Konfuziteti i krijuar në seancën e djeshme të Kuvendit komunal në Bujanoc, nga ana e kryetarit të Kuvendit, Jonuz Musliu, por edhe në tërësi sjellja konfuze e përfaqësuesve shqiptar të shumicës në pushtet, mungesa e sensit më të vogël të përgjegjësisë që në organin më të lartë të komunës të debatohet për çështjet me interes për popullatën shqiptare, siç është përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, ishin arsyet kryesore pse këshilltarëte PVD-së e lëshuan seancën e të mërkurës në Kuvendin komunal.
Dega e PVD-së në Bujanoc, konsideron joserioze dhe tendencë për shmangjen e përgjegjësisë për fillimet e krizës eventuale në pushtetin lokal në Bujanoc, pikërisht nga shumica shqiptare në pushtet e cila për çdo ditë po dëshmon se interesi i saj i vetëm është vetëm mbrojtja e interesave të ngushta grupore dhe klanore. Pse fillimish u refuzua kërkesa e këshilltarit serb, e më vonë ajo u pranua edhe në rrethana kur ai braktisi Kuvendin, është e qartë vetëm për pushtetmbajtësit shqiptarë, por, jo edhe për opozitën dhe qyetarët e tjerë, transmeton Titulli.
Mungesa e guximit me u ballafaquar për të vërtetën rreth një iniciative qoftë edhe me partnerët e koalicionit, mungesa e guximit që në emisione televizive me u ballafaqu me argument me opozitën, kërcënimet që i dërgohen mediumeve për ndërprerjen e këtyre emisioneve debative, mungesa e çfarëdo vizioni për të çuar përpara kërkesat legjitime të shqiptarëve, lojat perfide të bashkëpunimit me prokurorinë për ndjekjen e përfaqësuesve të PVD-së, janë karakteristika të vazhdueshme të pushtetarëve aktual shqiptar.
Dega e PVD konsideron jo serioze dhe manipuluese tendencat e përfaqësueve të caktuar të shumicës shqiptare në pushtet për bashkpunim dhe unitet për vendime që përjashtojnë elementet e identitetit kombëtar shqiptar. Me PVD-në nuk mund të kërkohet të ndërtohet unitet në veprim për zgjidhje që përjashtojnë përfshirjen e emërtimit “Skendërbej” për Sheshin e Bujanocit. Sidomos këtë unitet të rrejshëm nuk kanë të drejtë morale ta kërkojnë ata që me shkresa, në të kaluarën e tyre të “lavdishme” kanë kërkuar përjashtimin e shqiptarëve nga puna vetëm e vetëm se janë anëtarë të PVD-së.
Megjithatë, PVD shpreh gatishmërinë që për secilën çështje, e cila ka të bëjë me kërkesat legale dhe legjitime të shqiptarëve e që nuk janë thjeshtë kërkesa të ngushta klanore dhe grupore, të japë kontributin e vet konstruktiv. Me asnjë veprim të vetin PVD dhe këshilltarët e saj nuk kanë kontribuar në krijimin e konfuzitetit në seancën e Kuvendit komunal të mbajtur të mërkurën më 29 prill. Përgjegjësia për konfuzitetin e krijuar është vetëm e kryetarit të Kuvendit dhe e shumicës shqiptare në parlament. Fundja, vllaznillëku i imponuar përfundon gjithmonë me ndërskamca.
Kryesia e Degës së PVD-së