Pronarë të bizneseve (jo nga fusha e gastronomisë) që operojnë në Qendrat Tregtare të qytetit të Gjilanit, e të cilat prej hyrjes në fuqi të masave të reja kundër pandemisë, nuk janë lejuar të punojnë, kanë protestuar sot para zyrës së kryetarit të komunës së Gjilanit, si simbolikë e përçimit të mesazhit për t’u trajtuar njëjtë si bizneset e po të njëjtës fushëveprimtari, që operojnë nëpër Qendrat Tregtare të qyteteve tjera, e të cilat po lejohen të punojnë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ata thanë se kanë respektuar masat që janë ndërmarrë kundër pandemisë duke mos punuar në ditën e parë, por kur kanë parë që të njëjtat veprimtari lejohen nëpër Qendrat Tregtare të qyteteve tjera dhe jashtë tyre, i kanë hapur ato në ditën tjetër, por nuk janë lejuar nga autoritetet përkatëse dhe janë detyruar t’i mbyllin.
Refik Ramadani, njëri nga pronarët që ka biznesin e tij (pajisje kompjuterike) në një qendër tregtare, në emër të të gjithëve tha se kjo protestë nuk ka të bëjë me komunën e Gjilanit, sepse janë të vetëdijshëm se nuk është faji i saj dhe se kemi të bëjmë me vendimet e nivelit qendror, por duke qenë biznese që operojnë në Gjilan kanë zgjedhur këtë hapësirë që edhe të përçojnë vet mesazhin se duhet të trajtohen njëjtë, por edhe komuna t’i shfrytëzojë kanalet e saj për të përçuar në adresat e duhura pakënaqësitë e këtyre bizneseve, transmeton 2LONLINE.com.
Ai bëri me dije se ka të tillë që kanë edhe biznese në qytetet tjera dhe kanë siguruar edhe informacione e kanë parë se si në Qendrat Tregtare të qyteteve tjera lejohen të punojnë bizneset e të njëjtës fushë, por jo edhe në Gjilan, andaj edhe kanë dashur që, përmes kësaj proteste simbolike, të shprehin pakënaqësinë e tyre dhe të kërkojnë trajtim të barabartë, duke i lejuar të punojnë edhe këtu.
“Nuk është faji i komunës së Gjilanit pse jemi këtu, por pasi jemi biznese që operojmë në Gjilan, nëpër qendrat tregtare, përmes komunës po tentojmë me përçua mesazh në institucionet më të larta që të mos diskriminohemi vetëm ne, bizneset e Gjilanit. Shumë nga ne kemi edhe bizneset tona edhe në qytetet tjera, në Qendrat Tregtare, atje lejohet puna, po flasim për biznese jashtë sektorit të gastronomisë, e këtu jo, andaj ne duam vetëm të jemi të barabartë, të trajtohemi njësoj”, ka thënë Ramadani. /2LONLINE.com/