë, i mëvetësishëm. Ai e ka mendimin e vet edhe sa i përket rendit të vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe, të cilin mendim e gjejmë të artikuluar deri në një farë mase te libri “Estetike e dallueshme”, qartësohet edhe më te libri “Tangjentat letrare” dhe qartësohet gati plotësisht te antologjiae poezisë ballkanike “Diell pa hije”.
Sa do që në ndonjë shkrim të rrallë Musliu e ka vlerësuar krijimtarinë e Sabri Hamitit si kritik letrar, ai për disa çështje mendon ndryshe prej tij, e për disa të tjera ka mendim të kundërt me të. Kjo shihet mjaft qartë te parathënia e librit “Estetike e dallueshme” ku shkruan: “Dihet fare mirë se kritika letrare nuk është as më shumë e as më pak se sa manifestim i vetëdijes së letërsisë mbi vetveten. Duke e njohur edhe faktin tjetër se teoritë dhe poetikat e mëdha dalin nga letërsitë e mëdha, të cilat i kanë kaluar të gjitha fermentimet: sociale, psikologjike e në veçanti estetike, insistimi për një ekskluzivitet teorik më është dukur një artificialitet tipik shqiptar” .Ndryshe mendon S. Hamiti i cili në librat e tij ka shkruar për shkollat letrare shqipedhe për një poetikë të veçantë të letërsisë shqipe.
Dallimet në vlerësime midis Musliut e Hamitit dhe pasuesve të tij, qartësohen edhe më shumë te libri i tij i katërt nga fusha e kritikes letrare i titulluar “Tangjentat letrare”, i botuar në Prishtinë në vitin 2011 nga botuesi “Elta BS”. Sa i përket tematikës sonë dhe jo vetëm asaj, pjesa më e rëndësishme e librit është pjesa e parë e titulluar ese. Te ky libër i gjejmë vlerësimet: “Prirjet për konvencionalizim të zhanreve kanë bërë që arti të ndjekë rrugën e formalizimit. Madje pjesa më e madhe e letërsisë së shekullit të kaluar është në përpjekjen për të krijuar forma të reja, të cilat i sollën shumë tipare estetike letërsisë, por edhe aspektin tjetër të pashmangshëm: formalizimin e letërsisë. Kësaj vale nuk i ka shpëtuar as letërsia shqipe. Kur thuhet letërsia shqipe kemi parasysh atë që është krijuar jashtë platformës së realizmit socialist. Tendenca formalizuese e shquan sidomos letërsinë që është krijuar kryesisht në Kosovë, ku ka realizime dinjitoze artistike, por edhe shumë eksperimente dhe klishe që janë rezultat i sprovave formale” .
Këtu Musliu flet për formalizimin e letërsisë dhe në mënyrë decidive shkruan: “Tendenca formalizuese e shquan sidomos letërsinë që është krijuar kryesisht në Kosovë, ku ka realizime dinjitoze artistike, por edhe shumë eksperimente dhe klishe që janë rezultat i sprovave formale” . Këto vlerësime të Musliut, po aq sa nga vlerësimet e Hamitit, dallojnë edhe nga vlerësimet e Rugovës, për arsye se Rugova e vlerësonte lart krijimtarinë poetike të poetëve si: S. Hamiti, E. Basha, B. Musliu, Sh. Beqiri, M. Ramadani etj. Siç do të shohim në vijim prej këtyre poetëve Musliu në antologjinë “Diell pahije” i ka prezantuar vetëm poezitë e ShaipBeqirit, ndërsa Hamitin, Bashën dhe Ramadanin as që i ka përmend.
Vlerësime që bien ndesh me mendimin dominues për rendin e vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe
Ramadan Musliu pak para se të vdiste, më 22 tetor 2020, e kishte lënë të përgatitur një antologji të poezisë ballkanike të shekullit XXI të titulluar “Diell pa hije”. Pas vdekjes së autorit antologjinë e botoi shtëpia botuese Klubi i Poezisë në Tiranë. Në antologji janë prezantuar poezitë e 54 poetëve nga 12 shtete të Ballkanit. Shtetet e Ballkanit janë përfaqësuar me poezitë e 4 ose të 5 poetëve.
Poezia shqipe është përfaqësuar nga 12 poetë, prej të cilëve 5 janë nga Kosova, 4 nga Shqipëria dhe 3 nga Maqedonia e Veriut. Nga Shqipëria janë përfaqësuar poetët: Zef Zorba, Bardhyl Londo, Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku; nga Kosova:Teki Dervishi, Agim Mala, Shaip Beqiri, Xhevdet Bajraj dhe Arben Idrizi dhe nga Maqedonia e Veriut: Lulzim Haziri, Salajdin Salihu dhe Lindita Ahmeti.
Siç po shihet në antologji mungojnë poezitë e poetëve: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, MartinCamaj, Frederik Rreshpja, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Sabri Hamiti, Eqrem Basha, Mimoza Ahmeti etj. Realisht në antologji nuk është i përfaqësuar asnjëri nga 10 poetët të cilët në Antologji e poezisë shqipe të shekullit XX “Zemra e qiellit”(2015) të autorëve Bashkim Kuçuku, Basri Çapriqi, Sadik Bejko dhe Sali Bashota janë të përfaqësuar me më së shumti poezi, me nga shtatë. Pra, ata poetë të cilët autorët e antologjisë “Zemra e qiellit” i kanë vlerësuar më të mirët prej të mirëve, duke i renditur në rendin e parë, Musliu nuk i ka përfaqësuar fare në antologji. Duke i pasur parasysh këto fakte mund të themi se ai e ka hedhë poshtë rendin e vlerave të pranuar jo vetëm nga hartuesit e antologjisë “Zemra e qiellit” po edhe nga një rreth i gjerë i kritikëve letrarë dhe studiuesve të poezisë bashkëkohore shqipe. Prej 12 poetëve të përfaqësuar në antologjinë “Diell pa hije”, 4 nuk janë të përfaqësuar fare në antologjinë “Zemra e qiellit”. Nuk janë të përfaqësuar: Agim Mala, Xhevdet Bajraj, Lulzim Haziri dhe Arben Idrizi.
