Si në të gjitha shkollat e tjera të Luginës së Preshevës, edhe shkolla fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Raicë, ka filluar procesin edukativo-arsimor me kohë. Sipas drejtorit të kësaj shkolle Shukri Ymerit, gjendja e arsimit, në aspektit teknik është e mirë.
“Plotëson të gjitha kushtet për një mësim cilësor, por e vërteta deri diku është e hidhur sepse edhe shkolla jonë nuk mund të jetë ndryshe nga të tjerat, kur e dimë dhe e kemi një problem, që do të thotë se Ministria e Arsimit, e cila është përgjegjëse për një mësim kualitativ, nuk krijon kushte për ne, mjerisht”, thotë Ymeri për portalin informativ Titulli.com.
Sipas tij, fjala është për mungesë të tekste të mirëfillta shqipe, fletore pune, praktikume të ndryshme nga gjitha lëndët mësimore, ndërsa për mësimin kabinetik gjendja është edhe më e rëndë.
“Nga ana teknike dhe profesionale mund të them se jam shumë i kënaqur me stafin tim teknik dhe arsimorë”, shprehet drejtori i këtij institucioni.
Shkolla “Zenel Hajdini” në Raincë numëron 25 arsimtar e profesorë, prej tyre dy ligjërojnë gjuhën serbe si gjuhë joamtare, një mësues në ciklin klasor dhe një në lëndor.
Arsimtarja e gjuhës serbe Svetlana Stoilkoviq thotë se nxënësit janë të interesuar për të mësuar gjuhën serbe.
”Fëmija janë shumë të interesuar ta mësojnë gjuhën serbe. Unë gjithmonë u ndihmoj atyre diku ku nuk e kuptojnë apo hasin në vështirësi dhe ua përkthej sa mundem në gjuhën shqipe. Problemi është se tekstet janë të zgjeruara dhe nuk janë punuar si duhet”, tha Stoilkoviq.
Ajo punon me nxënës të ciklit të ulët, nga klasa e parë deri në të katërtën.
Mësimi i gjuhës serbe nga vet nxënësit duket i vështirë dhe se ata preferojnë që të ndjekin edhe kurse të gjuhës.
“Gjuhën serbe mundohemi ta mësojmë sa mundemi, meqenëse nuk është gjuhë amtare dhe nuk mundemi ta kuptojmë lehtë”, shprehet nxënësja Ermira Fazliu.
I të njëjtit mendim është edhe nxënësi Milot Arifi: “Gjuha serbe është e vështirë, por po mundohemi ta mësojmë sa mundemi. Me lexu, lexojmë mirë edhe me shkru në gjuhën serbe, në latinicë shkruajmë mirë”.
Shkolla fillore Zenel Hajdini” në fshatin Raincë të Preshevës këtë vit shkollor gjithsejtë ka të regjistruar 198 nxënës të shpërndarë në 11 paralele.