/2L ONLINE/ – Në bibliotekën e qytetit të Gjilanit është promovuar libri i Arianit Sllamnikut “Ngjarje opinione 2010-2015”, në të cilën përfshihen shkrime, intervista, e opinione të Sllamnikut, të botuara në periudhat e ndryshme kohore, brenda viteve 2010 – 2015, në Portalin e Lajmeve 2L ONLINE, dhe mediume të tjera.
Muhamet Halili, redaktor, ka thënë se publicistika e Sllamnikut ishte një model i qytetarisë aktive. Sllamniku përgjatë kësaj periudhe, gjeti rrugë të komunikimit me publikun përmes opinioneve të tija, më tepër, nga prizmi qytetar, pa u ngarkuar me petkun politik të atij momenti, pra thjeshtë, si një qytetar aktiv që e kërkonte koha dhe momenti.
Shkrimet e Sllamnikut përbënin jehonë në të gjitha ato rrafshe ku prekej jeta e qytetarit, ku qëllimi i vetëm dhe i paanshëm në njërën anë ka qenë zgjimi i qytetarit nga kllapia apo përgjumja e situatës që mbretëronte karshi nevojave më të mëdha, si dhe vëmendjen më të madhe të qeverisjes komunale, por edhe asaj qendrore për dukuritë, mllefin, zhgënjimin si dhe kursin e qytetarisë.
“Prandaj, ndihemi të lumtur që ne si Portal, për lexuesin kemi ofruar opinionet e Sllamnikut, të botuara në periudhat e ndryshme kohore, brenda viteve 2010 – 2015, dhe tani i kemi të përmbledhura brenda këtij libri, sepse vlerësojmë se lexuesit mund t’i shërbejë edhe një herë, pa pasur kompleksin kohor se kur do të lexohen, por edhe kur janë shkruar, pasi që janë ngjarje që kanë të bëjnë me fenomenet, aktualitetet si dhe veprimet të cilat kanë lënë gjurmë në kohë, andaj edhe shkrimet janë po ato të cilat i kanë paraprirë apo kanë dhënë vërejtjet e tyre në momentet e caktuara”, ka thënë Halili. (shih më poshtë fjalën e plotë)
Avni Rudaku – recensent ka thënë se Publicistika e Arianit Sllamnikut përveç që është kronikë kohe në periudhën e paspavarësisë së Kosovës, vitin e verdiktit final të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth legalitetit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës me Të Drejtën Ndërkombëtare, diskutimet mbi liberalizimin e vizave, e të ngjashme, mbetet zë utilitar edhe për shkak se shkrimet e tij përfaqësojnë zërin e ‘islamit nacional shqiptar’, të cilat mbrojnë idenë e koekzistencës pavarësisht dallimeve tona në pikëpamjet fetare.
Rudaku ka thënë se në përgjithësi, temat e tij përfshijnë ngjarjet politike dhe sociale në nivelin lokal dhe komunal të Gjilanit, ka edhe shumë tema të nivelit republikan dhe tema të cilat ndërlidhen edhe me qasjen dhe thirrjen e Sllamnikut për myslimanët e moderuar, për të zënë hapësirën e nevojshme publike në krahasim me ‘ekstremistët’ apo ‘përçarësit’ e kombit, qytetarisë dhe shtetit.