Në lëndën “Poezi e sotme shqipe”, që ligjërohet në Universitetin e Prishtinës, studentëve të letërsisë nuk ju ligjërohet për poezinë e asnjërit nga poetët poezitë e të cilëve janë prezantuar në Antologjinë e Poezisë Ballkanike.
Në parathënien e antologjisë Musliu i përgjigjet pyetjes pse nuk i ka përfshi në në të poezitë e disa prej poetëve më të njohur. Për mos përfshirjen e poezive të treshes Kadare, Agolli, Arapi shkruan: “Mund të jetë e habitshme pse anashkalohen poezitë e treshes së njohur (Kadare, Agolli, Arapi). Derisa poezitë e Kadaresë janë prodhim i stereotipeve të njohura ideologjike, Agolli shënon stadin që moti të tejkaluar, poezinë që mbështetet në anekdotë dhe që shënon një lloj forme të oralitetit bashkëkohor, poezitë e Arapit dalin si krijime të një subjektiviteti të ngulfatur, edhe pse dukshëm është më larg dy poetëve të përmendur” .
Dihet që në shumicën e antologjive të poezisë bashkëkohore shqipe të botuara deri tani, si në ato në gjuhën shqipe ashtu edhe në ato të botuara në gjuhë të huaja, Kadare, Agolli dhe Arapi, jo vetëm që janë përfaqësuar, por janë përfaqësuar me numrin maksimal të poezive. Kështu ka ngjarë edhe pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, si në rastet kur hartuesit e antologjive kanë qenë nga Republika e Shqipërisë, ashtu edhe në rastet kur hartuesit e antologjive kanë qenë nga Republika e Kosovës, po edhe në rastet kur hartuesit e antologjive nuk kanë qenë shqiptarë.
Sa i përket Rugovës dhe pasuesve të tij nuk jam në dijeni ta kenë hartuar ndonjë antologji gjithëkombëtare të poezisë bashkëkohore shqipe në të cilën janë përfaqësuar poetët nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora. Me që nuk e kemi një antologji të tillë, madje as ndonjë libër në të cilin do të ishte studiuar, interpretuar, krahasuar dhe vlerësuar e gjithë poezia bashkëkohore shqipe e kemi vështirë ta kemi të qartë vlerësimin e tyre për poezinë e shkruar nga poetët bashkëkohorë shqiptarë të Republikës së Shqipërisë, duke i përfshirë edhe Kadarenë, Agollin e Arapin. Sidoqoftë e dimë që si Rugova, ashtu edhe Hamiti e kanë vlerësuar më lart krijimtarinë poetike të poetëve nga Kosova që i kanë botuar librat e parë gjatë viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar ose janë afirmuar gjatë atyre viteve, po që të dy këta kritikë letrarë e kanë vlerësuar lart edhe krijimtarinë poetike të poetëve A. Podrimja, A. Shkreli dhe Rr. Dedaj, që i përkasin brezit të viteve gjashtëdhjetë. Megjithatë po t’i lexojmë me vëmendje librat e Rugovës e veçmas librat e Hamitit shohim se ata kanë shumë vërejtje dhe kritika për poezitë e poetëve të realizmit lirik siç i emërton Vinca, apo të realizmit socialist siç i konsideron Musliu e ku bëjnë pjesë Kadare, Agolli, Arapi, DinMehmeti etj. Pra vlerësimet e Musliut për krijimtarinë poetike të poetëve në fjalë janë më të përafërta me vlerësimet e Rugovës dhe të Hamitit, se me vlerësimet e Vincës.
Prej poezisë së periudhës së realizmit socialist në antologji Musliu i ka prezantuar vetëm poezitë e Bardhyl Londos, një poet shumë më pak i njohur, jo vetëm se treshja Kadare, Agolli, Arapi, po edhe se disa poetë të tjerë. Për poezinë e Londos autori i antologjisë shkruan: “Nga poezia e periudhës së realizmit socialist veçohet poezia e Bardhyl Londos për shtegtimetimagjinative jashtë stereotipeve të njohura dhe për kultivimin e një gjuhë kolokuiale, por artistikisht ekspresive. Edhe Londo krijon raport distancues me objektin që e poetizon, duke i dhënë shprehjes poetike gjerësi konotative, asaj gjuhe në dukje të parë kolokuiale. Po ashtu dallon edhe për racionalitetin në observim dhe në stisjen e imazheve sipas një rendi spektral ekspresiv” .
Nga poetët që kanë shkruar jashtë skemave të realizmit socialist në antologji është i përfaqësuar vetëm Zef Zorba, ndërsa nuk janë përfaqësuar Martin Camaj, Frederik Reshpja, Visar Zhiti, PrimoShllaku etj. Ta shohim arsyetimin e autorit të antologjisë. Ai shkruan: “Nga poetët e viteve të ’90-ta, një pjesë e të cilëve kanë qenë përfaqësues të disidencës letrare (Kasem Trebeshina, Martin Camaj, Visar Zhiti, Zef Zorba madje edhe Frederik Reshpja e ndonjë tjetër) i janë nënshtruar të njëjtit gjykim. Trebeshina në poezi është tepër klasik, ndonëse prozën e ka me parametra të modernitetit shembullor. Martin Camaj duket tepër uniform në lirikën e tij sepse ka ndërtuar poezinë sipas shtampave. Po ky uniformitet e shquan edhe poezinë e Frederik Reshpjes, e cila është dëshmi e një fuqie të pazakonshme kreative, por që tematikisht dhe intonativish shkon përmes të njëjtës formë figurimi dhe me të njëjtinshtimung të temës në variacion. Visar Zhiti kultivon një poezi të lirikës shumë subjektive, si konceptim tejet origjinal brenda kornizave të poezisë shqipe, por që nuk përputhet me tendencat postmoderniste të kohës” .
