Shkruajnë: Naim MUSLIU
Fitim RIFATI
(2L ONLINE) – Para pak ditësh, një zyrtar i lartë i institucioneve të Republikës së Kosovës, Kryetari i Komunës së Ranillukut, Gradimir Mikić, si produkt i grupeve obskurantiste serbe, bukfaklisht përsëriti retorikën demonstrative të bashkëkombësit të tij regresist e racist, ish ministrit A. Jabllanoviq, drejtuar grupit të protestueseve të Gjakovës kundër pelegrinëve serbë, si shenjë revolte paqësore ndaj krimeve që organet shtetërore serbo-jugosllave ushtruan ndaj më të dashurve të tyre gjatë luftës në Kosovë. Fyerjet që i atribuohen grave gjakovare, provojnë hallkën histerike në zinxhirin e sentimenteve stereotipe ndaj njerëzve të pikëlluar. Ky sadizëm e cinizëm dhe kjo arrogancë konstante e kësaj vije politike është ekuivalente me figura udhëheqëse shtetërore serbe në kalendarin e historisë.
Përgjatë viteve, dekadave dhe shekujve kemi prova që doktrina politike shtetërore serbe kategorikisht është e orientuar në zhbërjen e qenies kombëtare shqiptare. Programet dhe elaboratet e Ilia Garashaninit, Ivan Vukotiqit, Ivo Andriqit, Vasa Çubrilloviqit, Dobrica Qosiqit etj., janë argumente konkrete të realizuara në mënyrë çnjerëzore ndaj shqiptarëve. Për kohën, apercepcioni i programeve të tilla është absurd teorik dhe praktik që bie ndesh me vlerat njerëzore dhe konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Si klasë politike dhe shtetas të Republikës së Kosovës, ju ekspozoheni me euristikën e grindjes, afeksionit, provokimeve, subversionit e insinuatave dhe si element që absorbon imagjinatë iluzive në shërbim të mitizimit të figurave kriminele. Pretendimi për reinkarnimin dhe zyrtarizimin edhe si shenjë komunikacioni e satrapit-kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, si superstitucion i doktrinave antishqiptare, për ne si shtetas të Republikës së Kosovës është skandal që nuk mund të tolerohet. Përceptimet tona konkretizojnë përshtypjen se praktikisht kemi të bëjmë me ekzemplarë qarqesh agjenturore e anarkiste që korrespondojnë me një aksiomë të vijës së Sllobodan Millosheviqit përbrenda shtetit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Quo vadis, Gradimir Mikić?
Ne nuk subalternohemi ndaj deklaratave neveritëse e patetike dhe nuk pranojmë sjellje që lëndojnë ndërgjegjen, ndjenjat dhe vlerat tona kombëtare. Ndonëse kemi aprovuar kompromise të pa arsyeshme, pavarësisht diversitetit kulturor, kombëtar, politik dhe ideologjik, prapëseprapë zotërojmë gatishmërinë për marrëdhënie të restauruara, utilitare dhe pragmatike me gjithë minoritetet kombëtare dhe etnike që për atdhe kanë Republikën e Kosovës. Qasja jonë argumenton historikisht civilizimin tonë përparimtar dhe afirmimin e vlerave si bashkësi shtetërore me interesa të përbashkëta euroatlantike. Pra, synimi ynë është zhvillimi i një shoqërie të lirë, të shëndoshë, demokratike dhe me perspektivë evropiane.
Si shtetas të Republikës së Kosovës, vlerësojmë se është imperativ kategorik që komuniteti institucional dhe drejtuesit e shtetit (presidenca, kuvendi, qeveria, pushteti lokal), me kompetencë kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë decidive dhe unike, t’i vendosin një digë entuziazmit, idealizmit subjektiv dhe avantazhit imperialist të veprimeve e deklaratave impulsive të udhëheqësve e përfaqësuesve politik të minoritetit kombëtar serb në Republikën e Kosovës. Indiferenca dhe elasticiteti shtetëror e institucional karshi ekstazës të elokuencës së tillë, që përdhosë ndjenjat dhe cilësitë kombëtare e shtetërore, ka për konsekuencë prishjen e imazhit të shtetit tonë dhe dëmtimin e koherencës dhe raporteve ndëretnike. Prandaj, për të mos u zhvilluar më tej, me vigjilencë dhe forcë kushtetuese e ligjore, ky fenomen destruktiv i destinuar në thellimin e divergjencave dhe nxitjen e tensioneve, duhet të frenohet./2L ONLINE/