Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zbritje të pagesës prej 50 për qind për studentët e universitetit publik për studimet bachelor dhe master. E po ashtu edhe për zbritje të pagesës prej 50 për qind për studentet që ushqehen në menzë dhe për ata që jetojnë në konvikte.
Kryeministri Thaçi në mbledhjen e qeverisë pohoi se vendimi është marrë pas konsultimit me ministrin Buja dhe duke marrë parasysh nevojën për lehtësim dhe krijimin e kushteve sa më të mira për 60 mijë studentë të universitetit publik.
“Derisa kemi bërë rritje të pagave për profesorët, po bëjmë edhe zbritje prej 50 për qind për studentë bechelor, master, menzë dhe konvikte. Kjo zbritje do t’i ndihmojë studentët dhe familjet e tyre. Ky vendim hyn në fuqi nga maji i këtij viti”, tha ai.