Qendra për Arsim në Preshevë (CFE), në vazhdën e aktiviteteve të saja ka realizuar vizitë studimore në Prishtinë dhe Ferizaj për ekipin e saj dhe nxënësit e kursit të gjuhës angleze.
Sipas kumtesës dërguar portalit informativ Titulli.com, nga dita e shtunë, 25 prill, Qendra për Arsim në Preshevë ka vizituar mediumim publik Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Gjatë qëndrimit në ambientet e këtij mediumi, CFE thotë se nxënësit kanë përjetuar emocione pozitive.
“Gjithashtu, nxënësit tanë morën pjesë si mysafir nderi në emisionin “123 Fillo” i cili do të transmetohet ditëve në vijim. Në qytetin e Ferizajit vizituam shkollën private të gjuhëve të huaja – ELS Lind@star, ku u pritëm ngrohtësisht nga ekipi menaxhues i kësaj shkolle. Aty bëmë marrëveshje bashkëpunimi dhe arritëm t’i konkretizojmë projektet lidhur me aktivitetet e përbashkëta”, thuhet në kumtesën e Qendrës për Arsim në Preshevë.
CFE nënvizon se më këtë rast janë njoftuar me tekstet më bashkëkohore për mësimin e gjuhëve të huaja si dhe vizitat dhe ekskursionet nëpër vendet e rajonit, e posaçërisht në vendet ku flitet gjuha angleze.
Kjo qendër ka vizituar edhe disa institucione e ambiente me karakter historik e arsimor. “Vizita të tilla priten të realizohen edhe në të ardhmen”, thuhet në kumtesën e Qendrës për Arsim në Preshevë.