/2L ONLINE/ – Ka qenë domosdoshmëri e kohës përmirësimi i klimës së biznesit dhe krijimi i kushteve të favorshme për rritjen e investimeve në Gjilan, me qëllim të arritjes së rezultateve pozitive dhe të rëndësishme për mirëqenien socio-ekonomike të qytetarëve të Gjilanit dhe Anamoravës. Numër i madh i pengesave të ndryshme të krijuara nga qeverisja aktuale në Gjilan, kanë krijuar imazh negativ te sektori privat, donatorët dhe investitorët e huaj, duke përkeqësuar jashtëzakonisht shumë ambientin dhe klimën e mirë për bizneset, që dikur Gjilani e kishte krijuar gjatë viteve të qeverisjes së PDK-së dhe që atëherë vlerësohej lartë nga USAID dhe nga mekanizmat tjerë vendor e ndërkombëtar.
Kështu shprehet Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së, subjekt ky opozitar, sipas të cilit kjo formë dhe kjo qasje e qeverisjes komunale ndaj biznesit dhe investitorëve, u ka mbyllur rrugën të gjitha investimeve që vijnë nga sektori privat (me përjashtim atyre që po bëhen në sektorin e ndërtimeve) duke rrezikuar potencialin e mirë dhe fuqinë financiare (nga diaspora) që ka rajoni i Gjilanit, për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë lokale.
Sipas tij, mungesa e kapaciteteve dhe kuadrove profesionale në institucionet komunale dhe vendosja e personave të papërgjegjshëm, të pakualifikuar dhe të korruptuar në pozitat kyçe, janë disa nga faktorët, që kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri ka lejuar me vetëdije, që të prish plotësisht imazhin e komunës për biznesin dhe për investitorët.
“Dështimi i konferencës së donatorëve të mbajtur në Gjilan, dështimi i Gjilanit në pjesëmarrjen e konferencës në Cyrih të Zvicrës, dështimi i programit të investimeve përmes Partneritetit Publiko Privat, dështimi i para ndalimit për shkatërrimin dhe rrënimin e fabrikave në Gjilan, ka bërë që asnjë projekt serioz të mos nisë për këto tri vite në Gjilan. Këto dështime kanë bërë që edhe projektet e nisura vite më parë të bllokohen dhe të dështojnë. Lumi Mirusha (projekti “historik”), Tregu i Gjelbër, Zona Ekonomike dhe plotë projekte të tjera të rëndësishme, kjo qeverisje e paaftë i ka bllokuar dhe duke mos ofruar asnjë mundësi tjetër konkrete. As projektin e Sahat Kullës kjo qeverisje nuk është në gjendje ta përfundojë, projekt i nisur nga qeveria e kaluar e LDK-së”, ka thënë Rashiti.
Sipas itj, bllokimi i investimeve edhe të atyre që nuk kishte asnjë pengesë ligjore apo financiare, si në rastin e projektit të PPP dhe marrëveshjes me kompaninë “Eko Higjiena”, ka bërë që mos të investohen edhe mbi një milion euro të planifikuara deri në vitin 2015, ndërsa ato fare nuk po ndodhin edhe tani, si pasojë e mos bashkëpunimit në mes dy partnerëve, krijimit të konfliktit të vazhdueshëm institucional, nga individë që nuk mund të përfaqësojnë as veten e tyre, e lëre më komunën e Gjilanit.
“Këto paaftësi të kryetarit Haziri, për të zgjidhur problemet dhe për ti eliminuar pengesat e shkaktuara qëllimshëm nga disa zyrtarë komunal në shumë projekte, ka bërë që të humb tërësisht besimi tek institucionet komunale. Gjilani tanimë është futur në një rrugë pa krye dhe e cila assesi nuk mund të dal nga kriza e thellë institucionale, që i ka shkaktuar dëme të mëdha qytetarëve të Gjilanit, nga mos zhvillimi ekonomik që po e rëndon për çdo ditë e më tepër mirëqenien e secilës familje dhe secilit qytetarë”, ka thënë Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/