Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe njëherit edhe deputet popullorë, Riza Halimi përmes një deklarate për media ka theksuar se pushtetet lokale nuk kanë qëndrime të qarta për zgjidhjen e problematikës së mediave publike dhe aplikimin e ligjeve të reja mediale.
Ai ka theksuar se Kuvendi Komunal i Preshevës në seancën e saj të kaluar e kishte në rend të ditës vendimin mbi modelin dhe metodën e privatizimit të Ndërmarrjes Publike Informative “Presheva”, ku ishte paraparë që privatizimi të bëhet nëpërmjet modelit të shitjes së kapitalit.
Halimi në deklaratën për media thotë se informimi publik në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës aktualisht gjendet para sfidave shumë të ndjeshme, mirëpo është për çudi fakti që në takimin e fundit kryetarët e Preshevës dhe Bujanocit si dhe kryetari i Këshillit Nacional Shqiptarë dolën me konceptin e formimit të mediumit të ri me anë të KNSH njëkohësisht duke shprehur brengosjen e tyre të pakuptueshme se me këtë variant krejtësisht ligjorë do të rrezikohet informimi në gjuhën serbe, është shprehur Halimi.
Sipas tij në debatin e organizuar nga ana e Ministrisë së kulturës dhe informimit dhe Trupit koordinues me temë “Aplikimi i ligjeve të reja mediale në praktikë” u potencua edhe problemi shumë serioz i mungesës së informimit në gjuhën shqipe në mediumin publik qendrorë në RTS, që gjithashtu duhet të zgjidhet sa më shpejtë në formën dhe kapacitetin adekuat.
“Natyrisht programi në gjuhën shqipe në RTS duhet ta plotësojë e jo ta zëvendësojë informimin publik në gjuhën shqipe në nivel lokal dhe rajonal, ashtu siç gabimisht e ka interpretuar RTV Presheva në lajmet e saj”, thuhet mes tjerash në deklaratën e Riza Halimit.
http://titulli.com/index.php?m=post&s=10342