/Punimin ia kushtoj babait tim të ndjerë, Zahir Tafilit, i cili e ushtroi këtë zeje me dashuri artisti/ – /Është lexuar në Konferencën për Trashëgimi Kulturore në Preshevë/
Fshatrat e Malësisë së Bujanocit, të cilat që nga viti 1999 kanë mbetur pothuajse të zbrazura, para pak vitesh kanë qenë të banuara dendur me popullsi shqiptare. Këto fshatra, përveç natyrës së bukur që ua ka falur perëndia, pasurive mbitokësore e nëntokësore, një veçori tjetër që e karakterizon është trashëgimia e pasur kulturore materiale dhe shpirtërore.
Malësisë së Bujanocit i përkasin fshatrat që shtrihen në pjesën veriore të qytetit të Bujanocit, siç janë: Priboci, Zarbica, Suharrna, Novosella, Ramabuqa, Gjergjeci, Qarri, Muhoci, Bilinica, Breznica e Malternoci. Në kuptimin e jetës që bëjnë dhe mentalitetit krijues, të ngjashme dalin edhe fshatrat që janë pjesë e Kosovës si: Laçiqi, Sotllari, Kranidelli, Velegllava, Desivojca, Tërstena etj.
Por, në literaturën gjuhësore dhe etnografike, disa prej këtyre fshatrave njihen me emërtimin Hashani. Për më saktë, Hashaninë e përbëjnë këto fshatra: Priboci, Zarbica, Suharrna, Novosella, Ramabuqa, Gjergjeci, Qarri, Sotllari e Kranidelli (Harta 1).
Një përshkrim panoramesk shpërfaq një jetë të zorshme politike në këto troje etnike, bashkë me jetën ekonomike, e cila karakterizohet me bujqësi e blegtori të detyrueshme. Për një jetë më të mirë, shumica e banorëve të kësaj ane ishin punëtorë të zotë në fushat e Banatit, ndërsa të tjerët u morën me mjeshtri të ndryshme, si mjeshtër të ndërtimit të shtëpive me gurë e dru, mjeshtër të punimit të mjeteve bujqësore, elementeve të kuzhinës, veglave muzikore etj. Një nga zejet që e bënte dallimin në raport me viset tjera shqiptare ishte punimi i nallaneve- nalleve ose papuçeve prej druri.
Ç’është e vërteta, këtë zeje e zhvillonin mjaft familje të Hashanisë, ndoshta edhe pse nuk kishin mundësinë të merreshin me diçka tjetër. Po, atë që ua fali natyra, drurin pra, ata e shfrytëzuan më së miri, për të përfituar mjete financiare, me të cilat blinin prodhime që nuk mund t’i prodhonin vetë. Megjithatë, do duhej konstatuar se përfitimet e tilla u ndihmonin vetëm të mbijetonin, assesi nuk bëhej fjalë për mundësinë e kamjes së tyre.
Zeja e nallanexhinjve në Malësinë e Bujanocit
Zeja e nallanexhinjve në disa fshatra të Malësisë së Bujanocit ishte mjaft e përhapur pas Luftës së Dytë Botërore, posaçërisht te gjeneratat e viteve 60-70 e 80 të shek. XX. Se sa e vjetër është kjo zeje, është vështirë të thuhet, po se kishte një traditë, këtë e dëshmon në radhë të parë angazhimi jo i pak familjeve që janë marrë me këtë zeje. Pastaj, puna e mirë dhe dekorimi artistik i nallaneve.
Për këtë zeje të kultivuar në disa fshatra të Malësisë së Bujanocit, nuk mund të gjenden shkrime të kësaj natyre, ose mund të jenë tejet të rralla, siç mund të thuhet për njohjet që na i ofron Drita Statovcit, në shkrimin ”Zeja e nallanexhinjve në Kosovë“, ku është përmendur një zejtar me prejardhje nga Ramabuqa, Reshit Salihu, i cili ka jetuar në Gjilan e që nallanet i ka punuar në shtëpi .
Drita Statovci, po ashtu, në punimin e saj, kur flet për të kaluarën e kësaj zeje, ndër të tjera thotë: ”Edhe ato të dhëna të pakta nuk qojnë më larg se fundi i shek. XIX e fillimi i shek XX” . Pra, ajo që u tha më lartë mund të themi se, edhe në fshatrat e Malësisë së Bujanocit kjo zeje përkon dhe është vazhdimësi e të njëjtës kohë të zhvillimit të kësaj zeje në Kosovë.
