Protestuesit e kanë mbushur sheshin në qendër të Madridit dhe rrugët afër tij, duke brohoritur “Jetë të gjatë, Spanjë”.
Dhjetëra mijëra protestues kanë marrë pjesë sot në një protestë masive në Madrid, e cila është organizuar nga partitë e qendrës së djathtë, të cilat po e kundështojnë planin e qeverisë spanjolle për t’i ulur tensionet në rajonin e Katalonisë përmes negociatave.
Protesta është organizuar nga Partia Popullore dhe partia “Qytetarët”, të cilat reaguan pasi kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ua mundësoi separatistëve katalanë një rund bisedimesh për zgjidhjen e çështjes së tyre.
Partitë djathtiste po e vlerësojnë këtë ofertë të kryeministrit spanjoll si tradhti dhe dorëzim para kërkesave të separatistëve. Megjithatë, përfaqësuesit e separatistëve e kanë refuzuar ofertën e qeverisë.
Policia ka raportuar se në këtë protestë po marrin pjesë rreth 45 mijë protestues.