Pra Trebeshina në poezi është tepër klasik, Martin Camaj e ka ndërtuar poezinë sipas shtampave, Frederik Reshpja është uniform, pasi që tematikisht dhe intonativish shkon përmes të njëjtës formë figurimi dhe me të njëjtin shtimung të temës në variacion, ndërsa poezia e Visar Zhitit nuk përputhet me tendencat postmoderniste të kohës. Për Zorbën, poezinë e të cilit e ka prezantuar në antologji, shkruan: “Zef Zorba është i vetmi që dallohet për lirikën e tij që buron nga situatat reale dhe përmban në vete shumë elemente që sot janë trende poetike: zhvendosja e vëmendjes në objektet reale, prekja e temave “të ftohta”, pozicionimi i poetit në një distancë nga ku bën perceptimin personal të botës, jashtë shablloneve të njohura” .
Për poetët, poezitë e të cilëve nuk i ka prezantuar në antologji shkruan: “Madhështia” e poetëve të përmendur që nuk janë përfshirë e që vlera e tyre gjithnjë ka qenë hipotetike, vlen vetëm për nevoja të brendshme por pa mundësi për një përfaqësim më të gjerë” .
Më pas Musliu shkruan për dy poetët e tjerë të përfaqësuar në antologji. “Ndërkaq Agron Tufa e veçanërisht Luljeta Lleshanaku janë ekzemplarë të integrimit të artit shqiptar në rrjedhat botërore, sepse arrijnë që veçantitë individuale, tek të cilat ka ndikuar edhe tradita vendore, t’i transformojnë në përvoja universale, duke iu përshtatur koncepteve dominuese të këtij zhanri sot në botë” .
Pra po shihet që Musliu i vlerëson lartë poezitë e shkruara nga Tufa dhe veçmas nga Lleshanaku për të cilët shkruan se janë ekzemplarë të integrimit të artit shqiptar në rrjedhat botërore. Se sa lart e vlerëson poezinë e shkruar nga Lleshanaku e shohim te libri “Estetike e dallueshme” (2004) në të cilin libër e gjejmë një studim të gjatë, thuajse monografik, për poezinë e poetes në fjalë nga i cili studim po i shkëpusim dy citate. “Pikërisht në fazën e fundit, në periudhën e dekompozimit, shthurjes së këtij fenomeni dhe një prodhimi të tërë letrar, që është krijuar për pesë dekada, u shfaq poezia e gjeneratës që e përbëjnë Agron Tufa, Ervin Hatibi, Parid Teferiçi, Luljeta Danaj, Rudian Zekthi dhe padyshim individualiteti më i dalluar jo vetëm i kësaj gjenerate, Luljeta Lleshanku, për të nisur një periudhë tjetër dhe për të hapur një proces tjetër: procesin e estetizimit të poezisë shqipe që ishte ndërprerë pikërisht në etapën fillestare, në kohën kur ajo gjakonte njësimin me përvojat botërore të këtij zhanri, siç ishin përpjekur të bënin Ndre Mjeda e LasgushPoradeci dhe disa poetë të tjerë të paraluftës” .
Dhe vazhdon: “Poezia e Luljeta Lleshanakut arriti kështu të lidhë parabolën e shkëputur me traditën, jo duke qenë vazhduese e saj, por duke korresponduar me nivelin e vlerave, duke thyer me sukses traditën e stilizimit të figurës, që më shumë merrej me stilistikën e zhanrit sesa me poetizim të vërtetë, siç ndodhi për shumë dekada me poezinë e Kosovës, që pretendonte se e kishte tapinë e kontinuitetit me traditën e këngëtimit shqip të ndërprerë nga depërtimi i doktrinës së realizmit socialist, në poezinë e krijuar në Shqipëri për pesë dekada me radhë. Shfaqja e poezisë së Luljeta Lleshanakut ndërpret njëkohësisht fazën e eksperimentimit poetik në poezinë shqipe të viteve ’90, lojën me formën, afeksionin poetik për homofoninë dhe bizaritetin e shprehjes, por edhe të temave, ideve poetike shterpe” .
Siç e shkrova më lart në antologjinë “Diell pa hije” Kosova është prezantuar me poezitë e poetëve: Teki Dervishi, Agim Mala, Shaip Beqiri, Xhevdet Bajraj dhe Arben Idrizi. Prej këtyre poetëve më të përfaqësuar në antologji të mirëfillta janë Shaip Beqiri dhe Teki Dervishi. Ta zëmë në antologjinë “Zemra e qiellit” janë të përfaqësuar Teki Dervishi me 5 poezi dhe Shaip Beqiri me 3 poezi, ndërsa tre të tjerët nuk janë të përfaqësuar fare. Të shohim çka shkruan Musliu për poetët e përfaqësuar dhe për ata që nuk i ka përfaqësuar.
“Në Kosovë kemi një gjendje krejtësisht ndryshe. Midis gjithë poetëve veçohet Teki Dervishi, pa dyshim talenti më i fuqishëm dhe me predispozita të jashtëzakonshme krijuese, i cili është viktimë e mjedisit konservator. Poezitë e brezit më të hershëm dhe brezit të tij kanë kultivuar poezi për “nevoja të brendshme”, duke ndërtuar stereotipe të identifikueshme bile edhe ideologjike nga ndikimi i poezisë së real-socit shqiptar. Edhe Shkreli, Podrimja, por edhe Beqir Musliu etj., anojnë nga një shprehje e hermetizuar dhe nga një mbyllje tematike. Podrimja është viktimë e stereotipit ideologjik të poezisë patriotike, përmes të cilës arriti të ndërtojë famën e vet, kurse BeqirMusliu në abstraksionizmin e tij ka mbetur dukuri e izoluar për shkak të ndërtimit të një stereotipi hermetik. I vetmi Teki Dervishi që tregohet se është poet dhe krijues jashtë këtyre stereotipeve, por gjithnjë i pakuptuar mbase edhe për shkak të izolimit që ia ka vënë jo vetëm shoqëria por edhe ambienti kulturor. Te poezia e Tekiut gjejmë shembuj ilustrativë për të gjitha atributet e postmodernes, mendjen cinike, fragmentin, prozaizimin e poezisë, alegorinë dhe shumë e shumë tipare të tjera” .
