Ashtu siç bëjnë votuesit e ndërsyer me komente fyese kundër kundërshtarëve politik, ashtu edhe kandidatët, disa prej tyre, të cilët kanë kullotur në pushtet qe 20 vjet rresht, vazhdojnë me premtime boshe. Ata e dinë se populli është në hall, prandaj i premtojnë atij gjithë çfarë ai dëshiron. Ata e dijnë se shumë gjëra nuk bëhen brenda natës!
Shkruan: Zejnullah Jakupi
Në dështimin politik, pra të asaj çfarë nuk kemi arritur, nuk është faji vetëm tek elita politike, siç jemi mësua ta themi deri tani, por fajtor është edhe shoqëria, edhe votuesit. Është konteksti e jo teksti, ose thënë ndryshe, diskursin politik e dëfton konteksti shoqëror dhe një politikan apo një parti politike. Prandaj, nuk thuhet pa shkas, populli e voton partinë ose qeverinë që meriton. Nëse janë të dobët dhe nuk mund t´i realizojnë dëshirat, duhet hequr patjetër atë parti, ose atë kandidat, ose nuk duhet votuar, por kjo histori nuk po ndodh ose nuk ndodhi deri tani. Edhe më 6 tetor populli sërish e ka mundësinë ta thotë fjalën e vet.
Nga ky pikëvështrim na del se nuk janë politikanët fajtorë kryesorë për gjendjen e krijuar, por konteksti shoqëror është shoqëria dominuesi në lansimin e sloganeve politike (Erdhi Dita, Dekada e Re apo edhe 100%). Kjo doemos na shpie tek idetë themelore të Ronald Barthes i cili konkludonte autorin e vdekur, pra theksonte mendimin se audienca, lexuesi, votuesi e shkruan përmbajtjen e mesazhit, në këtë rast po themi, të sloganeve politike dhe jo autori/politikani.
Sloganet e partive politike dhe të kandidatëve të tyre për kryeministër dhe deputet po shpalosen në opinion publik si formula të cilat me gjasë ofrojnë zgjidhjen e problemeve në shoqëri, pas zgjedhjeve elektorale të 6 tetorit. Veprimi i tyre lidhet ngushtë me gamën e gjerë të stimujve organike, nevojave personale dhe dëshirave që ata i kanë për veti dhe shoqërinë. Disa janë të vetëdijshme, siç janë ndjenjat, qëndrimet, idetë, recetat kulturore, normat, vlerat, rolet sociale, përkatësia e grupeve të kolegëve dhe kufizimet institucionale etj, të cilat lidhen ngushtë me interakcionet sociale.
Sipas David Morley (1980) dhe Friedrich Krotz (1992) komunikimi në këtë rast njihet si ndërmjetësues. Komunikimet e tilla janë “të varura nga diskurset shoqërore dhe kontekstet strukturore në të cilat është i përfshirë individi”. Kjo do të thotë, se elita politike, ose një kandidat formulon programin qeverisës duke u bazuar në norma dhe vlera të shoqërisë. Ky realitet, të cilin ne e njohim, nuk ekziston jashtë konceptit konstruktiv, por duhet të kuptohet si ndërtim shoqëror, si e vërtetë konstruktive (Ching et al. 2007).
Diskursi politik
Në përputhje me Jean Baudrillard, mund të thuhet se asgjë nuk është origjinale, se gjithçka është një kopje e gjithçkaje tjetër. Kjo përvojë e jetuar nga ne përcaktohet vetëm nga diskurset, një term që duhet përcaktuar më tej. Ching et al. (2007) e përcakton diskursin si më poshtë: “Shkurt, një diskurs është një grup rregullash ose parimesh organizimi. Ky mund të jetë korniza e një fjalimi, mesazhi, debati, të cilat janë interpretuese, janë pjesë të komunikimit përmes së cilës ne shohim gjithçka në botë dhe rreth saj”.
Sipas Ching et al. (po aty) mund të ushtrohet ndikim në një diskurs të caktuar. Mund të jetë e mundshme kur një aktor ose një tjetër të ketë më shumë ndikim në të se dikush tjetër. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se ai që ndikon në diskurs gjithashtu mund të kontrollojë më shumë diskursin, ndryshe nga ata që e ndikojnë atë më pak. Në këtë rast duhet përmendur se diskurset janë ndërtime shoqërore të lakueshme dhe lindin përmes bashkëveprimit shoqëror. Me fjalë të tjera, ato vijnë nga përpjekjet për të kuptuar botën dhe për t´i komunikuar idetë tona me publikun.
