Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se përgjatë 24 orëve të fundit, për “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, policia në shtatë komunat e Rajonit të Gjilanit, ka shqiptuar gjoba për mos respektim të këtyre masave, transmeton Portali 2LONLINE.com.
“Policia e Kosovës, gjatë zbatimit të masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Shëndetësisë si pasojë e pandemisë Covid 19, në 24 orët e fundit, në të gjitha shtatë komunat e rajonit të Gjilanit, ka shqiptuar gjithsej 61 fletëparaqitje për mos respektim të këtyre masave”, ka thënë zëdhënësi Hashani, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Sipas tij, në raste të veçanta Policia e Kosovës po ashtu ka asistuar inspektorët sanitar Komunal, në kontrolle të lokaleve hoteliere, të cilat janë takuar duke mos i përmbush masat Anti COVID, e të kërkuara nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Hashani ka bërë thirrje që qytetarët t’i respektojnë me përpikëri masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë.
“Ne, si Polici e Kosovës dhe të gjitha institucionet e shtetit e kemi vetëm një qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë, në të kundërtën moszbatimi i këtyre masave do të ketë konsekuenca ligjore”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Përndryshe, derisa në shtatë komunat e Rajonit të Gjilanit u shqiptuan 62 gjoba, në nivel vendi brenda periudhës kohore 24 orëshe u shqiptuan gjithsej 652 gjoba në bazë të ligjit Covid -19. /2LONLINE.com/