Këto vlerësime dhe krahasime janë plotësisht të qarta, nuk lënë dilema. Për shijen dhe dijen e Ramadan Musliut, Dervishi është poet më i mirë se Shkreli, Podrimja apo Musliu, për të cilët shkruan se anojnë nga një shprehje e hermetizuar dhe nga një mbyllje tematike. Pra sipas tij, përveç Beqir Musliut, edhe Azem Shkreli dhe Ali Podrimja anojnë nga një shprehje e hermetizuar. Realisht edhe Shkreli e edhe Podrimja e kanë shkruar poezinë për një kohë të gjatë dhe krijimtaria e tyre ka kaluar nëpër disa faza. Poezia e shkruar nga Podrimja gjatë viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar ka qenë mjaft e hermetizuar, ndërsa ajo e shkruar më vonë duke filluar që nga libri “Lum lumi” e tutje nuk ka qenë e tillë. Nuk më duket seka anuar nga një shprehje e hermetizuar as pjesa më e madhe e poezisë së Shkrelit. Pjesa dërrmuese e studiuesve të poezisë bashkëkohore shqipe më lart se poezitë e Dervishit i vlerësojnë poezitë e shkruara nga Podrimja e Shkreli, po edhe nga Rrahman Dedaj, Sabri Hamiti dhe Eqrem Basha. Këta gjashtë poetë, e veçmas dy të parët, janë të përfaqësuar me numrin maksimal të poezive në shumicën e antologjive, ndërsa Dervishi në disa antologji nuk është përfaqësuar fare, po edhe kur është përfaqësuar është përfaqësuar me numër më të vogël të poezive. Sa i përket përfaqësimit nëpër antologji pak më i përfaqësuar se Dervishi është edhe Beqir Musliu.
Ta zëmë në antologjinë e Ali Aliut “Antologji e poezisë shqipe – Gjysmëshekulli i artë” (2000)Podrimja dhe Shkreli janë të përfaqësuar me nga 26 poezi, Dedaj me 19,Basha me 14, Hamiti me 10,BeqirMusliu me 8, ndërsa Dervishi nuk është i përfaqësuar fare. Në antologjinë e Bashkim Kuçukut “Antologji e poezisë shqipe bashkëkohore” (2008)Podrimja është i përfaqësuar me 13 poezi, Shkreli me 12, Dedaj me 9, Basha dhe Hamiti me nga 8, Beqir Musliu me 4, ndërsa Dervishi nuk është i përfaqësuar fare. Në antologjinë “Zemra e qiellit” Podrimja, Shkreli, Dedaj dhe Hamiti janë të përfaqësuar me nga 7 poezi , që është numri maksimal i poezive me të cilat është përfaqësuar një poet, ndërsa Beqir Musliu,Teki Dervishi dhe Eqrem Basha janë të përfaqësuar me nga 5 poezi.
Unë edhe më parë i kam lexuar në mënyrë josistematike pjesën më të madhe të shkrimeve të Ramadan Musliut nga fusha e kritikës letrare, po dalja e antologjisë “Diell pa hije” me poezitë e poetëve të përfaqësuar në të, më ka befasuar. Kjo i bie se unë nuk e kam njohur mendimin e tij për rendin e vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe. Në bisedat që i kam pas me Danin rreth kësaj teme, për antologji të ndryshme, ai e ka shpreh mospajtimin e tij me poetët e përfaqësuar në ato antologji, me numrin e poezive me të cilat janë përfaqësuar etj., po nuk kemi biseduar më konkretisht se kush do të duhej të përfaqësohej e kush jo. Veç tjerash për mua ka qenë befasi mos përfaqësimi i Beqir Musliut në antologjinë “Diell pa hije”. Kjo për faktin se Ramadan Musliu ka shkruar shumë punime për krijimtarinë e Beqir Musliut dhe në ato punime nuk është se ka vërejtje. Askush nuk mund të thotë se Ramadan Musliu nuk e ka njohur poezinë e Beqir Musliut, me të cilin, veç tjerash, ka qenë mik dhe deri diku edhe vendës, me të cilin ka punuar dhe bashkëpunuar. E vërteta është se Dani më lart se poezinë e Beqir Musliut e vlerëson poezinë e Teki Dervishit, të Agim Malës, të ShaipBeqirit etj., siç është edhe një e vërtetë tjetër e dhimbshme për poetët gjilanas, se Dani asnjërin prej tyre as nuk e ka përmend në parathënien e antologjisë “Diell pahije”.Tani kur e kam përpara antologjinë në fjalë, poetët e përfaqësuar në të, parathënien në të cilën e arsyeton përzgjedhjen etj., i lexova të gjithë librat e Danit nga fusha e kritikës letrare dhe u përpoqa ta gjej se a janë në përputhje vlerësimet që ndodhen nëpër ata libra me ato që ndodhen në antologji. U binda se nuk ka mospërputhje. Pra nuk ka mospërputhje në vlerësime, por vetëm antologjia në fjalë i ka qartësuar plotësisht vlerësimet e Danit për nivelin estetik të poezisë së shumicës së poetëve më të njohur, duke na e dhënë një pasqyrë mjaft të qartë për rendin e vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe në të cilin ka besuar ai.Pa këtë antologji ne vetëm do të mund të hamendësonim për këtë çështje.
Të shohim çka shkruan Dani për poezinë e Agim Malës të përfaqësuar në antologji. “Ndërkaq poezia e Agim Malës, e cila mund të jetë edhe befasia e kësaj zgjedhjeje, imponohet për ndërtimin e një harte urbane poetike dhe për projektimin e një ndjeshmërie dhe mendje urbane në poezinë tonë në përgjithësi që i ka munguar së tepërmi. Si e tillë, për shkaqe të njëjta, por me kahe të kundërt me të Teki Dervishit, ajo mbeti e anësuar dhe pa ndonjë jehonë përkatëse në kohën e vet. Poezia e Malës është shembull i një poezie objektive që merret me realitetin, duke ndërtuar një lloj “fantazmi” lakanian. Një përfytyrim që përmban të gjitha elementet e negacionit karshi skemaveimagjinative të njeriut tonë të përditshëm” .
