Janë pastruar sot nga mbeturinat, hapësirat mbrapa banesave kolektive në lagjen Kamnik, e nënkryetari i komunës, Arbër Ismajli i cili ishte aty bashkë me operatorët ekonomik të angahzuar në largimin e mbeturinave, ka kërkuar nga qytetarët që ta ruajnë ambientin dhe të mos e ndotin atë sepse ato mbeturina nuk ishin vetvetiu aty por u bënë nga qytetarë të pakujdesshëm.
“Sinqerisht, ajo se çka pamë aty ishte e tmerrshme. Mbeturina në të gjitha anët, pakujdesi e madhe kolektive, pasi që, këto mbeturina nuk vinë vetvetiu”, ka thënë nënkryetari ismajli, duke u bërë thirrje të veçantë këtyre banorëve, të kenë kujdes të shtuar, dhe, të mos i hedhin mbeturinat në hapësirat ku edhe vet ata i rrisin fëmijët e tyre.
“Kjo na bënë me njollë të pashlyer në prezantimin e identitetit tonë, na jep një imazh të keq në pakujdesinë tonë ndaj dëmtimit të së mirës publike. Kjo panoramë tregon gjithçka, se ku jemi ne sot me këtë kauzë që bota tashmë e ka kaluar shumë dekada më parë, por që duket se tek ne do na duhet edhe pak kohë për ta tejkaluar këtë gjendje”, ka thënë Ismajli, transmeton 2LONLINE.com
Ai i ka ftuar qytetarët ta mirëmbajnë këtë hapësirë dhe të mos e ndotin, sepse kjo i shërben plotësimit të kërkesave të vet atyre dhe fëmijëve, për pushim dhe rekreacion. Është një ambient i mrekullueshëm ku mund të shfrytëzohet si hapësirë kolektive për kalimin e kohës së lirë.
“Ne, do të vazhdojmë me pastrimin e ambientit brenda çdo hapësire publike, duke i kushtuar rëndësi më të madhe mirëmbajtjes së një ambienti më cilësorë. Ajo, se çfarë duhet nga ne, është rritja e vetëdijesimit qytetarë karshi këtij problemi. Ndotja e këtyre hapësirave publike duhet të ndalohet përgjithmonë”, ka thënë Ismajli.
Përndryshe, ai tha se pas situatës pandemike, do të vazhdojnë të kushtojnë rëndësinë e veçantë kësaj problematike e cila po e jep një shembull jo të mirë në këtë fushë.
“Duhet njëherë e përgjithmonë të dalim nga ky imazh i rëndë, në çfarëdo mënyre, e çdo lloj forme”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.
Përndryshe, ditë më parë, është bërë pastrimi dhe dezinfektimi i rrugëve edhe në lagjën “Kodra e Dëshmorëve”, lagjen e VIII, dhe, në lagjen Dheu i Bardhë.
“Pastrimi dhe dezinfektimi i rrugëve nëpër të gjithë territorin e komunës, i kontribuon, ndërtimit të një ure dhe mundësie më të mirë, ndaj, parandalimit të kësaj situate në të cilën po gjendemi. Ne, edhe pas 4 majit, do të vazhdojmë t’i kushtojmë më shumë rëndësi krijimit dhe mirëmbajtjes së një klime më të mirë të një ambienti sa më cilësorë, të pastër, të pashëm dhe rekreativë”, ka thënë Ismajli, transmeton 2LONLINE.com
Sipas tij, vëmendja e institucioneve komunale do të shtohet karshi, hapësirave publike, parqeve, liqeneve, si dhe, vetëdijesimit sa më të madh të qytetarëve kundër ndotjes së tyre.