Ç’është e vërteta, në Malësinë e Bujanocit janë tri fshatra që e bëjnë diferencën për sa i përket kësaj zeje: Priboci, Ramabuqa e Zarbica. Por, ajo që e bën edhe më interesante dashurinë që kishin mjeshtërit e ndryshëm për këtë zeje ishte vullneti dhe dëshira e tyre për ta fuqizuar si punishte të organizuar. Kështu kishte ndodhë pas LDB, kur Meti i Muratit nga Priboci, si nismëtar, kishte ndikuar tek të tjerët që të themelohej një punishte, tip fabrike, në fshatin Zarbicë, ku do të punoheshin nallane të ndryshme .
Më vonë, një nga zanatlinjtë e kësaj treve, Reshit Salihu nga Ramabuqa, do të hapë një dyqan në Gjilan, ndërsa gjithë të tjerët punën e bënin në shtëpitë e tyre. Ata ishin të detyruar që vetë t’i shisnin nëpër pazare qytetesh të ndryshme, si në Bujanoc, Preshevë, Vrajë, Gjilan, Kamenicë, bile edhe në Shkup, Manastir, Veles, Prilep, Surdulicë e Nish, e ndonjëherë edhe në Bosnje (Bijelinë, Tuzëll, Sarajevë, Foçë etj.).
Disa prej tyre ishin bërë edhe tregëtarë nallanesh. Si tregtarë më të njohur kanë qenë Metali Pajaziti nga Ramabuqa, (Metaliu ka qenë edhe nallanexhiu i parë i këtyre fshatrave, kështu thotë Halil Salihu i Ramabuqës), pastaj Hamdi Fetahu, Haki Fetahu nga Priboci, Rufat Rexhepi nga Ramabuqa, Asllan Berisha nga Zarbica etj.
Siç na tha Faik Fetahu, në kohën kur punonte babai i tij, Hakiu, nallanexhinjtë e fshatrave të Malësisë së Bujanocit, përkatësisht të fshatit Ramabuqë, Priboc e Zarbicë, e furnizonin tregun e këtyre qyteteve që i përmendëm më lartë e më gjerë.
Zakonisht, nallanet punoheshin brenda javës, dhe në mbarim të saj, i priste pazari i akëcilit qytet. Ishte një kohë kur kishte kërkesa të mëdha për këtë mall, e zanatlinjtë e Hashanisë ditën ta shfrytëzojnë. Edhe sot, që kanë ndryshuar zanatet, popullata e Hashnaisë ka ditur t’u përshtatet zhvillimeve në këto kohë të reja, sa ka mjaft nga ta, që kanë zanate nga më të ndryshmet.
Përpos grave dhe vajzave, nallanet i përdornin edhe meshkujt. Ndërsa, druri më i përshtatshëm për punimin e tyre ishte ahu, që njëkohësisht ishte edhe i qëndrueshëm, edhe me bollëk në trevat e Hashanisë. Janë tre tipash nallanesh të punuara në këtë rajon: gandet, tekërdiat dhe nallanet me pragje.
Gandet kanë qenë më të holla, më të rrafshëta dhe i kanë bartur meshkujt, ndërsa tekërdiat kanë qenë më të larta dhe i kanë bartur femrat, sikurse edhe nallanet me pragje, të cilat i kanë pasur nga dy take, e në mes kanë qenë të hapura, që gjithashtu i kanë bartur femrat e shumë pak meshkujt.
Më vonë disa nallanexhinj, (familjet e tyre) u shpërngulën në Gjilan, Bujanoc e Kumanovë e në ndonjë vend tjetër, dhe aty vazhduan zejen e tyre, por përsëri e ushtronin në shtëpitë e tyre, përveç Haki Fetahut i cili, në fillim, një kohë të shkurtër e kishte një punëtori të veçantë nallanesh në Gjilan. Ai dhe Reshit Salihu kishin blerë mjete të avancuara për zhvillimin e kësaj zeje. Tanimë, në vend të sharrave të dorës, ata përdornin sharrat elektrike. Me to, edhe ishte lehtësuar puna, edhe ishte rritur sasia e prodhimit të nallaneve.
