Prokuroria Themelore në Gjilan, edhe gjatë vitit 2018, ka qenë e përkushtuar në zgjidhjen e rasteve, duke aplikuar procedurat alternative, për vepra të ndryshme penale, me fokus marrëveshjet për pranimin e fajësisë, ka bërë me dije, Liridona Xheladini, zyrtare për informim në Prokurorinë Themelore të Gjilanit.
Përmes zbatimit të këtyre procedurave alternative, siç janë: marrëveshja mbi pranimin e fajësisë, ndërmjetësimi dhe pezullimi, janë zgjidhur gjithsej 708 raste, pra 28% e lëndëve janë kryer përmes këtyre procedurave.
Gjatë vitit 2018, në kuadër të procedurave alternative, janë arritur gjithsej 684 marrëveshje për pranimin e fajësisë, si dhe 24 raste janë zgjidhur përmes procedurës së ndërmjetësimit, duke kursyer kohë dhe mund jo vetëm për institucionin e prokurorisë, por edhe për gjykatën dhe duke ngritur efikasitetin e vendosjes me shpejtësi të rasteve të tilla.
Prokuroria Themelore në Gjilan, edhe gjatë këtij viti, synon që deri në 50% të lëndëve të zgjidhen përmes këtyre procedurave alternative, me qëllim të vënies së drejtësisë për një kohë sa më të arsyeshme, ka thënë, Liridona Xheladini, zyrtare për informim në Prokurorinë Themelore të Gjilanit.