Pra edhe vet autori i antologjisë shkruan se poezia e Agim Malës, mund të jetë edhe befasia e kësaj zgjedhjeje. Agim Mala, librin e parë me poezi “Fjalë e vetmi” e ka botuar në vitin 1978. Poezia e tij është mirëpritdhe vlerësuar nga një pjesë e kritikës letrare të shkruar gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit njëzet. Atëherë studiuesi Agim Vinca pati shkruar se Agim Mala është “njëri nga poetët më premtues të brezit të ri” . Është i përfaqësuar në antologjinë “Lulet në Ballkon” (1982) të hartuar nga I. Rugova dhe në antologjinë “Kënga e hapur” (2005) të hartuar nga A. Vinca. Nuk është i përfaqësuar në antologjitë e Ali Aliut, Bashkim Kuçukut e as në antologjinë “Zemra e qiellit”. Nuk është në mesin e të zgjedhurve për krijimtarinë e të cilëve ka shkruar Nysret Krasniqi në librin “Letërsia e Kosovës 1953 – 2000” (2016).
Për poezinë e Shaip Beqirit, poet tjetër i përfaqësuar në antologji,Dani shkruan: “Ndërkaq poezia e Shaip Beqirit në fillet e saja karakterizohej me strukturën polimorfe të tekstit poetik, ku teksti poetik ndërtohet përmes gërshetimit të trajtave të veçanta shprehëse, me një gjuhë poetike që shquhej me koncentrimin e figurave poetike, eksplorimin e disa trajtave morfologjike që pak a shumë ishte një gjuhe e hermetizuar. Por në krijimtarinë e mëvonshme të Shaip Beqirit diskursi poetik është mjaft i profilizuar si rrëfim, ku vargu përgjithësisht nuk e përputh kufirin e vet me atë logjik dhe sintaktik, pra fjala është për frazën poetike e jo për togfjalëshin apo sintagmën poetike, ku gjuha poetike karakterizohet me seleksionimin e leksikut me prirje të shprehjes ideomatike” .
Shaip Beqiri është i përfaqësuar në antologjinë “Lulet në ballkon” me 16 poezi, duke u renditur i dyti pas Sabri Hamitit. Pastaj është i përfaqësuar në antologjinë “Zemra e qiellit” me 3 poezi dhe në përzgjedhjen “Një gur i çarë”- Sprovë antologjie për Kosovën (2005) të hartuar nga Podrimja. Poezinë e Beqirit e ka vlerësuar lart Ibrahim Rugova, ndërsa e kanë injoruar S. Hamiti dhe Nysret Krasniqi. Ky i fundit në librin “Letërsia e Kosovës 1953 – 2000” nuk e përmend fare.
Për poetin tjetër Xhevdet Bajraj të përfaqësuar në antologji Musliu shkruan: “Poezia e Bajrajt është sintezë e suksesshme e përvojave të poezisë pararendëse, që nga ruralja e Shkrelit, protesta ideologjike e Podrimjes, thellimi në një ide dhe koncept, që e shquan poezinë e BeqirMusliut dhe përmes kësaj sinteze të suksesshme ndahet nga brezi i vet” .
Xhevdet Bajraj librin e parë me poezi “Nënë prej guri” e ka botuar në vitin 1988, që të paktën sa i përket kohës së botimit të tij, bën pjesë te gjenerata e poetëve të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, ku renditen edhe Ramadan Musliu dhe disa poetë të tjerë të njohur si: Adem Gashi, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Basri Çapriqi, Sali Bashota, Halil Matoshi etj. Realisht këtij brezi i përket edhe Abdullah Konushevci i cili librin e parë me poezi e ka botuar në vitin 1979. Sa i përket përfaqësimit nëpër antologji të poezisë bashkëkohore shqipe secili nga këta poetë është më i përfaqësuar se Bajraj. Në asnjërën prej antologjive për të cilat kam shkruar në librin “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe” nuk është prezantuar poezia e tij. Megjithatë, Bajraj nuk është i panjohur. Ai është shpërblyer me disa çmime dhe mirënjohje të nivelit kombëtar, e besa ka marrë edhe çmime të nivelit ndërkombëtar. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe në këtë aspekt, pra, sa i përket përkthimit të poezive në gjuhë të huaja, Bajraj qëndron më mirë se çdonjëri nga poetët e gjeneratës së tij. Realisht Bajraj ka shkruar poezi të bukura, me vlera antologjike. Ai, si rrallë ndonjë poet tjetër, e ka përsosë krijimtarinë poetike nga libri në libër.
Të shohim çka shkruan Musliu për mos përfaqësimin në antologjinë e poezisë ballkanike të poezisë së poetëve tjerë të gjeneratës të cilës i përket edhe ai vet. “Jashtë përfaqësimit kanë mbetur edhe talentë të fuqishëm si Abdullah Konushevci, i cili poezinë e vet ia nënshtroi një misioni gjegjës, duke e bërë atë intencionale në planin nacional. Poezia e Adem Gashit është poezi e fragmenteve të realizuara, por jo edhe e temës së përvijuar deri në fund. Poetët e tjerë të kësaj gjenerate janë standard, brenda një mesatare jopërfaqësuese” .
Poeti më i ri nga Kosova i përfaqësuar në këtë antologji është Arben Idrizi, i li ndur në vitin 1974, i cili librin e parë me poezi të titulluar “Heqakeqi” e ka botuar në vitin 2003. Për këtë poet hartuesi i antologjisë shkruan: “Arben Idrizi kultivon poezinë ritme pa tabu, bën një lloj desakralizmi të gjuhës poetike, protestën e ka të artikuluar deri në kufijtë e cinizmit” .