“Sllamniku në këtë libër inkorporon edhe një intervistë duke komentuar zhvillimet aktuale politike dhe duke kritikuar rolin e kuvendarëve të cilët nuk sillen në përputhje me pjekurinë demokratike të votimit apo të mospjesëmarrjes më kritike në punët e Kuvendit. Ka edhe shkrime të cilat ndonëse kanë si pikënisje ndonjë raport ndërpersonal apo mllef drejtuar kundër ndonjë fenomeni negativ në shoqëri apo drejt ndonjë personaliteti publik, janë me karakter universal dhe tingëllojnë mirë si revoltë e brendshme”, thotë Rudaku. (shih më poshtë fjalën e plotë)
Qazim Azizi, përgjegjës i Bibliotekës Gjilanit foli për rolin e bibliotekës për të mundësuar promovime të tilla librash, ndërkohë që vlerësoi edhe autorin e këtij libri për guximin për të trajtuar tema të tilla dhe për të dehën kontributin e tij në qytetarinë aktive. Edhe Murat Hoxha e Sabri Tahiri vlerësuan angazhimin e Sllamnikut në këtë periudhë por mbi të gjithë vlerësuan guxim qytetar që angazhimi i tij të dokumentohet edhe përmes shkrimeve të asaj kohe në portal, por tani edhe të përmbledhura në një libër, duke e inkurajuar të zgjerohet në temat e trajtuar, për të nxjerrë, pse jo, edhe librin tjetër. Edhe Afrim Salihu ka vlerësuar librin në fjalë veçmas ka veçuar pjesët që kanë të bëjnë me integrime evropiane, ku vlerësoi se Sllamniku është njohës i mirë dhe i trajton ato në mënyrën më të mirë, duke e inkurajuar që në të ardhmen të fokusohet pikërisht në këtë fushë.
Autori, Arianit Sllamniku, ka falënderuar Portalin 2LONLINE, që kishte mundësuar publikimin e atyre opinioneve, por edhe mediumet tjera që ia kanë krijuar hapësirën për tu shprehur, si dhe të gjithë ata që janë angazhuar që kjo libër të sheh dritën e botimit. Po ashtu ai falënderoi edhe të gjithë ata që morën pjesë në këtë promovim, ndërsa ka premtuar se do të vazhdojë ta përçojë mendimin e tij në publik për të gjitha ato gjëra që e preokupojnë dhe janë në interes të publikut.
/Fjala e plotë e redaktorit dhe recensentit/
Publicistika e Sllamnikut – një model i qytetarisë aktive
Kosova e pasluftës, në përpjekje për një shtetndërtim të mirëfilltë, për një vend të qytetarit, ku mirëqenia e tij është thelbësore dhe parësore, por, për të cilën nevojitet funksionaliteti i të gjitha hallkave të një shoqërie, ka hasur në vështirësi të shumta, të natyrave të ndryshme.
Shumëçka i ka munguar kësaj shoqërie, apo nuk ka qenë e nivelit të duhur. Por. ajo që i ka munguar në një masë të dukshme dhe që duhet ta themi këtu, në kontekst edhe të këtij libri, është mungesa e një qytetarie aktive të mirëfilltë, që tani edhe pas 16 vite pas luftës, fatkeqësisht po mungon dhe se po shihet se është element qenësor që stimulon pastaj edhe hallkat tjera, që ta kenë funksionalitetin e duhur, për të pas një shtet funksional me qytetarin në qendër.
Kontributi i të gjithëve për të mirën e përgjithshme është obligim qytetar pa dallim dhe njëra ndër format që kemi gjetur ne, në Portalin Informativ 2L ONLINE, ishte pikërisht krijimi i një mediumi të tillë çfarë jemi, që në fokus ta kemi qytetarin, por edhe që do të jetë i hapur për të, për t’i dhënë atij mundësi që të mos jetë vetëm akter pasiv, duke u ushqyer me atë prodhim që i servohet nga mediat, por duke qenë edhe vet pjesë aktive dhe krijues i atij produkti, në këtë rast informacionit.
Në këtë vazhdë, kemi qenë të hapur ndaj shumë penave, shumë bashkëpunëtorëve e opinionistëve, përmes të cilëve janë ngritur çështje të ndryshme me rëndësi të përgjithshme, duke dashtë kështu ta fuqizojmë zërin qytetar, të pasqyrojmë edhe opinionin e publikut-lexuesit tonë.
