Shkruan: Arsim Kastrati
Kombi kosovar ndoshta edhe mund të krijohet, por jo si qëllim i shqiptarëve të Kosovës. Nëse krijohet, ai do të jetë rezultat i rrethanave gjeopolitike rajonale dhe ndërkombëtare.
Shqiptarët e Kosovës deri në 2008-tën, janë identifikuar vetëm me flamurin e Skënderbeut (flamuri kuq e zi); ata që nga 1912-ta kanë dëshiruar dhe kanë kërkuar BASHKIM ME SHQIPËRINË dhe me që nuk ua kanë lejuar dhe nuk kanë mundur ta mbërrijnë atë, janë pajtuar me atë që kanë mundur t’a fitojnë: autonomi politiko territoriale -1974.
Edhe nëse eventualisht do të krijohej kombi kosovar atëherë ai përveç si produkt i zhvillimeve politike, do të ishte edhe një ndryshim identitet dhe veçim i shqiptarëve të Kosovës nga pjesa tjetër e kombit shqiptar në Ballkan.
Popullsia shumicë e Kosovës, kulturalisht dhe politikisht e ka përfunduar komb formimin e saj në shekullin e kaluar, ajo i takon Kombit Shqiptar.
Edhe pavarësia ahtisariane e 2008-ës, është me të meta dhe produkt i rrethanave gjeopolitike rajonale, ndërkombëtare dhe e nënkupton dhe përmban kompromisin shqiptar.
Historia nuk mund të ndryshohet (aq kemi mundur të bëjmë, aq kemi fituar) por e ardhmja, ajo mund të ndryshohet.
Rrethanat gjeopolitike ndërkombëtare ne nuk mund ti kontrollojmë, ato përsëri do të ndikojnë fuqishëm në zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi.
Varësisht nga ndikimi i tyre, nga rrethanat politike rajonale dhe ballafaqimi serbo – shqiptar, do të krijohen realitete politike të reja në tokën ballkanike ku takohen shqiptarët dhe serbët. Kosovë me autonomi serbe brenda saj, e cila mund të jetë me atribute kulturore e deri te ato politike ose bashkim i Kosovës me Shqipërinë.
Kam përshtypjen që para dy viteve Kosova e kishte një dritare të hapur të mundësisë së bashkimit me Shqipërinë por nuk diti që ta shfrytëzojë.
Nëse edhe njëherë na vije rasti i bashkimit atëherë, do të dëshiroja që të mos ‘çartemi’ përsëri, nëse kërkohet ndonjë shkëmbim në kuadër të ripërkufizimit territorial shqiptaro-serb dhe këtu në asnjë mënyrë nuk e kam fjalën për asi shkëmbimi që do të nënkuptonte ndarje të Kosovës.
Të shohim se kah po na çon politika ndërkombëtare, rajonale dhe ajo shqiptaro-kosovare! /2LONLINE/