Partia për Veprim Demokratik ka reaguar ndaj shënimit të 15 vjetorit të Trupit Koordinues dhe pjesëmarrjes së kryetarëve të komunave në Bujanoc e Preshevë dhe Këshillit Kombëtarë Shqiptarë.
Kjo parti në reagimin e tyre në facebook ka shkruar se në takimin e mbajtur me rastin e 15 vjetorit të Trupit koordinues, ashtu siç kanë deklaruar vetë akterët e takimit „Nuk është folur për problemin e librave“ të “arrestuara”, ashtu siç i quajnë vetë koalicionistët në KKSH.
“Bile bile po del se qenkan akorduar se problemi i librave do të zgjidhet duke respektuar ligjin. E kush e thotë këtë: ata që deklarofshin se „na me çdo kusht librat do t’i sjellim nga Kosova dhe nuk do të pyesim askënd. Po mirë për librat, po pse nuk u fol për deklaratat e Stankoviqit se në Bujanoc na qenkan të „regjistruar 2 mijë 100 vjeçar“ dhe se në regjistrat e ri zgjedhor „nuk do ta përfillin matematikën shqiptare“, thuhet mes tjerash në reagimin e PVD-së.
Sipas tyre hipokrizia më e madhe është thënë në deklaratën e kryetarit të Preshevës se „kjo qeveri nuk po e dëgjon as Trupin koordinues“, thua se ky institucion ka paraqitur së paku një plan në të mirë të shqiptarëve.
“Ragmiu po ja bajka gajlen Trupit koordinues. Ky i Bujanocit, sikurse zakonisht, në temat e nxehta politike nuk përzihet, sepse, siç di ta thotë vetë „nuk hahet me budallallëqe“, është shkruar në reagimin e Partisë për Veprim Demokratik.
PVD ka nënvizuar se për hirë të korrektësisë duhet thënë se i vetmi nga partnerët koalicionit që ka vepruar drejt është Jonuz Musliu, së paku nuk ka dashtë me prezentu në një farsë politike të organizuar për të na hedhur pluhur syve.