Nga Maqedonia e Veriut janë të përfaqësuar poetët: LulzimHaziri, Lindita Ahmeti dhe Salajdin Salihu. Derisa Lindita Ahmeti dhe Salajdin Salihu janë mjaft të përfaqësuar nëpër antologji të poezisë shqipe , këtë nuk mund ta themi për poetin tjetër Lulzim Hazirin. Për Lulëzim Hazirin autori i antologjisë shkruan: “LulzimHaziri, që nga libri i tij i parë, “Kënga lind në vetmi” (1989), ka arritur të bëjë shkëputje me traditën duke bërë thyerje edhe në temë edhe në gjuhë, por edhe në vargëzim. Po shkëputje bën edhe me poezinë kosovare, nga e cila ka marrë disa klishe, sikundër gjithsecili nga poezia shqipe që është kultivuar në Maqedoni” . Haziri nuk është i përfaqësuar në asnjërën prej antologjive të poezisë bashkëkohore shqipe për të cilat kam shkruar në librin “Rendi i vlerave…”
Veçantia e vlerësimeve të Ramadan Musliut
Të shohim çka e bën të veçantë, ku dallon Ramadan Musliu nga të tjerët sa i përket vlerësimit të poezisë bashkëkohore shqipe. Ai është më i afërt me vlerësimet e Rugovës e më i largët me vlerësimet e Vincës. Megjithatë ka dallime të mëdha në vlerësime midis Rugovës dhe Musliut. Për Rugovën poetët më të mirë të Kosovës janë: Sabri Hamiti, Eqrem Basha, Beqir Musliu, AliPodrimja, Azem Shkreli, Shaip Beqiri, Musa Ramadani, Rrahman Dedaj etj. Prej këtyre poetëve në antologjinë “Diell pa hije” është i përfaqësuar vetëm Shaip Beqiri. Për Beqir Musliun, Ali Podrimjen dhe Azem Shkrelin autori i antologjisë tregon pse nuk i ka përfaqësuar, ndërsa të tjerët nuk i përmend fare. Pra, asnjërin nga pesë poetët të cilët Rugova i çmon më të mirët, Musliu nuk e ka përfaqësuar në antologji dhe këtu shihet sa i madh është dallimi midis këtyre dy kritikëve letrarë. Nëse dallimi është kaq i madh, atëherë pse konstatova se Musliu është më i afërt me Rugovën se me Vincën? Dihet që Rugova e ka vlerësuar më së larti poezinë e poetëve të cilët librat e parë i kanë botuar gjatë viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar ose që janë afirmuar gjatë atyre viteve, ndërsa Vinca ka vërejtje dhe kritika të shumta për poezinë e tyre. Pra derisa Rugova, e veçmas Hamiti dhe pasuesit e tij, më shumë shkruajnë për vlerat në krijimtarinë e tyre, Vinca përqendrohet thuajse vetëm në të metat e saj. Po Musliu, si vepron? Ai qoftë kur bënë përgjithësime, qoftë kur shkruan veç e veç për poezinë e poetëve në fjalë shkruan si për vlerat ashtu edhe për mangësitë. Në punimet e tij ai ka vlerësuar se brezi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar ka dhëne kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e poezisë shqipe, por shkruan edhe për mangësitë e asaj krijimtarie, të cilat mangësi janë edhe rezultat i rrethanave socio-politike të kohës në të cilën kanë krijuar, të cilat rrethana i kanë penguar dhe kufizuar për ta shpërfaqur më të mirën e mundshme. Ndër mangësitë që i përmend ai janë shprehja e hermetizuar, mbyllja tematike, stereotipi hermetik, formalizimi i letërsisë dhe shumë eksperimente e klishe që janë rezultat i sprovave formale. Thuajse mangësitë e njëjta apo të ngjashme i kanë potencuar edhe Vinca dhe IsmailSyla.
Të qartësohemi pak më në hollësi për vlerësimet që Rugova, Hamiti, Vinca Musliu dhe Syla ia bëjnë krijimtarisë poetike të poetëve të cilët librat e parë me poezi i kanë botuar ose që janë afirmuar gjatë viteve shtatëdhjetë të shekullit njëzet. Të shohim kush me kë janë më të afërt e kush me kë janë më të largët në vlerësime.
Rugova, Hamiti dhe pasuesit e tyre, thuajse nuk shohin mangësi te krijimtaria poetike e poetëve në fjalë, ose ato mangësi nuk i konsiderojnë aq të rëndësishme sa të merren me to.
Vinca ka identifikuar shumë dobësi të cilat janë të ngjashme me dobësitë për të cilat ka shkruar Musliu. Dobësitë në fjalë sipas Vincës i dëmtojnë aq shumë poezitë e poetëve për krijimtarinë e të cilëve e kemi fjalën sa që niveli artistik i tyre është dukshëm nën nivelin e poezisë së përfaqësuesve të realizmit lirik, ku i rendit I. Kadarenë, D. Agollin, F. Arapin, V. Skenderin, A. Shehun, D. Mehmetin dhe disa të tjerë.
Musliu siç e theksova më lart, shkruan për dobësitë e ngjashme për të cilat ka shkruar Vinca, porse për shijen dhe dijen e tij përkundër dobësive poezia e poetëve në fjalë është dukshëm mbi nivelin e poezisë së përfaqësuesve të realizmit lirik , siç i emërton Vinca. Poezitë e dy prej poetëve të viteve shtatëdhjetë Musliu i ka përfaqësuar në antologjinë e poezisë ballkanike duke i renditur në mesin e 5 poetëve më të mirë të Kosovës ose në mesin e 12 poetëve më të mirë bashkëkohorë shqiptarë. Siç e kam shënuar edhe më lart në antologji janë përfshirë poezitë e Teki Dervishit dhe të Shaip Beqirit për krijimtarinë e të cilëve Vinca ka vetëm vërejtje.
Edhe një tjetër kritik letrar, IsmailSyla, ka shkruar për mangësitë e ngjashme të poezisë së poetëve për të cilët e kemi fjalën, porse për dallim nga Vinca, që atyre ua njeh disa merita të përgjithshme, Syla nuk ua njeh asnjë kontribut në zhvillimin dhe pasurimin e poezisë shqipe. Për poezinë e poetëve: Teki Dervishi, Beqir Musliu, Eqrem Basha, Musa Ramadani, Sabri Hamiti, ShaipBeqiri, NexhatHalimi dhe Ramadan Musliu ai shkruan se kanë rrëshqitur në një lloj sharlatanizmi estetik.
