Edi Rama gjatë një tryeze të rrumbullakët të organizuar nga Forumi për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd ka thënë se Shqipëria dëshiron të jetë një shok i mirë i Serbisë dhe do të bëjë gjithçka që ashtu të ndodhë.
“Do të jetë e vështirë, por sa më e vështirë do të jetë, shoqërimi do të bëhet ma i fortë”, deklaroi Rama.
Deputeti popullorë në parlamentin e Serbisë Riza Halimi, pjesëmarrës në këtë diskutim tha se shpreson që kjo vizitë vërtet do të jetë historike dhe është shprehur i kënaqur së ka dëgjuar nga të dy kryeministrat që ka folur për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Halimi e ka shprehur edhe pyetjen se kur dhe sa shpejt do të zgjidhen në mënyrë efikase problemet e qytetarëve lokal, shkruan Titulli.
Lidhur me këtë Edi Rama është përgjigjur se pas bisedimeve me Aleksandër Vuçiq është i bindur se problemet do të zgjidhen dhe ka theksuar se obligimi i tij kushtetues është që të dëgjojë zërin e çdo shqiptari në cilin do shtet që jeton por gjithashtu të respektojnë kushtetutën e shtetit ku jetojnë.
Kori Udoviçki, zëvendëskryeministre e Serbisë lidhur me problemet e shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet tha se Këshillat Nacionale të pakicave ekzistojnë dhe shërbejnë për përmirësimin e të drejtave të tyre gjithashtu edhe lidhjen kulturore dhe ekonomike më shtetin amë.
Gjatë këtij diskutimi ishin të pranishëm përfaqësues të lartë politikë ndërkombëtarë në Serbi, organizata vendore që ndihmojnë demokratizimin e rendit shoqëror në vend si dhe deputetët shqiptarë nga Lugina, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi.