Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim deputetin, njëherësh kryetar i romëve të Kosovës, Albert Kinolli si dhe personalitete të tjera të këtij komuniteti, të cilët janë pjesë e institucioneve të vendit në pozita të rëndësishme.
Kryeministri Haradinaj me këtë rast, duke i uruar për ditën e tyre, tha se kosovarët kanë pasur gjithmonë raporte korrekte me komunitetin rom dhe Qeveria do të punojë që në të ardhmen të kenë përfaqësim më të avancuar në arsim dhe punësim.
Përfaqësuesit e komunitetit rom falënderuan kryeministrin Haradinaj për përfaqësimin e komunitetit rom në institucionet e vendit, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme financiare.
“Jemi te befasuar nga pritja dhe përkrahja juaj për këtë komunitet. Ne jemi të përfaqësuar në të gjitha nivelet dhe institucionet duke qenë pjesë edhe e vendimmarrjes”, tha kryetari i romëve në Kosovë, Albert Kinolli.
E për nder të kësaj dite, Zyra e Kryeministrit mbajti edhe një koktej rasti, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga institucionet dhe organizatat e ndryshme nga vendi, përfaqësues të ambasadave dhe përfaqësues të këtij komuniteti.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Kryeministri Haradinaj tha se “shpreh falënderimin për partneritetin që kemi në qeverisje dhe në tema që janë me interes dhe rëndësi për Kosovën. Nuk do të ndalemi në punë së bashku dhe besoj që çdo pengesë që na del përpara, do ta zgjidhim së bashku. Kemi hartuar strategjinë, por është koha e implementimit të kësaj strategjie dhe jam i bindur se në zbatim të strategjisë, do të gjejmë jo vetëm përkrahjen për këtë strategji, por edhe vullnetin e ndërsjellë të gjitha niveleve të institucioneve tona, edhe atyre komunale, në mënyrë që komuniteti rom kur të fillojnë shkollimin, të mund të jenë të përkrahur edhe me tekste shkollore dhe të mësojnë në gjuhën e tyre”.
Kryeministri Haradinaj në këtë organizim pranoi edhe një Mirënjohje nga përfaqësuesit e këtij komuniteti, për kontributin e dhënë për avancimin e rolit të romëve në shoqërinë kosovare, si pjesë e institucioneve të rëndësishme dhe e vendimmarrjes.