Gjilan – (2LONLINE) – Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan është organizuar një trajnim i shkurtë për nënat e reja, për nderë të Ditës Botërore të Gjidhënies, me ç’rast Dr.Ramize Ahmeti – Ibrahimi i ka informuar nënat e pranishme dhe të tjerat përmes mjeteve të informimit se sa është e rëndësishme ushqimi i fëmijëve përmes gjidhënies.
“Për nderë të kësaj dite ne sot simbolikisht kemi organizuar një bashkëbisedim dhe shkëmbim të informatave me disa nga nënat e reja të Komunës së Gjilanit dhe si ekspert, ju informojmë se qumështi i gjirit është i pazëvendësueshëm në rritjen normale dhe të shëndosh të fëmijëve”, ka thënë ajo duke shtuar se edhe orar për ushqimin e fëmijëve nuk duhet të ketë, ngase ushqimi duhet t’i jepet fëmijës sa herë që ai e kërkon atë.
Qumështi i gjirit është i pazëvendësueshëm dhe i pakrahasueshëm me asnjë ushqim tjetër për fazën fillestare të jetës së fëmijës. Që nga momenti i lindjes fëmija duhet të ushqehet me qumështin e nënës, sepse kështu i jepet një fuqi fëmijës për një rritje të shëndosh.
Është shumë mirë që sot në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare kemi infermier, doktor të përgatitur të kësaj lëmie, që kurdoherë mund t’u ndihmojnë nënave të reja se si të sillen me fëmijën, si ta ushqejnë atë, apo edhe të informohen për gjera të tjera të rëndësishme për rritjen e fëmijëve, por Ahmeti – Ibrahimi, ka porositur të gjitha gratë që informacionet që i kanë për rritjen e fëmijëve t’ua bartin edhe grave të tjera e posaçërisht nënave të reja.
Ajo ka shpresuar shumë që në të ardhmen të bëhet një sensibilizim më i madh i shoqërisë në përgjithësi por i nënave në veçanti, që duhet të bëhet çmos që foshnjat të ushqehen me gjirin e nënës dhe jo të ndikoj psikika, e tu jepen qumësht artificial, sepse ai nuk e ndihmon foshnjën sa e ndihmon qumështi i gjirit.
Siç ka thënë ajo edhe në aspektin ekonomik është përparësi të ushqyerit me qumësht të gjirit, ngase nuk bëhen fare shpenzime për familjen.
Ndërsa nënat prezent, kanë falënderuar jashtëzakonisht shumë infermieret nëpër qendra të ndryshme të Komunës së Gjilanit për angazhimin, informimin dhe edukimin se si të sillen ato si nëna ndaj fëmijëve të tyre por edhe si të ushqehen dhe të kujdesen gjatë rritjes së tyre.
Organizime të tilla ne shpeshherë organizojmë, ndërsa informacione dhe këshilla për nënat qendrat tona japin çdo ditë në raste të ndara, edukimi është një lehtësirë në rritjen e fëmijës ka thënë ajo duke theksuar se të gjitha nënave poashtu iu kanë dhuruar përparëse dhe kapela për fëmijët e tyre me mbishkrimin “Përkrahni të ushqyerit me qumësht të gjirit”. /2lonline/