E, një prej zërave të tillë, vije edhe përmes shkrimeve që mund të lexohen edhe në këtë libër, me autor Arianit Sllamnikun, që në fakt janë përmbledhje e të gjitha atyre shkrimeve që janë botuar në Portalin 2L ONLINE, përgjatë periudhës 5-vjeçare, e ku në fokus kanë qenë problematika të ndryshme, të cilat duhej të dilnin në pah, që të bëheshin pastaj çështje që duhet debatuar edhe me publikun, e që donin përgjigje adekuate.
Përndryshe, nëse flasim për autorin e shkrimeve në këtë libër, duhet përmendur se personaliteti i tij, prej një të riu që angazhohet për mirëqenien e tij, por edhe për të mirën kolektive, nis me seriozitetin e treguar, fillimisht në ngritjen profesionale të tij, për të vazhduar me angazhimet në biznes, e më pas edhe në iniciativa të ndryshme shoqërore, për të dhënë kështu kontributi e tij në të mirë të shoqërisë, që mori formë më konkrete me angazhimin e tij direkt në politikë.
Me që angazhimin e tij në politikë e vlerësoi si diçka serioze dhe njëra ndër rrugët tjera që zgjodhi për t’i dhënë shoqërisë edhe më shumë nga vetja e tij, u pa qysh në fillim, sepse kyçja e tij u bë menjëherë me marrje të përgjegjësive, e jo duke ikur nga to, pasi u vu në krye të një partie, në nivelin lokal.
Ai, mori timonin e Degës së Partisë së Drejtësisë (PD), një subjekti të vogël, por që në Gjilan u pa me potencial, ndonëse në atë kohë pothuajse ishte tretur fare. Ai arriti ta ngrit në nivel më të lartë duke ruajtur një ulëse në Kuvendin Komunal dhe duke u faktorizuar në skenën politike gjilanase.
Kontributi i tij, edhe si drejtues dege i një partie, por më vonë edhe si anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, duket se nuk e shteroi elanin e tij për të kontribuar edhe më, për një të mirë të përgjithshme, andaj vazhdoi në forma tjera, edhe atë duke mos u kufizuar vetëm në nivelin lokal, por edhe nacional si dhe në gjeopolitikë.
Dhe këtë e bëri duke komunikuar me publikun përmes opinioneve të tija të publikuara në 2L ONLINE, më tepër, nga prizmi qytetar, pa u ngarkuar me petkun politik të atij momenti, pra thjeshtë, si një qytetar aktiv që e kërkonte koha dhe momenti.
Dhe këtë formë të komunikimit me publikun, përmes publicistikës së tij, Portali informativ 2L ONLINE, e pa si diçka me vlerë, qysh në shkrimet e para të Sllamnikut, që bashkë edhe me opinionet tjera, reflektoi me një qasje më serioze të lexuesit karshi Portalit, me një ngritje të lexueshmërisë dhe kuriozitetit qytetar, por edhe të vet çështjeve për të cilat shkruhej dhe të cilat, për çudi, kishin efektin e tyre pozitiv edhe ne terren, andaj edhe hapësirën për pena të tilla, në Portalin tonë, e kishim rezervuar, tani më, pa asnjë mëdyshje.
Këtë e bëmë, sepse shkrimet e tilla vlerësonim se ishin për një të mirë të përgjithshme, për të nxitur debate, reagime deri në atë masë sa që në një moment. siç tregon edhe vet autori, ishin shtytës edhe të veprimeve interesante të politikanëve : “…Kryetari i atëhershëm i komunës, i shkruan letër zyrtare Ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë, i cili ishte edhe kryetar i përgjithshëm i subjektit, të cilit i takonte Sllamniku, duke kërkuar ndërhyrje nga ana e tij, që disi ta heshte penën e Sllamnikut, pasi që po i krijonte goxha telashe me reagimet e tij pikërisht përmes shkrimeve autoriale…”, dhe konkretisht ky reagim ka ndodhur pikërisht pas shkrimit të botuar në 2L ONLINE, me titullin “Komuna e Abazit”.