Pra, diskurset lindin nga çdo formë e imagjinueshme e komunikimit njerëzor – qoftë ajo e shkruar, gojore ose gjuhë trupore. Komuniteti ynë më i madh diskursiv i imagjinueshëm, sipas autorëve, është njerëzimi, por komunitetet që ndikojnë në mënyrë më të drejtpërdrejtë janë më të vogla – siç janë: kombet, rajonet, qytetet, familjet, grupet etnike ose kulturore. Në këto grupe bënë pjesë edhe audienca e një forme të caktuar arti apo të një programi lajmesh, etj.
Pra, autorët postmodernist e theksojnë se diskursi nuk është krijuar dhe nuk krijohet nga autori, por nga opinionet dhe interpretimet e atyre. Këtu pos R. Barthes vijnë në shprehje edhe John Fiske, njëri ndër përfaqësuesit më të spikatur të leximit polisemik të mesazheve ku theksohet se diskursi lind nga deklaratat e përbëra nga fjalët dhe se autori nuk mund të ndikojë në diskurs, por anasjelltas: diskursi vihet në jetë, jo nga autori ose autorët të cilët e shkruajnë atë, por nga konteksti shoqëror. Kjo do të thotë se akteri politik i bazon vendimet e tij në një interpretim të përshtatur diskursiv që qarkullon në shoqërinë përkatëse. Kjo nënkupton gjithashtu edhe poliseminë nga John Fiske.
Ching (et al. 2007) argumenton tutje se të gjithë (akterët) vendosin mbi bazën e konventave, sjelljeve të mësuara,rregullave dhe normave të përcaktuara nga shoqëria, pavarësisht nëse ajo bashkësi që përcakton ato rregulla është e vogël apo e madhe, nëse ajo është vetëm një grup miqsh ose një rreth familjar. Një individ, si një autor (qoftë politikan, shkrimtar apo gazetar), është një autor i një mesazhi mbi të cilin reflektohet diskursivisht konteksti shoqëror.
Interakcioni social dhe fushata zgjedhore
Kandidatët, ta themi thjesht, në fushata të tilla bashkëveprojnë me njëri-tjetrin, në një proces interagimi. Ata drejtojnë veprimin e tyre ose janë të detyruar të drejtojnë veprimet e tyre në kontekstin, siç do të vepronin të tjerët (Herbert Blummer 1980). Interakcionin social Blumer (1973) e kupton vetëm si një bashkëveprim njerëzor dhe jo si një bashkëveprim mes faktorëve ose komponentve të sistemeve sociale, siç do ta përshkruante këtë teoria e sistemeve sociale të Nicklas Luhmann-it. Në këtë mënyrë, ndodhin aktivitetet e të tjerëve të cilat ndikojnë, po themi kushtimisht, në veprimet tona sociale, por mund të ndodh edhe e kundërta.
Mendimi ose një bindje politike, pra e kuptuar si veprim i të të tjerëve, mund të ketë një qëllim të caktuar. Ne, mund ta ndryshojmë, kontrollojmë ose ekspozojmë atë, ose ta përforcojmë ose ta zëvendësojmë mendimin tonë me mendimin e të tjerëve.
Të tjerët, gjithashtu, nga ana e tyre, mund t´i afirmojnë planet e tyre, ata mund t´i kundërshtojnë ose parandalojnë ato, ata mund të kërkojnë një modifikim të planeve të tilla prej nesh. Një një mënyrë apo tjetër synohet një qëllim, për të vepruar në një mënyrë të caktuar, për të u pajtuar me veprimet e të tjerëve.
Blumer mbështet në këtë rast argumentimin e tij tek idetë themelore të filozofit G. Herbert Mead për ta shpjeguar se çfarë nënkupton me bashkëveprimin social (soziale Interaktion). Mead dallon dy lloje të interakcionit social: atë “jo-simbolik” dhe “simbolik”: Të parin e quan “ndërveprim jo simbolik” dhe të dytin “bashkëveprim simbolik”. Ndërveprimi jo simbolik zhvillohet në mënyrë kur i përgjigjemi drejtpërdrejt veprimit të një tjetri, pa i interpretuar ato; Bashkëveprimi simbolik, nga ana tjetër, përfshin interpretimin e veprimit. Në jetën e përditshme, thotë Blumer, njerëzit shpesh përdorin ndërveprime jo simbolike kur ato ndodhin të menjëhershme dhe jo reflektuese, siç janë lëvizjet mekanike trupore.
