(2L ONLINE) – Përfaqësues të projektit DEMOS, kanë qëndruar në Kamenicë për të konfirmuar se Komuna e Kamenicës do të jetë partnere e këtij projekti në tri vite e gjysmë në vazhdim.
Nënkryetari i Komunës Fatmir Matoshi, kryesuesi i Kuvendit Komunal Bajram Dërmaku dhe zyrtarë të tjerë të lartë komunal kanë pritur përfaqësuesit e HELVETAS, në një takim prezantues të projektit të ri, në të cilin u konfirmua partneriteti në mes Kamenicës dhe projektit DEMOS.
Merita Barileva nga HELVETAS, ka njoftuar se ceremonia e nënshkrimit të kontratës së bashkëpunimit do të bëhet me 18 shtator 2014 në Prishtinë, ndërsa projekti do të funksionoj në tri fusha: Mbështetja në menaxhimin financiar, shërbimet publike dhe demokracia lokale.
“Projekti DEMOS do t’i ofrojë komunës asistencë teknike dhe mbështetje financiare në fushën e shërbimeve publike (e cila përfshinë 2 nga 3 shërbimet e mëposhtme: menaxhimin e mbeturinave, hapësirën publike dhe mobilitetin), menaxhimin financiar, demokracinë lokale dhe kornizën ligjore e politike, në përputhje me kushtet e përcaktuara në Memorandum.” ka thënë Merita Barileva Zyrtare e lartë e këtij projekti.
Bazuar në performancën e treguar nga Komuna e Kamenicës, palët janë dakorduar që fillimisht nga grantet përfituese të Kamenicës të mbulohen detyrimet financiare për ujësjellësin e fshatrave Kopernicë, Kolloleq dhe Shipashnicë i realizuar në 2009.
Nënkryetari Fatmir Matoshi ka falënderuar zyrtarët e DEMOS për gatishmërinë e tyre për zgjidhjen e problemit të pagesës së pakryer për përfundimin e projektit për ujësjellësin Kopërnicë – Kolloleq – Shipashnicë gjatë katër viteve të kaluara i cili është një aset shumë i rëndësishëm për komunën dhe qytetarët e këtyre lokaliteteve./2L ONLINE/