Përndryshe, shkrimet e Sllamnikut përbënin jehonë në të gjitha ato rrafshe ku prekej jeta e qytetarit, qoftë në qytet, fshat, vise malore apo edhe të vendbanimeve të thella në brezin kufitar ku qëllimi i vetëm dhe i paanshëm në njërën anë ka qenë zgjimi i qytetarit nga kllapia apo përgjumja e situatës që mbretëronte karshi nevojave më të mëdha, si dhe vëmendjen më të madhe të qeverisjes komunale, por edhe asaj qendrore për dukuritë, mllefin, zhgënjimin si dhe kursin e qytetarisë, e cila është duke i vërejtur të gjitha ngjarjet, veprimet apo mosveprimet e tyre karshi gjendjes jo të mirë krahasuar me rajonin.
Prandaj, ndihemi të lumtur që ne si Portal, për lexuesin kemi ofruar opinionet e Sllamnikut, të botuara në periudhat e ndryshme kohore, brenda viteve 2010 – 2015, dhe tani kemi vendosur t’i përmbledhim të gjitha ato, brenda këtij libri, sepse vlerësojmë se lexuesit mund t’i shërbejë edhe një herë, pa pasur kompleksin kohor se kur do të lexohen, por edhe kur janë shkruar, pasi që janë ngjarje që kanë të bëjnë me fenomenet, aktualitetet si dhe veprimet të cilat kanë lënë gjurmë në kohë, andaj edhe shkrimet janë po ato të cilat i kanë paraprirë apo kanë dhënë vërejtjet e tyre në momentet e caktuara.
Në këtë libër do ti gjeni 30 shkrime të cilat mund të ndahen në disa nivele. Ato që prekin temat lokale, e që kanë të bëjnë me preokupimin dhe angazhimin e tij qoftë politik, qoftë qytetar, në nivelin lokal (si shkrimet: Qytetari dhe opozita me mikrofon të shurdhër, Ra kjo dekë e u pamë, Komuna e Abazit, Komuna e Gjilanit kusht i liberalizimit të vizave!?, Në kuvend votohet në stilin “Fluturoj magari”, Politika e berberit në Gjilan… e të tjera )
Pastaj ato të nivelit qendror, ku autori merret ekskluzivisht me tema që kanë të bëjnë me euro-integrimet, Kapsllëku Kosovar – Raporti 2011, Young Europeans vs. Old Europeans, Komunat serbe apo asociacion I BE-së?! Progres/Regresi i Kosovës – Raporti I BE-së 2014, Investimet për dominim, Kriteret e Kosovës për integrimin e BE-së!… e të tjera)
Përndryshe, kjo, vazhdon të jetë edhe sot preokupim dhe në këtë drejtim, edhe ka investuar, duke studiuar në vend si dhe jashtë vendit, dhe pritet edhe të magjistron në Nice të Francës, në çështjen e bashkëpunimit të organizatave ndërkombëtare në BE.
Ndërsa, fokusi i shkrimeve të këtij autori prekë edhe gjeopolitika rajonale sepse ai përmes hulumtimeve shkencore ka arrit që t’i ketë në fokus ngjarjet e ndryshme të cilat e kanë prekur drejtpërsëdrejti ose në mënyrë të tërthortë edhe Kosovën e që, deshëm apo nuk deshëm, shpeshherë kanë qenë edhe përcaktuese edhe të politikave nacionale dhe shtetëror . ( si shkrimet: Gjeopolitika amerikane në Ballkan, Maqedonia – kalaja e (para) fundit shqiptare…)
Për fund, autorit i dëshirojnë shëndet, suksese dhe angazhim qytetar edhe më të begatë dhe e ftojmë të jetë aktiv edhe më tutje me shkrime të tjera në Portali 2L ONLINE, sepse vazhdojmë të jemi të hapur dhe vazhdojmë të besojmë se vendi ka nevojë për zë qytetari, për një qytetari aktive edhe më të fuqishme.
