Për të përuruar objektin e ri të Qendrës së regjistrimit të automjeteve si dhe të Departamentit të regjistrimit civil, ku janë investuar 340 mijë euro, ka qenë prezent edhe Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i cili ka thënë se objekti i ri është mjaft funksional dhe i plotëson të gjitha kushtet.
Ai tha se ky objekt i ri i plotëson të gjitha kushtet , si për punëtorët, ashtu edhe për qytetarët dhe se sipas fjalëve të kryeshefit ekzekutiv të Agjencionit të Regjistrimit Civil, do të funksionalizohet brenda javës.
“Këto shërbime nuk janë bartur menjëherë nga objekti i vjetër për arsye të bashkatdhetarëve, të cilët tani ndodhen në pushime dhe kanë nevojë të aplikojnë për dokumente personale, prandaj kemi dashur që atyre t`iu mundësojnë një shërbim sa më të lehtë”, ka thënë Rexhepi.
Minsitri Rexhepi u shpreh se objekti i ri duhet të kompletohet me të gjitha pajisjet e domosdoshme dhe me internet, që të jetë një shërbim modern dhe funksional, sepse dihet që sa më shpejt që të kompletohen qendrat e regjistrit civil, aq më herët plotësohen kushtet për liberalizimin e vizave.
Ndërsa, Omer Daku nënkryetar i komunës së Gjilanit i ka vlerësuar shumë të rëndësishme përurimin e hapësirave të reja për shërbime të qytetarëve, duke thënë se objekti i ri gjendet në një lokacion ideal, për të cilin së shpejti do të miratohet edhe plani rregullues me një sipërfaqe prej 50 hektarëve.
“Qytetarët e Gjilanit tani kanë mundësi më të mira për marrjen e këtyre shërbimeve, sepse këtu ka më shumë hapësirë edhe për parkingje”, ka thënë Daku./2lonline/