(2L ONLINE) – Jo se nuk u hoqën, e jo se nuk u realizua projekti “human” për kapjen dhe sterilizimin e tyre, por në ndërkohë ata (qenët) po pushtojnë edhe hapësira e sheshe të tjera. Lëre që periferia vlon prej tyre, por edhe qendra e qytetit të Gjilanit është pushtuar nga qenët e shumtë endacakë.
Kësaj radhe edhe hapësirën mu para ndërtesës së komunës së Gjilanit! Aty ku ndodhet edhe selia e kryetarit dhe e disa drejtorive komunale duke përfshirë edhe atë të Drejtorisë Komunale për Bujqësi e Pylltari. Pra, mu para selisë e cila do duhej që më seriozisht të merrej me këta qen problematik.
Sepse, nuk është e tepërt të përmendet e të shkruhet edhe një herë së këta paraqesin rrezik publik si dhe trishtim për fëmijët që shkojnë në shkollë e sidomos ata që fillojnë me mësim në orët e para të ditës.
Nuk është përrallë me m’ret, ky është realitet që shëmton edhe imazhin ashtu-ashtu të keq që kemi në sytë opinionit të qytetëruar!
/Xhelil ARIFI /2L ONLINE/