Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, profesoresha Gjyljeta Mushkolaj, ka thënë se marrëveshja e arritur ndërmjet LDK-së, AAK-së dhe NISMËS për Kosovën është një zhvillim i rëndësishëm për konsolidim të demokracisë në Kosovë. Mushkolaj në intervistën për “Epokën e re” ka thënë se kjo marrëveshje e pasuron jetën politike në vend dhe e ballafaqon atë me sfida të reja, shumë normale, madje edhe për vendet me traditë të gjatë demokratike.
“Kjo marrëveshje na përballë me shumë dilema të reja për ne, por të vjetra në teorinë dhe praktikën parlamentare, se a mjafton për formim të qeverisë vetëm vrapi për numra për të përfituar nga pushteti, apo për formim të qeverisë janë të rëndësishme edhe politikat të cilat dëshirohet të realizohen nga koalicioni që do ta formojë qeverinë. Në përgjithësi, meqenëse jemi në këtë fazë paszgjedhore, por para certifikimit të rezultatit zgjedhor, marrëveshja e arritur midis këtyre partive politike është vetëm një veprim ndër shumë veprime të tjera në procesin e ndërlikuar negociator, që do të ndërmerren nga subjektet politike që e kanë kaluar pragun dhe që do të jenë pjesë e legjislaturës sonë të re. Se a do të jetë kjo përpjekje e suksesshme për ta bërë shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar qeverinë, duke iu kundërvë koalicionit fitues të numrit më të madh të ulëseve në Kuvend, do ta shohim ditëve në vijim”, ka thënë Mushkolaj.
Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, profesoresha Gjyljeta Mushkolaj, ka thënë se marrëveshja e arritur në mes të LDK-së, AAK-së dhe NISMËS për Kosovën për formimin e qeverisë së re nuk ka kurrfarë efekti për presidenten Atifete Jahjaga.
“Pavarësisht rëndësisë politike, në rrafshin juridik marrëveshja është vetëm një akt juridik i ligjshëm, i lidhur midis subjekteve politike e që, si të tilla, janë vetëm organizata private. Nënshkruesit e marrëveshjes janë vërtet përfaqësues të autorizuar të subjekteve politike, por marrëveshja si akt juridik nuk e ka asnjë efekt për presidenten. Në mënyrë që presidentja ta caktojë mandatarin për formimin e qeverisë ajo duhet së pari të sigurohet se partia, ose koalicioni që ia propozon atë, e ‘përbën shumicën në Kuvend’ (Kushtetuta, neni 84.14). Marrëveshja, si e këtillë, nuk e siguron presidenten se vërtet subjektet politike që e kanë lidhur marrëveshjen e përbëjnë shumicën në Kuvend. Për këtë gjë duhet ta presim certifikimin e rezultatit zgjedhor, një moment kyç për vendin tonë. Është ky momenti kur mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon (neni 70.2) dhe deputetët nga ai moment “janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues” (neni 70.1)”, është shprehur Mushkolaj.
Mushkolaj ka thënë se mandatin për ta formuar qeverinë do ta ketë ajo parti ose koalicion që do ta ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve në Kuvend.
“Është shumë e zakonshme që partia, ose koalicioni që e fiton numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, ta ketë më lehtë ta arrijë shumicën në Kuvend. Megjithatë, demokracia ka edhe të papritura dhe ne duhet të mësohemi me to”, tha ajo