Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore këtë vit në planin e saj të punës ka paraparë mirëmbajtjen, përkatësisht, pastrimin e disa objekteve arkitekturore të cilat janë në mbrojtje të përkohshme, të cilat muret dhe oborret e objekteve janë mbushur me bimësi dhe shkurre.
Sipas planit veprues, fillimisht QRTK ka pastruar bimësinë në objektin e xhamisë në Dunav i cili gjendet në fshatin Dunav në një ambient piktoresk, pranë rrjedhës së një përroi dhe i rrethuar me dru ahu. Pra, janë prerë shkurret dhe ferrat, ndonjë dru më i lartë, është kositur bari dhe i është hedhur preparat për tharjen e tij.
Përndryshe, objekti i xhamisë në Dunav nuk shfrytëzohet nga komuniteti për kryerjen e ceremonive fetare, për shkak se nuk ka banorë, por edhe ngase është dëmtuar në masë të madhe. Rëndësia e saj është se: ajo është ndërtuar nga Mulla Idriz Gjilani, ka vlera arkitekturore, para LDB në këtë objekt është zhvilluar edhe mësimbesimi, sikundër që është mësuar gjuha shqipe. Ndërsa pas vitit 1946, xhamia ka shërbyer si shkollë fillore.
Po ashtu këto ditë është pastruar edhe oborri i kishës katolike në Dunav. Janë larguar shkurret, është kositur bimësia dhe është hedhur preparat për tharjen e barit.
Kisha Katolike në Dunav është ndërtuar në vitin 1938 dhe ajo është renovuar disa herë dhe tani është në gjendje të mirë, edhe pse në këtë objekt tani nuk mbahen ceremonitë fetare, përveç në ndonjë festë fetare katolike që ndodhë një herë në vit.
Në kuadër të lagjes së Malokëve në fshatin Selishtë, në mbrojtje të përkohshme janë vënë tri shtëpi: e Ukë, Shaban dhe Rahim Malokut.
Edhe në këto tri objekte është parë pastrimi i bimësisë, i shkurreve, ndonjë druri më të lartë si dhe kositja e barishteve në oborre dhe rreth mureve.