***
Nallanexhinjtë e kësaj treve, lëndën e parë, përkatësisht drurin e kishin afër shtëpive të tyre, pasi vendi ishte kodrinor- malor dhe me një lartësi mbidetare 800-1300 metra. P. sh. Priboci, Zarbica, Sotllari e disa fshatra të Kosovës e merrnin drurin, zakonisht, te Guri i Zi, te Fusha e Gatë, te Skuta, në Përzhallë etj. që ishin pronë shoqërore. Ramabuqa me dru furnizohej nga mali Sharen, nga Shën Ilia (Sitilia) e ndonjë mal tjetër për rreth. Po ashtu kishte edhe male më të vogla private që kishin dru të mirë për nallane. Druri më i mirë ishte i Gurit Zi.
Zarbica pjesët e qara i quanin COPANKA, ndërsa Priboci e Ramabuqa i quanin QERSHIVE.
Copanka apo qershivja latohej (gdhendej) apa rrafshohej me sëpatë në të katër anë në formë katërkëndëshi me dimensione, zakonisht, 10-12 x 5-6 cm.
***
Për punimin e nallaneve, veç drurit si materiali kryesor, përdoreshin edhe materiale të tjera, si: baskia të vogla, rripa prej lëkure. Për dekorim përdorej kryesisht ngjyra e kuqe, ajo e verdha, e rrallë herë e gjelbra. “Dekorimi anash nallaneve ruante traditën dardane të dekorimit me instrument të dhëmbëzuar, në trajtë katrorësh të imët. Mjeti kishte trajtë vule, që përputhet kushtimisht me formën e instrumentit të zbuluar më 1995 në Rahovicë të Preshevës, kur u dëshmua se instrumenti i tillë nuk kishte trajtë rrotullëze, por trajtë vule” .
Rripat e ngjyrën i blinin në qytete, zakonisht në Shkup e Nish. Shpesh në vend që t’i blinin me para, ata i ndërronin me nallane.
Për të punuar nallanet, zejtarët kanë përdorur një numër të konsiderueshëm të veglave të metalta, nga më të ndryshmet, të cilat ishin të thjeshta – mekanike. Disa nga këto vegla i kanë rregulluar te farkëtari disa i kanë blerë, e ndonjë vegël prej druri e kanë punuar edhe vet.
Në hulumtimet që i kam bërë, në Gjilan dhe Bujanoc, kam takuar zejtarë-nallanexhinj që janë gjallë dhe disa nga të gjeneratës pasuese të nallanexhinjve. Nga ata kam marrë informata, përafërsisht, për numrin e nallanexhinjve, të Hashanisë, përkatësisht të fshatrave të Malësisë së Bujanocit. Natyrisht se ishte pak vështirë, pasi numri më i madh i zejtarëve të vërtetë kanë vdekur para luftës së fundit në Kosovë.
Disa që janë gjallë e që janë shpërngulur në Kosovë, gjegjësisht në Gjilan, e kanë ndërprerë zejen e nallanexhinjve dhe janë marrë e merren me punime tjera prej druri si: bishta të sëpatave, shatave, kosave, pastaj djepa, sofra, holluese etj.
Sot, pra, asnjë njeri nuk ushtron zejen e nallanexhinjve, megjithatë po i përmendi disa nga zejtarët -nallanexhinj të fshatrave të Hashanisë, përkatësisht disa fshatrave të Malësisë së Bujanocit.
RAMABUQË:
Metali Sali Pajaziti i lagjes së Pajazitëve. Ka vdekur para luftës së fundit në Kosovë. Thuhet se ishte zejtar i parë i këtij fshati. Metaliu më pak ka punuar vet e më shumë i ka blerë prej nallanaxhinjve tjerë të fshatit të tij, të Pribocit etj. Më pas i ka shit në Bujanoc, me pakicë. Më së shumti ka blerë prej Zahir Tafilit, sepse ai i punonte nallanet më të mira. Dhe siç thonë, edhe sot disa nallanexhinj, këto nallane shiteshin të parat në treg, ndërsa ato që i punonte vet Metaliu, shiteshin më pak e atëherë kur nuk kishte të tjera.
Ahmet Raqipi, i lindur, më 1934. Një kohë edhe pas shpërnguljes në Gjilan është marrë me punimin e nallaneve. Tani nuk punon më. Djemtë e tij nuk e kanë vazhduar zejen e tij.