Muhamet HALILI, redaktor i librit
Themelues i Portalit Informativ 2LONLINE.com
ÇFARË MUND TË GJENI NË SHKRIMET E SLLAMNIKUT?!
Jetët tonë, zhvillimet politike të kohës dhe ndjesia për të kaluarën kapet vetëm përmes mbetjeve arkeologjike, regjistrimeve audio-vizuele, rrëfimeve gojore, publicistikës dhe botës së larmishme të shkrimeve. Mjafton mbishkrimi në një guri të gjetur në antikitet të Egjiptit, Greqisë, Italisë apo si gërmimet e fundit arkeologjike në lokacionin e Klinës në Kosovë, dhe ne të kuptojmë llojin e besimit të paraardhësve tanë, mënyrën e jetesës së atëhershme, identitetet sociale të asaj popullate, e tjerë e tjerë. Në atë kohë, sikur të pyeteshin njerëzit për vlerën e atij mbishkrimi të çastit a spontan, do të mund të thonin se kjo nuk ka asnjë vlerë për të ardhmen, por vetëm ndoshta për kohën e tyre. Askush nga njerëzit e Egjiptit të hershëm, të udhëheqjes despotike të faraonëve, nuk e kishte menduar se shkrimet e mbishkrimet e tyre, ilustrimet e tyre brenda piramidave apo varrezave, do të bëheshin objekte studimi nga egjiptologët e sotshëm në katedra të ndryshme universitare dhe akademike të shumë vendeve të zhvilluara të botës, përkatësisht objekte studimi në egjiptologji.
Prandaj, në këtë kontekst, secili shkrim e mbishkrim, mbetet i rëndësishëm për të kuptuar të kaluarën e largët apo të afërt, ‘atmosferën’ e asaj periudhe kohore dhe historike, disa nga gjykimet dhe vlerësimet e asaj kohe, e kështu me radhë. Secili shkrim, qoftë edhe si dezinformatë, vlerësim i papërputhshëm me ndodhitë e ardhshme në realitetin e njëmendësisë objektive, përsëri na jep mundësi të thellohemi më shumë mbi të kaluarën. Publicistikën e Arianit Sllamnikut, dua ta lexoj në radhë të parë në këtë mënyrë gjenerale, duke besuar në pikëpamjen se nuk ka shkrim të parëndësishëm, pavarësisht si shkruhet, çfarë thuhet, sa është e thellë fuqia shprehëse gjuhësore, sa ka fakte dhe kundërfakte, etj. Thjeshtë, e ‘paragjykoj’ secilin shkrim si të dobishëm, qoftë edhe nëse për kohën e shkruesit, nuk ka edhe aq rëndësi siç mund të reflektojë ndonjë lexues model. Tek e fundit, secila shkronjë e hedhur në letër apo në ‘autostradën e përbërë nga elektronet’, na jep mundësi ta arkivojmë ngjarjen si ‘engram sajntologjik’, për t’u deshifruar më vonë nga ndonjë studiues i ri apo me përvojë, nga ndonjë individ me interesim në fusha të caktuara apo kërkimet në kronika të kohës. Në këtë mënyrë, ne shenjtrojmë shkrimin dhe nuk ka dëm prej kësaj, për sa kohë që nuk po flasim për një shkrim të caktuar apo specifik.
