Në saje të aktiviteteve të saj promovuese, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sot lancoi ‘Alfabetin e të Dhënave Personale’, të parin e këtij lloji.
Qëllimi i këtij fjalorthiterminologjik është që t’u shërbejë qytetarëve që të bëhen më të kujdesshëm në publikimin e të dhënave të tyre.
Ky alfabet i të dhënave personale është përmbledhje fjalësh e frazash të përzgjedhura, kuptimi i të cilave përshkruan gjendje apo veprim në kuadër të dimensionit të privatësisë, përmes të dhënave personale. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale po e lancon këtë fjalorth terminologjik, duke theksuar një apo më shumë shprehje nga shumica e shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe.
Qëllimi i këtij fjalorthi, i cili është emëruar ‘alfabet i të dhënave personale’ është që t’u shërbejë qytetarëve që të bëhen më të kujdesshëm në publikimin e të dhënave të tyre. Ky fjalorth, i pari i këtij lloji, ofron spjegime thelbësore për secilën shprehje të paraqitur, e cila shoqërohet me një figurë simbolike.
Ky ‘alfabet’ i është vënë në dispozicion publikut në trajtën e një videoje dhe një albumi fotografik, me përmbajtje të njëjtë dhe si i tillë do t’u shpërndahet sa më shumë përdoruesve të rrjeteve sociale (kryesisht në Facebook) brenda territorit Kosovës.
Agjencia shpreson se dizajni atraktiv dhe përmbajtja thelbësore e këtij fjalorthi do të ndikojë pozitivisht në informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut rreth rëndësisë së mbrojtjes së të dhënave personale, sepse siç theksoi z. Jeton Arifi, bartës i këtij projekti nga Agjencia, ‘të kesh privatësi nënkupton t’i mbash të dhënat personale nën kontroll, jo domosdoshmërisht t’i mbash ato të fshehta nga të tjerët’.