Qeveria e Republikës së Kosovës ka përmbyllur me sukses Ankandin e radhës të Letrave me Vlerë KV011-17, ku u ofertua Obligacion Qeveritare me maturim 5 vite, në vlerë nominale 15 milion euro. Fondet e huazuara nga ky ankand -sipas kalendarit do të përdoren për mbështetje buxhetore.
Në këtë ankand, tregu shfaqi kërkesë për blerje në vlerë prej 23.05 milion euro, kurse ne pranuam vetëm shumën e shpallur paraprakisht e që është 15 milion Euro. Norma e interesit për këtë ankand ishte 1.22% vjetore.
Emetimi i Obligacioneve Qeveritare ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e tregut të brendshëm të huamarrjes shtetërore në njërën anë si dhe në anën tjetër ndikon në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillim ekonomik nga sektori real.
Normat e ulëta nënkuptojnë konkurrencë për investim në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës si rezultat i besueshmërisë së lartë në qëndrueshmërinë fiskale të vendit. Kjo nënkupton kosto më të lirë të huamarrjes, gjë e cila ndikon drejtpërdrejtë në koston e investimeve në projekte zhvillimore.
Blerësit sipas kategorive të obligacioneve Qeveritare të Ankandit KV011-17 janë Bankat me 10.37 milion euro si dhe Fondet e pensioneve: 4.63 milion euro.