Nën patronatin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka mbajtur takim në kuadër të ‘’Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit 2023’’.
Në këtë takim, i cili është udhëhequr nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, morën pjesë edhe drejtori rajonal nga Policia e Kosovës në Gjilan, Agron Rukiqi, zëvendës kryetari nga Gjykata Themelore në Gjilan, Rilind Sermaxhaj, prokurorë nga Prokuroria Themelore në Gjilan, përfaqësues tjerë nga policia rajonale e Gjilanit, përfaqësues nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, Strehimorja, Zyra për Ndihmë Juridike Falas, Avokati i Popullit, si dhe psikologia klinike nga QKMF në Gjilan.
Gjatë këtij takimi kryeprokurori Kadriu fillimisht theksoi se Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit ka për qëllim sensibilizimin e opinionit publik për domosdoshmërinë e trajtimit sa më dinjitoz për të drejtat e viktimave të krimit.
Në këtë takim u diskutuan edhe sfidat me të cilat ballafaqohen këto institucione në realizimin e obligimeve të tyre, gjatë mbrojtjes së viktimave të krimit, duke u koordinuar në rritje të bashkëpunimit dhe angazhimit edhe më të madh në ofrimin e ndihmës dhe mbrojtjen e tyre, duke iu ofruar trajtim sa më adekuat, në mënyrë që të mos riviktimizohen. /2LONLINE/