Duhet ta dimë një çështje se Musliut i është dashur që në antologji t`i përfaqësojë vetëm 5 poetë bashkëkohorë të Kosovës. Po ta hartonte një antologji në të cilën do t`i përfaqësonte 30 apo 40 poetë të Kosovës, disa me më pak e disa me më shumë poezi, vetëm atëherë do ta kishin mendimin e tij të kompletuar për rendin e vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe të Kosovës. Megjithatë, mund të themi se në një antologji të til1ë së pari do t’i përfaqësonte poetët për të cilët në parathënie ka treguar pse nuk i ka përfaqësuar. Te ky përfundim vijmë pasi ta lexojmë me vëmendje parathënien antologjisë dhe librat e tjerë me kritikë dhe studime letrare të RamadanMusliut. Pra, përkundër vërejtjeve që i ka për poezinë e poetëve: A. Podrimja, A. Shkreli, A. Konushevci, A Gashi dhe B. Musliuai të njëjtit i konsideron poetët më të mirë të Kosovës, kuptohet, pas pesë poetëve të përfaqësuar në antologji.
Përzgjedhja e Musliut, apriori, nuk duhet as të hedhet e as të miratohet
Mendimi dominues mbi rendin e vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe është materializuar afërsisht në antologjinë “Zemra e qiellit” në të cilën antologji është prezantuar poezia e 62 poetëve bashkëkohorë shqiptarë, prej të cilëve 10 janë prezantuar me nga 7 poezi, 33 me nga 5 poezi, 1 me 4 poezi dhe 18 me nga 3 poezi. Ky mendim dominues është ndërtuar dhe artikuluar nga kritikët letrarë dhe studiuesit e letërsisë me grada të larta shkencore-akademike. Studiuesit e letërsisë të cilët i kanë kryer studimet dhe kanë marrë grada shkencore gjatë formimit profesional e kanë pas ndihmën, po edhe ndikimin nga profesorët e tyre. Profesorët kanë ushtruar ndikim te studentët e niveleve të ndryshme përmes ligjëratave, përmes literaturës që ua kanë sugjeruar ose i kanë obliguar ta studiojnë, duke qenë mentorë të tyre, ose duke qenë në komisione për mbrojtjen e temës së masterit, të disertacionit të doktoratës, duke qenë pjesë e komisioneve për ngritje në grada shkencore dhe pedagogjike, duke qenë pjesë e komisioneve për pranim në punë si asistentë etj. Pra, secili person i cili e ka fituar gradën shkencore master, doktor, akademik etj., është dashur të shërbehet me literaturën e shumtë, të lexojë me qindra e ndoshta edhe me mijëra libra të sistemuar dhe argumentuar me metoda shkencore të cilët libra e kanë prodhuar një sistem, një rend, një hierarki të vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe. Sistemet, rendet, thuajse çdo kund, vetvetiu shkojnë kah rrumbullakimi, kah mbyllja në vetvete. Disa nuk i rezistojnë mbylljes, disa i rezistojnë pak e disa i rezistojnë më shumë. Më shumë i rezistojnë mbylljes institucionet, intelektualët që jetojnë dhe punojnë në shoqëritë e konsoliduara demokratike në të cilat institucionet shkencore, arsimore, akademike kanë traditë të gjatë pune, qindra vjeçare. Në ato institucione shkencore, akademike, arsimore nxitet dhe shpërblehet mendimi kritik i studentëve, nxitet dhe shpërblehet aftësia krijuese e tyre, lejohet dhe shpërblehet shprehja e lirë e mendimeve dhe vlerësimeve. As Shqipëria e as Kosova nuk janë shoqëri të konsoliduara demokratike, që të dyja janë në një tranzicion të gjatë. Institucionet të cilat merren me studimin dhe vlerësimin shkencor të letërsisë nuk është se kanë ndonjë traditë të gjatë. Andaj sistemi ynë, shkenca jonë e letërsisë është më e mbyllur seç do të duhej të ishte. Janë krijuar autoritete të mëdha nga hija e të cilëve e kanë vështirë, të dalin disa prej shkencëtarëve tanë të letërsisë. Në njërën anë Qosja e Vinca e në anën tjetër Rugova e Hamiti janë ata që kanë ushtruar ndikim vendimtar në përcaktimin e rendit të vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe. Që të dy këta krahë, apo grupime i kanë pasuesit e vet prej atyre që janë më të matur e deri te tifozët e militantët. Ka edhe të paanshëm, po të paanshmit deri tani i kanë pranuar rezultatet shkencore edhe të njërit e edhe të tjetrit krah, duke i injoruar vlerësimet që janë rezultat i simpative dhe antipative, inateve dhe dashamirësive. Si rezultat i kësaj ka dalë antologjia “Zemra e qiellit”. Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës, veçmas dega e letërsisë shqipe, sa i përket punës shkencore në studimin e letërsisë shqipe është pak më i avancuar se fakultet tjera anë e kënd hapësirës shqiptare. Aty, me ndonjë përjashtim, punojnë profesorët më të përgatitur në aspektin profesional dhe pedagogjik, disa prej të cilëve janë mjaft tolerantë dhe e lejojnë mendimin ndryshe, nuk e ndëshkojnë atë, po nuk është se e shpërblejnë. Pra edhe në fakultetin në fjalë ende nuk janë pjekur kushtet për t’i rezistuar mjaftueshëm mbylljes, e të mos flasim për fakultetet tjera. Për të ngjarë kjo, për t’u pjekur kushtet për t’i rezistuar mjaftueshëm mbylljes, duhet shumë punë e cila nuk mund të bëhet as brenda një viti e as brenda një dekade. Të mos keqkuptohemi, unë nuk jam për atë që të prishet sistemi, por jam që ai t’i rezistojë më shumë mbylljes, të hapet më tepër, të zhvillohet e të pasurohet me hyrje të reja.