Nuk themi se nuk ka shkrime të dobëta në hapësirën shqiptare (madje ka me bollëk!), se nuk ka shkrime amatore, se nuk ka shkrime që veprojnë tamam sikur një bombë atomike, e cila mund të ndriçojë metropolin e Nju Jorkut apo të Shangait, por që mund të vrasë edhe miliona njerëz sikur në Hiroshima dhe Nagasaki të Japonisë! Varet se si do të shfrytëzohet një opinion më vonë nga lexuesit, pushtetarët, grupet e ndryshme të interesit e tjerë e tjerë dhe, barrën e opinionbërësit e merr edhe lexuesi se si e ka kuptuar! Në anën tjetër, publicistika e Arianit Sllamnikut përveç që është kronikë kohe në periudhën e paspavarësisë së Kosovës, vitin e verdiktit final të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth legalitetit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës me Të Drejtën Ndërkombëtare, diskutimet mbi liberalizimin e vizave, e të ngjashme, mbetet zë utilitar edhe për shkak se shkrimet e tij përfaqësojnë zërin e ‘islamit nacional shqiptar’, të cilat mbrojnë idenë e koekzistencës pavarësisht dallimeve tona në pikëpamjet fetare. Ky zë që përfaqëson Sllamniku me qëndrimet e tij publike, është i rëndësishëm edhe për shkak të faktit real se ai gëzonte pozitën e kryetarit të degës së PD-së në Gjilan, një subjektit politik që kishte ulëse edhe në parlamentin e Kosovës për disa vite, por edhe kishte ministri në qeveri, me orientim dhe imazh kryesisht teologjik islam (ndonëse në praktikë nuk kishte ndonjë dallim fare me partitë e tjera politike sekulare, përjashtuar retorikën!).
Prandaj, artikulimi i gjuhës së moderuar religjioze nga politikanë të tillë mbetet e rëndësishme për kohezionin qytetar dhe tolerancën ndërfetare! Shkrimet e tij nuk dominojnë temat fetare, por nuk mungojnë shprehjet e një besimtari duke përmendur ‘Zotin’, ‘hallallin e haramin’, apo duke cituar edhe ndonjë vargj kur’anor nga libri i shenjtë i myslimanëve! Në përgjithësi, temat e tij përfshijnë ngjarjet politike dhe sociale në nivelin lokal dhe komunal të Gjilanit, si “Komuna e Abazit” (2012), “Politika e berberit në Gjilan” (2013), “Haram është me vjedh (në Ramazan), qoftë edhe ide!!!” (2014) etj. Ka edhe shumë tema të nivelit republikan si: “Young Europeans vs. Old Europeans” (2013), “Komunat serbe apo asociacion i BE-së?!” (2013), “Progres/Regresi i Kosovës – Raporti i BE-së 2014” (2014), “Kriteret e Kosovës për integrimin e BE-së” (2015), etj. Ka tema të cilat ndërlidhen edhe me qasjen dhe thirrjen e Sllamnikut për myslimanët e moderuar, për të zënë hapësirën e nevojshme publike në krahasim me ‘ekstremistët’ apo ‘përçarësit’ e kombit, qytetarisë dhe shtetit, sikur që janë shkrimet “Islami dhe myslimanët që duhet të jemi” (2014), apo edhe shkrimet kritike kundër drejtuesve (myftinjve) të jetës së besimtarëve myslimanë kosovarë, siç është Bashkësia Islame e Kosovës, duke kritikuar luksin e drejtuesve të saj dhe nevojën për modesti, empati dhe ndjeshmëri më të lartë për të varfërit, të punuarit me kodin e solidaritetit dhe sakrificës, etj. Sllamniku në këtë libër inkorporon edhe një intervistë duke komentuar zhvillimet aktuale politike dhe duke kritikuar rolin e kuvendarëve të cilët nuk sillen në përputhje me pjekurinë demokratike të votimit apo të mospjesëmarrjes më kritike në punët e Kuvendit. Ka edhe shkrime të cilat ndonëse kanë si pikënisje ndonjë raport ndërpersonal apo mllef drejtuar kundër ndonjë fenomeni negativ në shoqëri apo drejt ndonjë personaliteti publik, janë me karakter universal dhe tingëllojnë mirë si revoltë e brendshme, siç është shkrimi me titull: “Për ty që të duket se je kërthiza e botës”! Aty godet egocentrizmin që presupozon se të gjitha ngjarjet sillen rreth nesh dhe përmes këtij shkrimi, Sllamniku portretizon edhe veset e njeriut të krizave dhe tranzicionit kosovar të pasluftës! Ka edhe shkrime të cilat tejkalojnë zhvillimet në Kosovë, siç është shkrimi mbi zhvillimet në Maqedoni dhe shtypjen e shqiptarëve andej kufirit, me titull: “Maqedonia – kalaja e (para) fundit shqiptare” (2014).
