Në mbledhjen urgjente të mbajtur me prezencën e kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Riza Halimi, kryesia e Degës së kësaj partie në Bujanoc ka shqyrtuar, me brengosjen më të thellë, situatën aktuale në këtë komunë , pas vdekjes tragjike të tërnocasit Reshat Bajrami në burgun e Vranjës, i arrestuar me akuzën “pjesëmarrës në incidentit e vrasjes së policit Goran Gjorgjeviq”.
PVD, konsideron se ky incident dhe atmosfera e linçimit kolektiv të krijuar ndaj shqiptarëve pas incidentit me pasoja tragjike për policin Gjorgjeviq, akuzat kontradiktore lidhur me rastin konkret, akuzat e paqarta lidhur edhe me vetë Reshat Bajramin, len hapësirë për dyshime të bazuara mbi versionin zyrtar preliminarë të epilogut tragjik të Reshat Bajramit, transmeton Titulli.
“Duke qenë në pritje të versionit zyrtar definitiv të shkaqeve të vdekjes së Reshat Bajramit, por, edhe për të analizuar trendit negative të pozitës së shqiptarëve në këtë rajon, PVD, do të vendosë për hapat e vet të mëtutjeshëm, në mbledhjen e radhës të Kryesisë së përgjithshme”, thuhet në kumtesën e Partisë për Veprim Demokratik, dega në Bujanoc.