(2L ONLINE) – Banorët e rrugës “Idriz Seferi” në Gjilan tashmë nuk do të përballen me problemin e ujit të pijshëm ngase Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, ua ka rregulluar rrjetin e ujësjellësit më shumë se 300 metra gjatësi, thanë të premten drejtues të Drejtorisë për Shërbime Publike..
Problemi kryesor ka qenë se puset e banorëve të kësaj lagjeje kanë kundërmuar me erë të naftës, ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike Sokol Haziri u shpreh i lumtur që është zgjidhur ky problem.
Ai pohoi se kur e kanë parë gjendjen kritike në të cilën ndodhen këta banorë, në mënyrë urgjente kanë intervenuar dhe ua kanë zgjidhur këtë problem të ujit.
“Në bazë të kërkesës së qytetarëve të kësaj lagjeje, në rrugën “Idriz Seferi”, kemi bërë rrjetin e ujësjellësit që për këtë pjesë po bëhet për herë të parë. Deri tash kanë pasur problem me ujin e pijshëm, pasi janë shfrytëzuar puset që i kanë pasur këtë qytetarë, kanë kundërmuar naftë dhe këtë problem do të duhej ta zgjidhte Ministria e Ambientit”, ka thënë drejtori Haziri.
Drejtori i Shërbimeve Publike konfirmoi se me të tilla projekte në shërbim të qytetarëve Komuna do të vazhdoj, duke iu përgjigjur kërkesave të tyre.
“Është bërë një zgjidhje për këta banorë sepse ka qenë e pakuptimtë për neve se si kjo pjesë të mbetet kështu deri në ditët e sotme. Është bërë një shërbim i drejtpërdrejt që përfitues janë qytetarët. Me këto projekte do të vazhdojmë nga kodi i projekteve të vogla, dhe i përgjigjemi kërkesave të qytetarëve për rrugë, ujësjellës, kanalizim dhe shërbime të tjera”, është shprehur ai. /2L ONLINE/