Partia Socialdemokrate me aksion simbolik përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës ka vendosur një pasqyrë si përballje ndaj zhveshjes nga kritika e pakos së Ahtisaarit prej qeverisë Kurti.
“Alternativa Qeverisëse, por edhe zotimet elektorale të vitit 2017 e kishin një nga zotimet ndryshimet kushtetuese për t’i shmangur pengesat e Planit të Ahtisaarit. E kemi pa programin e Qeverisë Kurti. Asnjë rresht i tij nuk flet për synimet e kësaj proteste”, ka thënë sekretarja e Përgjithshme e PSD-së, Teutë Rrusta.
Sot u bënë 13 vjet nga protesta e 10 Shkurtit. Ky përvjetor është i veçantë sepse përballë kësaj date është Albin Kurti si kryeministër.
Duke qenë kështu, 10 Shkurti është pasqyra e llojit të qeverisë që na pret. Në krye të Qeverisë e kemi një kryeministër pa projekt politik, në fakt të shkëputur nga gjithë çfarë ka përfaqësuar gjatë viteve.
“Ky nuk është paragjykim as parashikim. Për disa gjëra nuk ka nevojë të presim se si do të veprohet sepse ka gjëra të cilat thjesht nuk përmenden. Këtu me vete e kam programin e Qeverisë Kurti. Asnjë rresht i tij nuk flet për synimet e kësaj proteste”, tha ajo.
Sipas saj, ka shumë njerëz që thonë se Plani i Ahtisaarit është temë tashmë e tejkaluar. Plani i Ahtisaarit është aktual sepse është mekanizmi kryesor institucional që e fuqizon listën serbe, tashmë kolegët e Kurtit. Bëhet fjalë për mekanizmin e shumicës së dyfishtë që e bllokon vendimmarrjen demokratike në Kuvend.
Tash që Kurti është në Qeveri, 10 Shkurti nuk duhet të jetë ritual përkujtimor i Partisë, por aksion qeveritar. Me 10 Shkurt është dita kur Kurti duhet ta shikojë veten në pasqyrë. Ne nuk po e njohim më. 10 Shkurti është pasqyra që Kurti s’do ta dëshironte. Është pasqyra e metamorfozës së tij.