SHKRIMET RRETH POLITIKËS SË JASHTME
Disa opinione publicistike të Sllamnikut ndërlidhen direkt me veprimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrinë e Integrimeve Evropiane, e mekanizmat e tjerë të shtetit të Kosovës! Sllamniku është i motivuar të shkruajë shpesh rreth Kosovës dhe proceseve integruese në BE, si dhe shumë shkrime të tij do të mund t’i gjeni rreth këtij kodi tematik, rreth liberalizimit të vizave, kriteret e anëtarësisë në BE, njohjet ndërkombëtare për Kosovën, gjeopolitikat globale në rajon, komentimet e raporteve të progreseve për Kosovën nga BE-ja etj. Natyrisht se i ndikuar nga ndjekja e studimeve të tij rreth lëmisë së ‘studimeve evropiane’, Sllamniku synon të jap kontribute profesionale rreth temave që përpiqet t’i interpretojë edhe me gjuhë të këtyre kurrikulave universitare. Ngjashëm siç ndikon përvoja e tij prej asambleisti në Kuvendin Komunal të Gjilanit rreth trajtimit të disa zhvillimeve lokale, poashtu edhe përvoja e tij arsimore ndikon në mënyrën e perceptimit të politikës së BE-së rreth Kosovës dhe raportin që duhet të ndërtojë Kosova me BE-në!
PËRMBYLLJE
Gjatë shkrimeve të tij, Sllamniku shfrytëzon ndonjë aforizëm popullor, gjuhën tradicionale, ndonjëherë edhe nocione të metafizikës islame, por edhe e lyen më pas me satirë apo me ndonjë pyetje retorike a ironizuese! Shkrimet e tij janë cinike në raport me pushtetet komunale dhe ato qendrore, rreth qeverisjes dhe politikës së jashtme, duke kritikuar qoftë politikanët, apo qoftë drejtuesit e institucioneve fetare. Shkrimet e tij përfaqësojnë zërin e atyre që thërrasin për islam të moderuar brenda kombit dhe përtej tij! Sllamniku nuk ngarkon lexuesit me terminologji të ngushtë profesionale dhe në opinionet e tij mund të gjeni shumë shprehje gjuhësore lokale apo edhe popullore! Nëse do të më kishit pyetur se çfarë do të heqja nga këto shkrime të Sllamnikut, do të ishin disa shkrime që kanë kuptim vetëm për protagonistët lokalë të ngjarjes! Në përgjithësi shkrimet e tij shpërfaqin pakënaqësinë e rrugëtimit të Kosovës në raport me zhvillimet e brendshme dhe ato të jashtme.
Opinionet e Sllamnikut janë përshtypje pesimizmi mbi integrimet e shpejta të Kosovës në superstrukturat politike si BE-ja dhe zakonisht përgjegjësinë kryesore për ngecje të zhvillimeve lokale apo qendrore, e drejton ndaj udhëheqësisë, e më pak në gjeopolitikat globale apo edhe vetëdijen qytetare të refuzimit të së keqes dhe indinjatës! Rrugëtimi në shkrimet e Sllamnikut na kthen në vitin 2010 dhe na dërgon deri në ngjarjen më të ndjeshme të vitit 2015, emigracionin masiv të kosovarëve drejt vendeve perëndimore! Përkundër udhëtimeve tragjike të emigrimit kosovar në kushte paqeje relative, udhëtimet e lexuesve në shkrimet e Sllamnikut nuk janë të mundimshme, pra janë rrugë të lehta për t’i ecur! Ky udhëtim zgjat pesë vite (2010-2015) nëpër kohë, por që lexuesi e ka ndjesinë se kjo kohë shkon shpejt gjatë leximit!
Avni Rudaku – recensent