Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama flet për marrëveshjet që ka arritur me Aleksandër Vuçiq në takimin e përbashkët të zhvilluar me përfaqësuesit politik dhe institucional të Luginës së Preshevës, shkruan Titulli.com.
“Dje, me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës e Bujanovcit dhe të zgjedhur shqiptarë të asaj treve në Kuvendin e Serbisë, u bë një bilanc i përgjithshëm i situatës në Luginë dhe u vendosën disa pika për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit”, ka shkruar Rama në profilin e tij në facebook.
Rama është shprehur se pas zgjidhjes së problemit të njohjes së diplomave nga Beogradi, pika e parë e rendit të ditës është zgjidhja e problemit të teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
“Sot kryeministri Vuçiç, në takimin e përbashkët të zhvilluar në Nish me të njëjtën përfaqësi, u angazhua se do ta mundësojë kalimin e teksteve tona shkollore në Luginën e Preshevës”, ka thënë Rama.