Partia për Veprim Demokratik (PVD) si dhe Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH), subjekte këto që veprojnë në Medvegjë, kanë arritur marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme lokale në Komunë të Medevegjës.
Në komunikatën e lëshuar nga këto dy parti politike, ndër të tjera thuhet se vendimi është marrë në interes të popullatës shqiptare.
“Duke vlerësuar si nevojë imediate për kohën dhe momentin, e në veçanti për interesat e popullatës shqiptare të Komunës së Medvegjës, arritëm marrëveshje veprimi dhe pjesëmarrje me një listë të përbashkët shqiptare për zgjedhjet e 13 shtatorit 2015, të cilat do të mbahen në Medvegjë”, thuhet në kumtesën e PVD-së dhe UDSH-së, të cilën përcjellë Titulli.com.
“Ftojmë popullatën shqiptare të kësaj komune, e cila fatkeqësisht është ndarë në tri pjesë (në ata që jetojnë në Medvegjë, ata që jetojnë në mërgatë dhe ata që jetojnë si të zhvendosur) të përkrahin dhe të mbështesin këtë veprim të përbashkët në interes të kombit dhe vendlindjes”, shkruan matej kumtesa.
Marrëveshja e arritur mes dy subjekteve, nga 20 gushti do të fillojë me mbështetjen e përkrahësve të kësaj listë me nënshkrime.
Koalicioni i arritur do të quhet “Koalicioni PVD-UDSH për Medvegjën”. Kujtojmë se në këtë komunë të banuar me shqiptarë, përveç dy subjekteve shqiptare që tashmë kanë arrit marrëveshje koalicioni PVD dhe UDSH, që nga 14 qershori i vitit të kaluar është formuar edhe dega e subjektit të ri, Partisë Demokratike.
Zgjedhjet lokale në Medvegjë u shpallën si rezultat i dështimit të disa herë radhazi të mbajtjes së seancës së 25-të të Kuvendit Komunal, ndërsa për të fundit herë më 14 prill të këtij viti, për shkak të mungesës së kuorumit.