Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton se dje rreth orës 20:00, ka ndaluar të dyshuarin SH.H., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprave penale ‘’Shtrëngim’’ dhe ‘’Ndërprerja e palejuar e shtatzënisë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ekziston dyshimi i bazuar se, që nga muaji shtator 2018, deri më 21 janar 2019, në komunën e Gjilanit, i dyshuari SH.H., përmes dhunës psikike dhe forcës fizike, e ka detyruar të dëmtuarën A.R., që të veprojë në kundërshtim me vullnetin e saj, në atë mënyrë që të njëjtën me anë të mashtrimit, lajthitjes dhe presionit e ka shtytë të ndërmerre një vendim përkundër vullnetit të saj, për të kryer abort të fëmiut në muajin e pestë të shtatzënisë, i cili dyshohet se është kryer në Republikën e Maqedonisë.
Prokuroria, ndaj të njëjtit sot ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën kompetente në Gjilan, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës.