Lëvizja Vetëvendosje përkrah kërkesat e sindikalistëve për zbatimin e plotë të marrëveshjes kolektive. Kjo u tha gjatë takimit që përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje patën me anëtarë të kryesisë së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në zyrën qendrore të Lëvizjes Vetëvendosja.
“Lëvizjen Vetëvendosje e keni aleat strategjik dhe parimor. Ne besojmë në të drejtat e punëtorit dhe besojmë se puna e krijon vlerën”, tha Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
Në këtë takim u diskutua për Marrëveshjen kolektive dhe të drejtat e kushtet e punëtorëve në përgjithësi, të cilat po shkilen dhe rëndohen vazhdimisht, si dhe për rolin e sindikatave në organizimin e punëtorëve kundër këtij degradimi. Qeveria e re e ka nisur shumë keq në këtë drejtim duke e vazhduar dhe thelluar nëpërkëmbjen e interesave të punëtorëve në dobi të rritjes së hendekut të pabarazisë në të ardhura dhe rrjedhimisht rritjen e varfërisë.
Lëvizja Vetëvendosje është kategorikisht kundër pezullimit të Marrëveshjes kolektive. Ajo duhet zbatuar në tërësi. Isa Mustafa, nga pozita e kryeministrit, nuk po e pezullon asnjë kontratë të nënshkruar nga bashkëpunëtori i tij i koalicionit Hashim Thaçi kur ka të bëjë me shpenzimet milionëshe në dobi të kompanive të huaja (Bechtel dhe Enka, Limak dhe Çalik, etj.), edhe pse verbalisht po i vlerëson ato si të dëmshme, ndërkohë që po tregon zell të pakundshoq në anulimin e cilësdo marrëveshje që do t’i sjellte sadopak dobi punëtorëve. Marrëveshja kolektive e shpërfaq edhe një herë këtë qeveri dhe këta partnerë koalicioni: Hashim Thaçi i cili e nënshkroi atë pa e pasur kurrë ndërmend ta zbatojë, dhe Isa Mustafa, i cili po kërkon ta zhbëjë atë. Kjo nuk është kundërthënie mes këtyre dyve por pika ku këta pajtohen plotësisht. Të dy këta nga pozicionet e tyre ekzekutive i vendosen në funksion të interesave partikolare të kompanive (të huaja) e jo interesit të përgjithshëm të rishpërndarjes së pasurisë.
Kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi tha se është e rëndësishme përkrahja e të gjitha subjekteve për këtë çështje. “Do të kërkojmë përkrahje prej të gjitha subjekteve që të japin kontributin e tyre që ta tejkalojmë këtë gjendje”, tha ai.
Pjesëmarrësit në takim u pajtuan se gjendja e punëtorëve në Kosovë është e rëndë dhe udhëheqësit deri më tash nuk u kanë dalë në krah punëtorëve që janë shumicë, por pakicës që janë biznesmenë. Për ta ndryshuar këtë duhet një organizim e mobilizim më i madh shoqëror.