Ramadan Sylejmani i lindur, më 1939, ka punuar nallane deri në përfundimin e luftës së fundit në Kosovë. Pasi është shpërngulur në fshatin Kuvcë të komunës së Gjilanit nuk ka punuar më nallane, por është marrë e merret edhe sot me punimin e bishtave llojesh të ndryshme, grabuja, sfurqi e vegla tjera prej druri të cilët i shet në tregun e Gjilanit e shpesh vijnë e ia marrin në shtëpi. Ka një punëtori të vogël në shtëpinë e vetë.
Shaban Azizi, ka punuar nallane edhe pas shpërnguljes në Gjilan. Ka lind, më 1917, ndërsa ka vdekur, më 2017. Pra ka jetuar 100 vjet.
Fejzi Raqipi, vëllai më i ri i Ahmetit. Tani nuk merret me nallane, por ka një punëtori të vogël në shtëpi për punimin veglave tjera prej druri.
Sali e Hafiz Salihu.
Reshit, Salihu (ka vdekur). I vetmi që ka pasur dyqan shitjeje në Gjilan.
Rufat Rexhepi, nuk ka punuar nallane, por i ka blerë prej të tjerëve me shumicë (tyxhar) dhe i ka shitë nëpër tregje të ndryshme.
Mustafë, Hajriz e Xhemail Salihu
Xhemail Limani
Sadri Ramadan Sylejmani
Muharrem Rexhep Syla
Qemal Ramiz Syla
Shaban Osmani
Nevzad e Raif Abazi
Remzi Raqipi
Feriz, Raif, e Rexhep Azizi
Shaip e Shaban Kadriu
Qazim Salihu.
(Gjithsej, për momentin të evidentuar, 26 zejtarë)
PRIBOC
Zahir Tafili (1921-2006), lagja e Kekajve, fisi Krasniq. E kemi thënë edhe më lartë, nallanet e tij i shin më të mirat në tërë trevën. Pas shpërnguljes në Gjilan, nuk është marrë me zejen e nallaneve. Ai ka punuar edhe çiftelia.
Nezir Haziri (ka vdekur), fisi Thaçi,
Ramiz Abdullahu (1926), fisi Thaçi,
Shaban Ferat Sopi (ka vdekur), lagja Vrenezaj nga fisi Sopi,
Kadri Murat Fetahu (ka vdekur), lagja Vrenezaj nga fisi Sopi,
Haki Fetahu (ka vdekur), lagja Vrenezaj nga fisi Sopi,
Hamdi Fetahu, (ka vdekur). Ka punuar nallane edhe pas shpërnguljes në Bujanoc, lagja Vrenezaj nga fisi Sopi,
Met Murat Fetahu (ka vdekur), lagja Vrenezaj nga fisi Sopi,
Shaqir Fetahu (ka vdekur), lagja Vrenezaj nga fisi Sopi,
Sadik Shaqiri (është gjallë), lagja Vrenezaj nga fisi Sopi,
Baftjar Selmani (është gjallë), lagja Vrenezaj nga fisi Sopi,
Smajl Ali Krasniqi (ka vdekur), lagja Kekaj i fisit Krasniq,
Liman Azemi, (ka vdekur), lagja Kekaj i fisit Krasniq. Të afërmit e ti j rrëfejnë se nallanet i ka bartur në krahë deri në tregjet e kohës.
Fehmi Ramdani (ka vdekur), lagja Kekaj i fisit Krasniq. Edhe pas shpërnguljes në Petrit (Petroc) ka vazhduar të punojë nallane.
Zymber Ramadani ka vdekur, një kohë ka jetuar në Petrit, lagja Kekaj i fisit Krasniq.
Haki Ramadani, ka vdekur, një kohë ka jetuar në Petrit, lagja Kekaj i fisit Krasniq.
Islam Ramadani, (ka vdekur), një kohë ka jetuar në Petrit.
Abdyl Azemi (ka vdekur), lagja Kekaj i fisit Krasniq.
Beqir (Beçë) Sadiku (jeton në Miresh (Dobërçan), lagja Sadikaj i fisit Sopi.
Rizah, Habim e Isa Sadiku (kanë vdekur), lagja Sadikaj të fisit Sopi.
Beqir Dauti (ka vdekur), lagja Fane.
