Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, është shprehur i bindur se formimi i qeverisë nga koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-NISMA në krye me Ramush Haradinajn është punë e kryer dhe kanë mbetur vetëm procedurat.
Ai ka thënë për Epoka e Re, se formimi i qeverisë nga koalicioni LDK-AAK-NISMA do të bëhet në fazën e dytë, pasi herën e parë, Hashim Thaçi nuk do të mund ta formojë qeverinë.
Ai ka hedhur poshtë mundësinë që AAK-ja t’i bishtnojë marrëveshjes me LDK-në dhe NISMËN për Kosovën.
Sipas tij, për jetësimin e qeverisë së drejtuar nga Haradinaj nuk do të jetë problem as posti i kryeparlamentarit i cili, po ashtu, do t’i takojë koalicionit paszgjedhor.
Ramadani ka thënë se, pavarësisht faktit se nuk ka arritur të bëhet deputet edhe për një mandat, angazhimi i tij do të jetë edhe më tutje në të mirë të qytetarëve dhe fuqizimit të shtetit të Kosovës.