/2L ONLINE/ – Fehmi Sylejmani,anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtar i Komitetit të Arsimit, ka thënë se shtyrja e shpeshtë, vazhdimi i afatit të konkursit dhe së fundi, asnjë arsyetim për vazhdim të mëtutjeshëm të konkursit për zgjedhjen e drejtorëve dhe të zëvendësdrejtorëve tё disa institucioneve edukativo-arsimore dhe aftësuese nga Drejtoria Komunale e Arsimit nё Gjilan, është e pajustifikueshme, e paligjshme dhe puro politike-partiake, sikundër e pakuptueshme, gjë që po del se politika ditore po mban peng zgjedhjen e tyre, duke krijuar një papërgjegjësi totale.
Sipas tij, në asnjë mënyrë nuk mund të justifikohet prolongimi kaq i madh i zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve tё disa institucioneve edukativo-arsimore dhe aftësuese të komunës së Gjilanit. S’do mend se e gjithë kjo zvarritje e kësaj forme të moszgjidhjes së këtyre udhëheqësve të disa shkollave ka të bëj me mos-aftësinë e duhur të kësaj qeverisje lokale, sepse nuk mund të japin asnjë arsyetim korrekt, profesional dhe adekuate, se çka në të vërtetë është ka ndodh me këtë “fenomen” të mos-emërimit të drejtuesve të shkollave.
“Mendojmë se këtu kemi të bëjmë me çështje të pastër politike-partiake dhe që rrjedhimisht të dërgon në shkelje të dispozitave ligjore. Ndonëse me kohë është shpallur konkursi dhe sipas kritereve të parapara me ligj kanë aplikuar konkurrues të ndryshëm, si kundër që janë mbajtur edhe intervista, megjithatë nuk kemi asnjë vendim se cilat janë arsyet e moszgjidhjes së cilit do qoftë drejtor në konkursin e shpallur për këtë kategori të arsimit. Aq me keq së fundi nuk kemi as vazhdim të konkursit apo anulim, mbase sipas U. A , me numër 08/2014 të nenit 2, pika 7, ku thuhet se nëse brenda 45 ditëve nuk bëhet zgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve tё disa institucioneve edukativo-arsimore dhe aftësuese, atëherë DKA rishpall konkurs të ri. Andaj kërkojmë nga organet relevante të arsimit, por edhe të vetë kreut të komunës që në afatin e paraparë me ligj të zgjidhen udhëheqësit më të mirë të mundshëm të këtyre institucioneve arsimore dhe të jenë transparent në vendimet e tyre”, ka thënë Sylejmani.
Ai shtoi se sipas konkursit për plotësimin e vendeve të lira të punës, të shpallur nga DKA , e që ishte publikuar në faqen zyrtare të komunës më 19 janar të këtij viti, vendet e kërkuara kanë qenë në këto institucione:
Shkolla Fillore e Mesme e Ulëta “Musa Zajmi” në Gjilan: Drejtor ( rishpallje) dhe Zv.Drejtor, Shkolla “ Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë, pozita : Drejtor
Institucionet Parashkollore – Çerdhet ,
I- IP “ Integj” në Gjilan, pozita: drejtor dhe
-II- IP “Ardhmëria II” në Gjilan, Pozita : Drejtor
Shkollat e Mesme të Larta
-I- Shkolla e Mesme e Lartë e Agrobiznesit “Arbëria ” në Gjilan, Pozita : Drejtor
Nebih Latifi, profesor i kimisë në shkollën e mesme teknike dhe njëherësh anëtar i Nënkomitetti të Arsimit në Lëvizjen Vetëvendosje , ka thënë se me ardhjen në pushtet të lëvizjes vetëvendosje, vendimet e paligjshme do të anulohen, shkelësit e ligjit do të sanksionohen
“Ditëve të fundit, një tjetër defekt ligjor është bërë në drejtorinë e arsimit në Gjilan me rastin e zgjedhjes së zyrtarit për shkolla të mesme. Sipas mendimit tonë në tri raste janë shkelë dispozitat ligjore, si kundër edhe një ka të bëj më çështje politike. Komisioni Zgjedhor, ka qenë i paligjshëm, sepse nga përbërja prej 5 anëtarëve, 4 prej tyre duhet të jenë me pozita më të larta se sa kandidati që i nënshtrohet vendit përkatës të punës , ndërkohë që në përbërjen e Komisionit Zgjedhor që ka bërë këtë lloj zgjedhje kemi dy drejtor shkollash, që konsiderohen se janë pozita nën nivelin e zyrtarit të lartë për shkolla të mesme dhe një zyrtar i së njëjtës pozitë. Vetëm dy kanë qenë sipas normave ligjore, që i kanë plotësuar kushtet”, ka thënë tutje Latifi.
Sipas tij, përvoja e punës nuk përkon me përvojën e kërkuar sipas kritereve që janë kërkuar në konkurs. Shkollim jo adekuatë për këtë pozitë, gjë që mendojmë dhe konsiderojmë thellësisht se kjo është shkelje drastike e ligjit. Përzgjedhja ka qenë në rrafshin politik, sepse kemi të bëjmë me një kandidat që është në pozitë të lartë në strukturat e partisë në pushtet.
“Duke i marrë për bazë vërejtjet e mësipërme, që sipas neve janë shkelje ligjore kërkojmë nga DKA dhe organet tjera komunale, që ky vendim i këtij Komisioni Përzgjedhës të anulohet, sepse kemi të bëjmë me një përzgjedhje jashtëligjore. Në të kundërtën Ju bëjmë me dije çdo kujt, qoftë personave fizik, qoftë atyre juridik, se zgjedhjet e tilla jashtëligjore, me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje!, do të anulohen dhe shkelësit e ligjit do të sanksionohen”, ka thënë Latifi i Vetëvendosje. /2L ONLINE/