Nga kjo mund të konkludojmë se për të pas një komunikim të efektshëm me elektoratin duhet mënjanuar çfarëdolloj konfuzioni ose keqkuptimi i cili paraqitet në tre linjat e kuptimit, ne këtë rast nëse politikani tregon se pse ai konkurron në garë dhe tregon se i ka shpallur luftë korrupsionit dhe këtë veprim social e mirëkupton ana tjetër, elektorati, atëherë komunikimi është i efektshëm, në rastet tjera, ndërveprimi parandalohet ose vije deri te bllokimi i veprimit të përbashkët (Blummer 1973 po aty).
Interakcioni simbolik vije në shprehje gjithashtu kur partia X shpalos programin e vet dhe kjo shpalosje mirëpritet (kuptohet dhe pëlqehet) nga ana tjetër, pra nga votuesi. Kjo arrihet kur kemi një akordancë të plotë mes tyre, kur votuesi ka të njëjtin mendim si partia e caktuar, pra „kur bëhet njësh me të“, kur ndërron rolet, kur mendon sikur të ishte vet partia. Përmes këtij procesi, njerëzit arrijnë t´i koordinojnë aktivitetet e tyre dhe të formojnë sjelljen e tyre individuale karshi të tjerëve.
Në një mënyrë interakcioni simbolik mundëson bashkëjetesën njerëzore, i kuptuar ky gjithnjë si një proces dhe jo një ndikim-fushëveprimi. Ndërveprimi simbolik përfaqëson mendimin se “botët” (ambienti që na rrethon) ajo e cila, njihet si e tillë, ekziston për njerëzit dhe grupet e tyre, dhe është e përbërë nga “objekte”, dhe se këto objekte janë produkt i bashkëveprimit simbolik.
Tek objektet është gjithçka e llogaritur ajo që mund të shfaqet, pra çdo gjë që është për të treguar ose referuar – si vijon: një re, një libër, një makinë, një orë etj. Për hir të thjeshtësisë, objektet mund të klasifikohen në tre kategori: (a) objekte fizike, siç janë karriget, pemët ose biçikletat; (b) objektet sociale, siç janë studentët, priftërinjtë, një president, një deputet, ose një politikan, një nënë ose një mik; dhe (c) objekte abstrakte, siç janë parimet morale, doktrina filozofike, ose idetë.
Gjithashtu tek objektet abstrakte bëjnë pjesë edhe drejtësia, shfrytëzimi ose keqardhja. Në këtë rast Blumer, i cili i referohet shpjegimit të Mead-it se çdo objekt – përbëhet nga kuptimi që ai ka për personin për të cilin përfaqëson një objekt. Ky kuptim përcakton mënyrën në të cilën ajo ose ai sheh objektin; mënyra në të cilën ai ose ajo është i gatshëm të veprojë në lidhje me këtë objekt; dhe mënyra në të cilën ne jemi të gatshme të flasim për të.
Një objekt mund të ketë një kuptim të ndryshëm për individë të ndryshëm: për shembull, një pemë do të përfaqësojë një objekt të ndryshëm për një botanist, pra një lëndë druri, për një poet do të bëhet frymzim i tregimit dhe për një kopshtar do të ishte hobi.
Si mund ta përkthejmë këtë në praktikë? Për shembull: Kryetari i Partisë Demokratike Kadri Veseli mund të jetë një politikan shumë progresist dhe si “shpëtimtar” dhe si i tillë i ndryshëm për një anëtar besnik të partisë së tij politike dhe medoemos nuk do të jetë i tillë për një anëtar të opozitës dhe e kundërta; Albin Kurti kurrë nuk mund të vlerësohet nga anëtarët e PDK-së ose edhe të partive tjera, siç vlerësohet nga anëtarët e VV-së. Ose shqiptarët si komb, shpesh ose gjithherë, vlerësohen nga politikanët serb dhe opinion atje me nota negative.
