QKMF në Kamenicë vë në dispozicion një aneks shtesë në objektin e Gjinekologjisë për marrjen e terapisë së personave me COVID-19 apo të dyshuar.
Gjendja me COVID-19 është duke i rënduar institucionet shëndetësore në Kamenicë, ku numri i pacientëve të infektuar dhe të dyshuar është duke u rritur.
Duke parë këtë gjendje si parandalim të infektimit, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë, nga dje ka vënë në dispozicion edhe një aneks shtesë në objektin e Gjinekologjisë.
Personat të cilët vijnë me përshkrime nga spitali regjional apo ndonjë pulmolog, po ashtu personat e dyshuar apo edhe që janë pozitiv me COVID-19, mund ta marrin terapinë e përshkruar në këtë aneks.
Ndërsa personat e palëvizshëm të cilët po ashtu janë të dyshuar apo edhe pozitiv me COVID-19, do t’i vizitojnë ekipet mjekësore për t’ua përshkruar terapinë.
Ky vendim është marr për të lehtësuar punën e stafit mjekësor, si dhe për tu gjendur sa më afër pacientëve në nevojë në këto ditë.
Ndërsa QKMF do të vazhdojë të punojë si çdo ditë duke ofruar shërbime për qytetarët që kanë nevojë.