Deputeti popullorë në parlamentin e Serbisë, Riza Halimi gjatë një bisede për Titulli.com ka folur për gjendjen e vështirë politike, përgatitjet për zgjedhjet brenda PVD-së si dhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vitin 2016.
Ai tha se partia e tij ka kërkuar zgjedhje edhe për Këshillin Kombëtar Shqiptar sepse është bërë diskriminim nga ana e ministrisë për pushtet lokale që ka zvogëluar numrin e anëtarëve të KKSH-së nga 29 në 15 anëtar.
Halimi tha se duhet të krijojmë struktura rajonale dhe se brenda PVD-së përgatitjet janë duke u bërë në mënyrë serioze.
“Pozita e rëndë që është në Bujanoc e Preshevë ndërsa Medvegja është problem shumë më specifik, e ka të domosdoshme projektin për shpëtim që sigurisht kapacitetet i ka PVD dhe në këtë drejtim po bëhen të gjitha përgatitje që në zgjedhjet e prillit me optimizëm ta presin një projekt të tillë që do ta nxjerrë Luginë nga kriza e madhe që aktualisht e kemi”, theksoi deputeti Halimi.
Ndërsa lidhur me pyetjen se a do të dihet kandidati për kryetar të Preshevës, Halimi tha se pret që kandidatët të prezantojnë projektet e tyre brenda anëtarëve dhe njëherë ata të bindin kryesinë e partisë e pastaj elektoratin.
“Përgatitjet janë bërë në pushtetet lokale dhe ky është konstruksioni për zgjedhje brenda partisë”, deklaroi Halimi.
Partia për Veprim Demokratik është parti opozitare në pushtetin lokal në Bujanoc e Preshevë ndërsa në parlamentin e Serbisë përfaqësohet me dy deputet popullorë.