Nga: Fehmi SYLEJMANI
(2L ONLINE) – Fillimi i muajit shtator, zakonisht është i gëzuar për filloristët, të cilët për herë të parë do të ulen në bankat shkollore, por edhe për nxënësit e tjerë, derisa për kryefamiljarët është një muaj paksa i vështirë në aspektin financiar. Mirëpo, për më keq, fundi i muajit shator, viteve të fundit është shndërruar në ankth për prindërit, të cilët kanë fëmijë maturantë, e që siç dihet për një javë shkojnë në ekskursion në Shqipëri. Prindërit e maturantëve rrëqethen kur arrijnë fëmijët e tyre në vitin e fundit të shkollimit.
Përveç pagesave të cilat janë të detyruar t’i bëjnë për udhëtimin dhe vendosjen e fëmijëve të tyre, e që ushqimi dhe fjetja aspak nuk janë të përshtatshme , diku rreth 100 euro, me veti duhet t`i sigurojnë edhe një shumë të caktuar të parave për harxhime shtesë, mandej edhe një shumë të caktuar duhet siguruar për veshmbathje, e cila zakonisht iu duhet për një ekskursion të tillë, të cilat zakonisht nuk i kanë pasur më parë.
Fjala ekskursion rrjedh nga fjala latine excursio, që do të thotë udhëtim i shkurtër.Ekskursioni është një udhëtim i organizuar nga një grup i njerëzve, i cili zakonisht bëhet në kohën e lirë, me qëllim arsimi, apo për aktivitet fizik, vizitë të një vendi, nganjëherë për punë dhe qëllime të tjera.
Me ekskursion mësimor nënkuptohet zhvillimi – mbajtja e mësimit jashtë objektit shkollor. Objektiv i ekskursionit mësimor është arritja e njohurive të cilat duhen të arrihen, por që nuk mund të demonstrohet në objektet shkollore. Nxënësit gjatë ekskursionit zhvillojnë shoqërizimin, solidarizimin, të organizuarit, tolerancën. Mandej tek nxënësit ekskursioni ka rëndësi të madhe edukuese; zhvillon pikëpamjet shkencore mbi botën, ndjenjat estetike dhe emocionale. Për nga kohëzgjatja ekskursionet mund të jenë: nga 1 deri 3 orë, gjysmë ditorë, njëditorë dhe disaditorë.
A duhet ndryshuar mënyrën e organizimit të ekskursioneve?
Pa dyshim se po, sepse organizimi i ekskursioneve mësimore kishte me qenë shumë më i mirë, nëse në këto ekskursione do të shkonin vetëm nxënësit e interesuar për të cilët nuk është me rëndësi vetëm argëtimi dhe shëtitja. Për më tepër ekskursionet e viteve të fundit më shumë po e devijojnë natyrën dhe qëllimin e saj, për faktin se në këto lloj ekskursione madje thuhet se po konsumohen edhe substanca narkotike, e mos të flasim për pije alkoolike, duhan si kundër edhe shfrenim të tërësishëm dhe amoralitet.
Nuk duhet gëzuar në fatkeqësinë e askujt, por viteve të fundit, vetëm maturantëve gjilanas ju kanë ndodhur disa telashe të ndryshme, e kjo e fundit edhe me fatalitet, ku një maturant edhe humbi jetën. Jeta e çdo ët riu është më e vlefshme se çfarëdo qëllimi që ka ekskursioni. Prandaj duke i marrë parasysh këto fakte reale, do të ishte mirë, që në radhë të parë, vetë maturantët, mësimdhënësit, drejtuesit e shkollave, institucionet arsimore komunale e veçmas prindërit të bëjnë një reflektim të mirëfilltë e serioz dhe të ndalohet rreptësisht kjo mënyrë e këtij organizmi të ekskursioneve.
Nuk janë vetëm këto fakte që duhet ndaluar ekskursionin, ngase ka edhe fakte tjera për keqpërdorime të ndryshme që po bëhen me këto ekskursione, sidomos në aspektin financiar-material, duke e shkelur madje edhe ligjin dhe të gjitha procedurat e tenderimit. Gjithë ashtu parashtrohet edhe kjo pyetje logjike.
Me çfarë baze ligjore hapen tenderë për ekskursione, kur mjetet e grumbulluara janë të vetë nxënësve?! Këto mjete nuk janë as të institucionit shkollor e as të komunës e as MASHT-it.
Përveç këtyre dukurive të lartcekura, pas kthimit nga ekskursioni, maturantët në masë të konsideruar, për të mos thënë të gjithë, nuk po munden me u konsolidua në procesin e mësimnxënies pëe shkak të shpërqendrimit të tyre dhe nuk është për çudi, pastaj edhe niveli tepër i ulët i kalueshmërisë së provimit të maturës. Çështja e ekskursioneve është shumë komplekse dhe meriton një qasje studimore e serioze. /2L ONLINE/
(autori është përfaqësues i Vetëvendosjes. Ky është qëndrimi i tij i shprehur në mbledhjen e Komitetit të Arsimit)