Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka kërkuar drejtësi për viktimat e masakrës së Studimes.
Drejtësi për viktimat e Masakrës së Studimes
Sot përkujtojmë 22 vjetorin e aktit të tmerrshëm gjenocidar, të njohur si Masakra e Studimes, gjatë së cilës u vranë 116 civilë shqiptarë të të gjitha moshave dhe të dy gjinive.
Gjatë zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës, më 2 maj 1999 forcat e armatosura serbe bënë përzgjedhjen dhe ndarjen nga kolona e banorëve të fshatit Studime të Ulët të Vushtrrisë ata të cilët duhej të vriteshin, nga ata që duhej të dëboheshin në drejtim të Shqipërisë.
Në këtë masakër do të veçojmë tragjedinë e familjes Gërxhaliu, sepse shpreh në mënyrë domethënëse atë që ka ndodhur edhe në qindra masakra të tjera anekënd Kosovës.
Vetëm në këtë familje forcat serbe masakruan Salihen (74 vjeçe), djalin e saj Selatinin (49 vjeç), bashkëshorten e Selatinit, Fexhrijen (39 vjeçe) dhe fëmijët e këtij çifti: Sebahudinin (7 vjeç), Muberahen (8 vjeçe), Abdurrahimin (10 vjeç), Mexhitin (11 vjeç), Muharremin (14 vjeç), Shahinin (15 vjeç) dhe Shabanin (16 vjeç).
Fatkeqësisht edhe pse kanë kaluar 22 vjet nga kjo ngjarje e tmerrshme, asnjë kriminel nuk ka dhënë përgjegjësi, ndërkaq Serbia vazhdon të mohojë gjenocidin që ka kryer në Kosovë dhe të merr në mbrojte kriminelë serbë.
Edhe në datën përkujtimore të kësaj tragjedie kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të intensifikojnë angazhimet e tyre për të vendosur drejtësinë për këtë masakër dhe për të gjitha viktimat e zbatimit të planit gjenocidar të shtetit serb kundër shqiptarëve të Kosovës.
BURIMI: https://kosovogenocide.com/drejtesi-per-viktimat-e-masakres-se-studimes/