/2L ONLINE/ – Punëtorët e Ecohigjienës që protestuan për disa ditë, simbolikisht nga një orë, para Zyrave të Ecohigjienës në Gjilan, Kamenicë e Viti si dhe para Kuvendit Komunal të Gjilanit, kur ky organ kishte seancën e radhës, kanë pezulluar përkohësisht protestat për të pritur, siç thonë ata, seancën e jashtëzakonshme që atyre iu është premtuar brenda dy javësh me pikë të veçantë të rendit të ditës vetëm për problematikën e Ecohigjienës.
Por, siç mëson Portali 2LONLINE, Këshilli i punëtorëve të Kompanisë “Ecohigjiena” mund t’i rikthehet edhe më herët protestave, nëse do të mësohet se do të tentohet të prolongohet seanca në fjalë, apo çështja nuk trajtohet ashtu siç kanë premtuar institucionet komunale, por mbi të gjitha, nëse ndaj punëtorëve protestues, do të ndërmerren çfarëdo masash, vetëm pse kishin protestuar. Atëherë, protestat, sipas tyre, janë të pashmangshme dhe ato do të jenë të përhershme e jo njëorëshe.
Burimet e Portalit thonë se te punëtorët qarkullon informacioni se menaxhmenti i kompanisë mund të ngrisë padi ndaj protestuesve, duke e konsideruar protestën e tyre të jashtëligjshme, por se nëse ndodh kjo, Këshilli i Punëtorëve do t’i rinisë protestat, por atëherë ato do të jenë me bllokim total të punës në Kompani.
Punëtorët presin që deri kah 14 tetori seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të mbahet, por në ndërkohë Këshilli i punëtorëve i Kompanisë “Ecohigjiena” nuk ka qëndruar duarkryq dhe mësohet se ata sërish iu janë adresuar përmes një shkrese, disa adresave, si: asaj të Kryetarit të Komunës, Lutfi Hazirit, të drejtorit të Drejtorisë për Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzakut, atij në Drejtorinë për Shërbime Publike, Naser Korçës, Bordit të Drejtoreve të kompanisë si dhe Komisioni të Aksionareve.
Ata i kanë njoftuar me qëndrimet e këtij Këshilli pas protestave dhe premtimit për seancën e jashtëzakonshme. Në këtë shkresë thuhet ndër tjerash se në takimin e këtij Këshilli është ardhur deri te konstatimi se për të ruajtur qetësinë dhe rendin konformë rregullave të punës në kompani duhet që në mënyrë urgjente komuna të zgjedh një UD të Kryeshefit në konsultim edhe me Bordin e Drejtorëve dhe Komisionin e Aksionarëve. Po ashtu është thënë në shkresë se në rast të lirimit të ud. Senad Ramaj nga arresti shtëpiak, atij nuk do t’ia lejojnë hyrje në kompani.
Përndryshe, ata kanë kërkuar nga të gjithë të mos mundohen t’i japin kahje politike pakënaqësive të tyre, sepse ata nuk do ta lejojnë një gjë të tillë, sepse çështja e tyre nuk kanë të bëjë me politikë. Pakënaqësitë e shfaqura kanë të bëjnë me keqmenaxhimin e kësaj kompanie si dhe rreth të ardhmes së punëtorëve. /2L ONLINE/
fotoilustrim nga protesta e punëtorëve të Ecohigjiena para Kuvendit Komunal mbajtur ditë më parë