Para sa ditësh u morr vendim qeveritar për të bërë shtatoren e veprimtarit famëmadh, të paepurit, të papërkulurit, të pa shembullit, shqiptarit më të madh në mesin e të mëdhenjve bacës Adem Demaçi.
Nga: Gani NEZIRI
Mbështetur në këtë vendim edhe u hap konkursi publik, në të cilin pritet të ketë konkurrues me vlera të mëdha artistike në lëmin e skulpturës. Tani, është bërë publike edhe salla edhe data e fundit e dorëzimit të bucetave më 17 korrik ’19. Po ashtu, edhe komisioni vlerësues-përzgjedhës do ta bëjë vlerësimin dhe kryen përzgjedhjen po këtë ditë.
Kujtoj se, me të drejtë mund të shtrohet pyetja për kombinimin e komisionit përzgjedhës?! E mira e gjithë të mirave do të ishte që Komisioni të këtë në përbërje njerëzit më të përgjegjshëm që njohën karakterin e bacës Adem, figuracionin e tij fizik, vijën e punës profesionale skulpturale dhe përfaqësuesin qeveritar.
1. I biri i tij, Shqiptar Demaçi, si pjesë e gjakut dhe e karakterit familjar të Bacit.
2. Shoqëruesi i shumëvjeçar i Bacës, Xhelal Pakashtica i cili, më mirë se kushdo tjetër në Kosovë i njeh vijat fizikale më të imta të bacë Ademit.
3 dhe 4. Dy artistë të zot të lëmisë skulpturale nga Akademia e Arteve që vlerësojnë vijat e punës artistike dhe
5. Një përfaqësues qeveritar politik nga Ministria e Kulturës.
Kujtoj se, kjo përbërje është kombinimi më i mirë i Komisionit vlerësues-përzgjedhës që do të mënjanonte “të gjitha” dilemat për të qenë në nivel të detyrës.