Qendra më e madhe e fitnesit në vend, “Fivestar Fitness”, sot u hap solemnisht edhe në Gjilan. Nga sot e tutje të gjithë të interesuarit për fitness kanë një adresë edhe në Gjilan pasi kjo qendër do t’ua ofrojë këtë mundësi.
Në hapjen solemne të qendrës ‘Fivestar Fitness’ ishin të pranishëm një numër qytetarësh, sportistë, adhrues të fituesit, përfaqësues institucionesh, në mesin e të cilëve edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, familjarë të dëshmorit Agim Ramadani, dhe mysafirë të tjerë të shumtë.
“Kjo është një prurje jashtëzakonisht e mirëseardhur në Gjilan. Realisht, Fivestar është një nga brendet më të mira në Kosovë dhe më e mira e gjithë kësaj është se pronari I kësaj qendre është bashkëvendës nga Gjilani, është nga Zhegra. Këto ditë shumë ngjarje e përfaqësuan Gjilanin me zhegranët, si rasti i kampionit botëror në boks, Erzenit e të tjera. Uroj që gjilanasit dhe sportdashësit ta gjejnë veten këtu në këtë qendër të fitnesit”, ka thënë nënkryetari Rexhep Kadriu, transmeton 2LONLINE.
Në ndërkohë, pronari i kësaj qendre, Labinot Kadriu theksoi se qendra është e hapur për të interesuar qysh nga nesër dhe bëri me dije se kushtet që ofrohen janë maksimale pasi edhe pajisjet janë të brendit të njohur PRECOR, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe janë prodhim i këtij viti.
Diellza Selishta, e cila prezantoi këtë hapje, në emër të qendrës së fitnesit ‘Fivestar’ tha se për hapjen e qendër së 7-të të këtij brendi janë meritorë edhe bashkëpunëtorët nga Gjilani.
“I falënderojmë të gjithë bashkëpunëtorët nga Gjilani që kanë mundësuar që njëra nga qendrat më të mira në Kosovë, të hapet edhe në Gjilan. Kjo qendër posedon pajisjet më të fundit, prodhim të vitit 2017”, ka thënë Selishta.
Fivestar Fitness në Gjilan mund ta gjeni në kompleksi “Albanica”, Rr.Marie Shllaku, afër Qendër Tregtare “Agmia”. /E.SH/