Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që t’i ndjekë dhe realizojë politikat e saj zhvillimore dhe ekonomike. Duke u bazuar në Strategjinë e Energjisë së Kosovës 2017-2026, si dhe në Strategjinë e Zhvillimit Kombëtar, Kosova ka nevojë për kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike. Andaj, ne jemi të obliguar që t’i realizojmë dhe materializojmë strategjitë e vendit tonë për t’i ofruar vendit, ekonomisë dhe popullit të Kosovës prosperitet dhe siguri në të gjitha fushat.
Një ndër projektet më të rëndësishme të Kosovës është Termocentrali “Kosova e Re”. Projekti ka mbështetje të madhe dhe të pakursyer të partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë. Projekti do të finalizohet duke i ndjekur dhe përmbushur të gjitha rregullat dhe direktivat ndërkombëtare. “Kosova e Re” do të finalizohet sepse është e vetmja zgjidhje për të arritur sigurinë e furnizimit me energji, që direkt ndikon në sigurinë nacionale të vendit. Në të njëjtën kohë ne po vazhdojmë me avancimin e projekteve alternative nga burimet e ripërtëritshme, por nuk mund dhe as nuk guxojmë të eksperimentojmë me sigurinë e vendit.
Projekti TC “Kosova e Re” është projekti për të cilin janë bërë më së shumti studime dhe secili opsion e nxjerrë TC “Kosova e Re” si zgjidhje të domosdoshme.
Kosova, si shumë palë tjera kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, ka orientuar politikat e veta afatmesme të sigurimit të furnizimit me energji në rezervat e linjitit. Të njëjtin orientim e kanë edhe vende tjera të Bashkimit Evropian. Termocentrale të tilla me kapacitete edhe më të mëdha se Kosova e Re sot operojnë, apo edhe janë në fazë të projektimit ose ndërtimit në shumë vende të BE-së, siç është Gjermania, Çekia, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Polonia, Rumania, Bullgaria etj. Edhe fqinjët tanë, Serbia Mali i Zi, dhe Bosnje e Hercegovinën, po ndërtojnë termocentrale nga linjiti.
Siç është deklaruar Ministri Lluka, ne nuk do të bëjmë kompromise në dëm të sigurisë shtetërore të furnizimit me energji elektrike: “Si ministër i këtij vendi, përgjegjës për energji, nuk do ta lejoj që Kosova të varet nga importet e energjisë. Strategji e vendit është që rritja ekonomike dhe punësimi të ndodhin në vend duke shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshme vendore për gjenerim të energji jo vetëm për nevoja tona, por edhe për eksport. Ne duhet të sigurojmë pavarësi energjetike dhe nuk ka alternativë tjetër, ashtu siç nuk kemi alternativa të tjera për gjenerim të energjisë elektrike”.
Investitori Contour Global ka njoftuar Qeverinë e Kosovës, se është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga institucionet financiare ndërkombëtare. Procesi është në fazën finale të përzgjedhjes së kompanisë për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Termocentralit.
Sipas planifikimeve, ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” nis në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.