Faik Haki Fetahu, 62 vjeç, i lagjes Vrenezaj, fisi Sopi
Hasan Rexhepi (ka vdekur), lagja Kekaj i fisit Krasniq.
(Gjithsej, për momentin të evidentuar, 25 zejtarë)
ZARBICË
Ferizi i Maliqit (ka vdekur).
Hazir Salihu, 1920-2000, familja e Sallahovitëve, lagja Lumjanë, të fisit Berishë.
Destan Salihu,1922-2010 familja e Sallahovitëve, lagja Lumjanë, të fisit Berishë.
Hysen Salihu, 1936-2016 familja e Sallahovitëve, lagja Lumjanë, të fisit Berishë.
Asllan Sahit Berisha (ka vdekur).
Gani Feriz Maliqi (ka vdekur).
Hasan (Can) Halim Berisha e Liman Halim Berisha (kanë vdekur).
Azizi i Dautit (ka vdekur).
Gani (Ganç) Ajet Selimi (ka vdekur).
Abdyli dhe Dulahu i Veselit, lagja e Kishalive (kanë vdekur pas luftës së fundit në Kosovë).
Ramadani i Salihut, lagja e Kishalive (ka vdekur pas luftës së fundit në Kosovë).
Avdiu, Hamdiu dhe Shefkiu i Rahimit, lagja e Kishalive (kanë vdekur pas luftës së fundit në Kosovë).
Isufi i Sefedinit Xhemës.
Isuf Uka (1940-1978), i lagjes Lumjan, fisi Berishë.
Ilaz Sherifi i Demirëve i lagjes Baxhuk, i lindur rreth viteve 1925-28 (ka vdekur i ri, 30 vjeçar), por si i ri kishte prodhuar nallane.
Malushi i Sabedinit, etj.
(Gjithsej, për momentin të evidentuar, 20 zejtarë)
SUHARRËN
Nuk ka pasur zejtarë të nallaneve, përveç Shefket Tahirit, lagja e Tahiroviteve, i cili ka punuar nallane vetëm për familjen e vet. Ai më shumë është marrë me punimin e lugëve të drurit. Disa të tjerë si Deli Tahiri ka punuar bishta, Bejtë Tahiri e Shaip Tahiri kanë punuar samar të kuajve etj.
NOVOSELLË (FERAJ)
Sipas informatave të bashkëvendëseve nga fshati Novosellë, zejtar të mirëfilltë nuk ka pasur nga ky fshat, por kanë qenë disa që kanë punuar nallane për nevoja familjare e shumë pak për shitje. Ndër ta ishin Hajredin Zeqiri, i cili ka vdekur para shumë viteve.
Halim Halimi (1926-1996); Adem Hasan Ramadani.
GJERGJEC
Edhe banorët e fshatit Gjergjec shumë pak janë marrë me punimin e nallaneve. Siç na informon Xhavit Azizi nga Gjergjeci, me punimin e nallaneve janë marrë:
Ramadan (Ramë) Ramadani, i cili ka vdekur rreth viteve 1982-83 dhe
Deli Azizi (1927-1963). Disa janë marrë me punimin e mjeteve tjera prej druri. P.sh., Ismeti i Dautit ka punuar kosha për bletë.
QARR
As në Qarr nuk ka pasur zejtarë të nallaneve, Disa nga banorët janë marrë me artizanate tjera prej druri për bujqësi e gjëra tjera të përdorimit të familjar.
MUHOC
Nuk ka pasur zejtar të nallaneve. Kanë punuar mjete tjera të drurit. Njëri ndër ta ka qenë Halit Baxhuku
SEDLLAR
Në Sedllar ka qenë një numër shumë i vogël zejtarësh nallanexhinjësh. Kanë punuar: Hetem Azem Korbi i lindur më 1940 i fisit Thaçi, (ende është gjallë).
Halil Korbi,
Smajl Toska i cili ka vdekur para 25-30 vitesh.
Sadik Shurdhani, (ka vdekur).
KRANIDELL
Zejen e nallaneve e ka ushtruar Murat Selishta (ka vdekur).
Ali Lakna, ka punuar vetëm për nevoja familjare. Mund të ketë punuar edhe ndonjë, por nuk kam informacione tjera.
(Kërkoj ndjesë nëse nuk ia kam përmendur ndonjërit emrin, por kjo ka mund të ndodh në mungesë të informacionit)