Ramadan Musliu nuk është pajtuar me sistemin. Ai nuk ka pas tituj shkencorë, nuk ka qenë as magjistër e as doktor i shkencës së letërsisë, nuk ka punuar në universitet, nuk ka punuar në Institutin Albanologjik. Duke qenë jashtë sistemit ai ka vepruar si studiues dhe vlerësues i pavarur i letërsisë i cili vlerësimet akademike i ka marrë me rezerva, dyshime e mospajtime. Megjithatë, ai ka lexuar shumë, ka qenë inteligjent, ka pasur njohuri të gjera dhe të thella për letërsisë botërorë, për letërsinë ballkanike dhe ka qenë ndër njohësit më të mirë të letërsisë shqipe. Prej të gjitha këtyre, mbase duke qenë edhe vet poet, Dani më së miri e ka njohur poezinë bashkëkohore shqipe, si atë të krijuar në Kosovë e gjetiu, ashtu edhe atë të krijuar në Shqipëri, ku ka jetuar më shumë se një dekadë. Në Shqipëri ka jetuar dhe vepruar prej vitit 1993 deri në vitin 2004, kohë kjo kur pas rënies së diktaturës komuniste shkrimtarët, kritikët letrarë, poetët e Shqipërisë kishin filluar ta shijojnë lirinë e krijimtarisë dhe të shkruanin pa frikë, jashtë dogmave të realizmit socialist. Gjatë atyre rrethanave Musliu ka dhënë një ndihmesë të madhe në zgjidhjen e shumë dilemave me të cilat përballeshin shkrimtarët e Shqipërisë. Ai, atje iu ka ndihmuar shumë shkrimtareve, shumë poetëve, shumë kritikëve letrarë të cilët tashmë janë bërë emra të njohur e të respektuar. Këtë e thonë shumë prej tyre, duke mos e harruar atë edhe pas vdekjes, duke ia njohur meritat dhe duke i qenë mirënjohës.
Deri tani shkrova vetëm për anët e mira të punës së Ramadan Musliut si kritik letrar, po vepra e tij ka edhe mangësi. Libri “Tangjentat letrare”, padyshim njëri ndër librat më të mirë,jo vetëm të Musliut, po edhe të kritikës letrare të shkruar në gjuhën shqipe, është botuar pa iu nënshtruar redakturës dhe korrekturës gjuhësore! Është përplot gabime teknike, po edhe me gabime (të rralla) drejtshkrimore. Nuk e di si ka ndodhë që libri të dalë me gjithë ato gabime. Pastaj nuk e di pse Musliu për 9 vite,sa ka jetuar pas daljes së librit, nuk është kujdesur që ta bëjë redakturën dhe korrekturën gjuhësore e ta ribotojë atë. Gabime teknike dhe drejtshkrimore ka edhe te parathënia e antologjisë “Diell pa hije”. Ato gabime është dashur t’i korrigjonte botuesi, aq më tepër kur teksti nuk është shumë i gjatë dhe nuk ka kërkuar gjithë atë punë. Realisht te parathënia në ndonjë pjesë ka edhe gabime sintaksore e në ndonjë vend edhe paqartësi. Për këto duhet të kemi mirëkuptim sepse kur është botuar libri autori ka qenë i vdekur. Kemi arsye të besojmë se po të ishte gjallë do të punonte edhe më në përpunimin, finalizimin dhe perfeksionimin e parathënies. Një tjetër dobësi është terminologjia me përplot fjalë të huaja të cilën Musliu e ka përdor veçmas në recensionet e tij të botuara gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar në faqen për kulturë të gazetës “Rilindja”, shumicën e të cilave recensione,për libra me poezi, më vonë i ka sistemuar në librin “Mbindërtimi poetik”. Në disa prej recensioneve, eseve dhe studimeve të tij të mëvonshme ka arrit ta shmang përdorimin e tepruar të fjalëve të huaja, po në disa të tjera i është kthyer përsëri. Punimet në të cilat ka arrit ta shmang përdorimin e tepruar të termave – fjalëve të huaja i kanë dalë më të mira. Një çështje tjetër që më ra në sy është se Musliu në asnjërin prej librave të tij me kritikë letrare nuk e ka shkruar asnjë fjali të vetme për krijimtarinë poetike të Sabri Hamitit. E ka injoruar plotësisht, sikur të mos ekzistonte! Padyshim punë inati!
Përkundër të gjitha këtyre mund të them se Ramadan Musliu është më i përgatituri nga kritikët letrarë dhe studiuesit e letërsisë të cilët e kanë kundërshtuar rendin e vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe, rend ky që del nga librat dhe literatura e shumtë e botuar, veçmas në Prishtinë , po edhe në Tiranë dhe gjetiu. Kundërshtimin e ka materializuar në antologjinë e poezisë ballkanike “Diell pa hije”, në të cilën antologji nuk i ka përfshirë poezitë e poetëve më të njohur dhe më të vlerësuar si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Martin Camaj, Frederik Reshpja, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Sabri Hamiti etj. Në antologjinë në fjalë, Musliu e ka ndërtuar një rend tjetër të vlerave, me në krye poezitë e poetëve: Zef Zorba, Bardhyl Londo, Agron Tufa, Luljeta Lleshanku, Teki Dervishi, Agim Mala, Shaip Beqiri, Xhevdet Bajraj, Arben Idrizi, Lulzim Haziri, Salajdin Salihu dhe Lindita Ahmeti. Duke i pasur parasysh të gjitha këto që i shkrova deri tani mendimi im është se përzgjedhja e Musliut, apriori, nuk duhet as të refuzohet e as të miratohet. Ajo duhet të merret seriozisht nga elita që e shkruan kritikën letrare, që bën vlerësime e krahasime dhe t’i shërbejë asaj si nxitje për t’iu kthyer edhe njëherë vlerësimeve, për t’i verifikuar ato dhe për të shikuar në mos janë bërë gabime; për të shikuar në mos literatura në të cilën janë mbështet vlerësimetka pas të meta e lëshime dhe nëse verifikohen gabimet, të metat e lëshimet, të korrigjohen ato. Ramadan Musliu ia ka dhënë një goditje të fuqishme dhe të argumentuar mendimit dominues për rendin e vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe. /2LONLINE/