(2LONLINE) – OJQ “Fortesa” ka nisur një fushatë avokuese që ka për qëllim të ndikoj tek organet vendimmarrëse të ndërmarrin veprime drejt përmirësimit të gjendjes në shëndetësi, rritjen e numrit të mjekëve dhe organizimin e mirëfilltë të këtij sektori. “Fortesa” ngre shqetësim edhe për mungesën e mjekëve në viset rurale, aparaturat e amortizuara dhe furnizimin e pamjaftueshëm me barna esenciale.
Amir Jakupi, monitorues në projektin që menaxhohet nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka deklaruar se sektori i shëndetësisë nuk ka qenë asnjëherë prioritet i qeverive të Kamenicës.
“Në çdo raport e vlerësim, thuhet se popullata e Kamenicës është pak e kënaqur me shërbimet shëndetësore që i ofrohen. Ka nevojë për njerëz profesionistë e të vullnetshëm që të emërohen në krye të institucioneve shëndetësore, ka nevojë për strategji e politika që do ta përmirësonin cilësinë në këtë sferë.
Jakupi ka thënë më tej se mungesa e mjekëve nëpër fshatrat e Kamenicës është shqetësim i vazhdueshëm i banorëve lokalë.
“Njerëzit kanë nevojë për ujësjellës e kanalizim, rrugë e trotuar, por shëndeti është mbi të gjitha. Situatë më problematike ku pos mjekut mungon edhe motra medicinale tash e disa muaj është fshati Krilevë. Pa infermierë e punëtorë ndihmës është edhe Tugjeci, Lisocka, Poliçka e Desivojca. Edhe atje ku thuhet se funksionojnë ambulantat, ka mjaftë probleme. Oraret e vizitave nuk respektohen nga personeli shëndetësor. Institucionet komunale duhet t’i marrin parasysh këto vërejtje dhe të merren urgjentisht me këtë problematikë”, ka theksuar Amir Jakupi.
Ai ka thënë se në ditët e ardhshme do të takohet me krerët e Komunës dhe përgjegjësit e sektorit të shëndetësisë, ku do tua paraqes broshurat dhe do të ofrojë alternativa për zgjidhjen e këtij problemi. /2lonline/