Pra, rëndësia e gjithçkaje e ekzistencës së objekteve qëndron tek interpretimi i cili formohet si një proces shoqëror. Bashkëjetesa njerëzore në nivelin e bashkëveprimit simbolik është një proces i pandalshëm në të cilin njerëzit i krijojnë dhe ju japin kuptim objekteve të tyre. Pra, objektet, në këtë rast, si për shembull: korrupsionin na paraqitet si objekt abstrakt. Ky në këtë rast nuk ka status të caktuar, por i jepet kuptimi i cili varion nga shoqëria në shoqëri, nga individi në individ, varësisht, se prej nga vije interpretimi. Nga kjo del se objektet, në të gjitha kategoritë, mund të pësojnë një ndryshim kuptimi.
Një yll në parajsë është një objekt shumë i ndryshëm për një astrofizikan modern dhe për një bari të kohërave biblike diçka tjetër; Ose fenomeni i martesës, dikur ishte një objekt shumë i ndryshëm, ashtu siç është edhe sot, ashtu siç ishte edhe për romakët e hershëm, ndërsa për gjeneratat e ardhshme mund të marrë pozicion tjetër definimi.
Nga pikëpamja e simbolikës bashkëveprimi është, me pak fjalë, bashkëjetesë njerëzore, një proces në të cilin krijohen, konfirmohen dhe transformohen objektet e natyrave të ndryshme, siç i përmendëm më lartë. Pra në këtë kuptim ne duhet ti japim slloganit kuptimin që e kërkon shoqëria, kjo do të thotë se konteksti shoqëror, siç tek ky yni, i´a bënë të mundshëm një politikani konkurrimin ani pse ai në një shoqëri tjetër do të përfundonte në burg.
Tek ne, përzgjidhet i njëjti politikan, i cili është përfolur për korrupsion dhe vepra kriminale. Ai del të jetë i dëmshëm vetëm për një shoqëri tjetër, por jo edhe për shoqërinë tonë. Populli, i edukuar në këtë frymë, madje të akuzon, pse X apo Y nuk është i “gjindshëm”. Shoqëria është pra bashkëfajtore pse një politikan korruptohet. Me këtë nënkuptohet se dispozita e parë dhe e fundit është shoqëria e cila na mundëson të bëhemi, ose pse dikush bëhet i tillë. Madje ka të politikanë që shkojnë deri aty dhe mbështesin teorinë ekonomike të disa teoreticientëve të cilët korrupsionin e shohin si diçka të mirë dhe të shëndetshëm për shoqërinë!
Objektet personale (ose bëhu vetvetja)
Cilido politikan ose cilado politikane, duhet parasegjithash të jetë vetvetja. Pra, njeriut (aktorit politik) i duhet edhe të vihet në pozicion të të tjerëve, pra, ta shikojë veten nga këndi, siç do ta shikonte dikush atë nga një këndvështrim i jashtëm.
Domethënë Vjosa Osmani, Albin Kurti, Kadri Veseli, Ramushi Haradinaj e marrin një rol, siç ata pretendojnë ta luajnë dhe ashtu, siç dëshirojnë ata të shihen në sy të tjerëve. Në përjashtim nga Albini dhe Vjosa që akoma nuk kanë qenë në qeveri pra, si kryeministra, Ramushi Haradinaj e ka sprovuar veten. Edhe Kadri Veseli nuk ka qenë më parë kryeministër, por ky bashkë me bashkëpartiakët e tij janë në qeveri nga 2007 e tutje dhe se kanë pas mjaftë kohë për ta luftuar korrupsionin dhe nepotizmin, por që nuk e kanë bërë, prandaj votuesit i shohin ata me sy tjetër, dhe jo siç duan ata. Madje disa hedhin akuza se pikërisht PDK-ja është partia e cila e mbolli si farën e keqe; korrupsionin, nepotizmin dhe klientelizmin, i cili natyrisht është fenomen shoqëror, sepse edhe PDK-ja është e popullit.
Duhet veçuar këtu edhe interakcionin me vetveten, kjo do të thotë se z. Veseli por edhe kandidatët tjerë duhet t´ja bëjnë të qartë vetvetes se përnjëmend e kanë kur flasin për luftimin e korrupsionit, nepotizmit dhe forcimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik e shumë probleme të hapura në shoqëri, të cilat kërkojnë zgjidhje, pa përjashtuar këtu edhe bisedimet me Serbinë, Veriun e Kosovës dhe integrimin e tij, shumë më tepër, seç është arritur deri tani në praktikë.