Shkruan: Florim Zeqa
Kryeministrja britanike, Liz Truss dha dorëheqje vetëm pse nuk arriti të përmbushte detyrën për të cilën ishte zgjedhur! Truss e mori detyrën gjatë një periudhe të paqëndrueshmërisë së madhe ekonomike dhe ndërkombëtare dhe se ishte e shqetësuar se si familjet dhe bizneset do të paguanin faturat e tyre. Pas dëmit që i shkaktoi sistemit financiar në vend, pas uljes së taksave, pas gjashtë javësh, kryeministrja britanike, Liz Truss dha dorëheqje si akt moral ndaj institucionit të lartë shtetërorë dhe zgjedhësve të saj.
Papërgjegjësia e kryeministrit Albin Kurti
Sikur të ishin “Targat” dështimi i vetëm i Albin Kurtit, do të ishte e keqja më e vogël për vendin, por deri më tani kryeministri ynë dështoi në çdo premtim publik të dhënë para qytetarëve të vendit.
Konsistenca e qëndrimeve i bën njerëzit e mëdhenj në politikë dhe jo premtimet e mëdha dhe gjuha populliste! Nëse Albin Kurti vazhdon të sillet me të njëjtën inkosistencë të qëndrimeve dhe papërgjegjësi politike, pasojat për Kosovën dhe qytetarët e saj do të jenë tepër të mëdha në të ardhmen e afërt!
Pas tërheqjës për “Targat”, Albin Kurti nuk është më kryeministër i qytetarëve të Kosovës! Sikur të kishte vetëm pak ndërgjegje njerëzore do duhet të jepte dorëheqje të mënjëhershme pas dështimit të mbajtjes së fjalës së dhënë para qytetarëve për shtrirje të sovranitetit me Targat RKS në veri të vendit më 1 Nëntor 2022.
Kurti qëllimshëm po harron se fjala e thënë dhe e dhënë publike e kryeministrit kanë peshë dhe përgjegjësi shtetërore. Ndryshe, fjala e thënë e një qytetari të zakonshëm nuk i shkakton asnjë dëm vendit, kurse e një lideri shtetërorë mund të shkaktojë dëme të pallogaritshme!
Dështimet e njëpasnjëshme dhe mosmbajtja e fjalës së dhënë para qytetarëve të vendit janë pak më tepër sesa papërgjegjësi shtetërore, janë lojë e rrezikshme me ndjenjat e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit.
Kur dështimet e kryeministrit ngarendin njëri pas tjetrit, bie besimi i qytetarëve. Kur lëshimet në politikën e jashtme e përcjellin njëra-tjetrën, askush nga ndërkombëtarët nuk e merr seriozisht lidershipin e atij vendi.
Konsistenca e qëndrimeve e rritë imazhin e politikanit
Shëmbullin më të mirë në mbrojtjen e qëndrimeve politike e ka dhënë ish presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili ishte gjithmonë konsistent në qëndrimet e tij para ndërkombëtarëve. Fjalët Liri, Pavarësi, Demokraci ishin dhe mbetën tre postulatet më të fuqishme dhe të pandryshuara politike të Rugovës deri në frymën e tij të fundit.
Kjo e kishte bërë liderin tonë historik të nderuar nga populli dhe të respektuar nga bashkësia ndërkombëtare. Fjala e tij kishte peshë tek ndërkombëtarët dhe vlerë tek qytetarët e vendit.
Për fatin e keq të qytetarëve dhe të shtetit në përgjithësi, asnjëri nga liderët shtetërorë pas Ibrahim Rugovës nuk arritën të qëndrojnë vertikalisht në mbajtjen e qëndrimeve politike dhe premtimeve të dhëna para qytetarëve të vendit.
Kur humbet besimi, e ke të humbur çdo gjë në këtë botë!
Besueshmëria nuk është vetëm frazeologji, është vlerë dhe vyrtyt i lartë njerëzorë!
Pas vendimit të njëanshëm të Kurtit për “Targat” dhe refuzimit të propozimit të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Eskobar për një afat shtesë prej 10 muajsh për targat, e ka dëmtuar seriozisht partneritetin me aleatin tonë kryesor!
Plani vetiak i Albin Kurtit për dalje nga kriza për “Targat”, jo vetëm që nuk është zgjidhje dhe as shtyerje, është futje e Kosovës në një krizë të re dhe të thellë, kthim i dialogut politik në atë teknik!
Kush nga ndërkombëtarët i beson më kryeministrit të vendit tonë?
Askush!
Kush nga qytetarët e vendit i beson Albin Kurtit në premtime?
Askush përveq trushpërlarëve dhe injorantëve që nuk shohin përtejë hundës së tyre!
Kryeministri Albin Kurti është bërë për ta qeshur dhe për ta vajtuar!
Për ta qeshur, sepse nuk ka të ndalur me gafet e tij politike!
Për ta vajtuar, sepse nuk i frikësohet Serbia dhe nuk i beson më askush nga ndërkombëtarët!
Albin Kurti, nga një nacionalist është shndërruar në palaço politikan, të cilin nuk e marrin më seriozisht as në organizatën e tij politike-LVV.
Andaj, vetëm dorëheqja nga posti i kryeministrit e shpëton Albin Kurtin me “faqe” të bardhë.
Çdo prolongim i dorëheqjes nga ana e Albin Kurtit, do t’ia ulë atij imazhin politik dhe do ta dërgojë Kosovën drejt humnerës së pakthim, të harruar dhe anashkaluar nga miqtë perëndimorë! /2LONLINE/