Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi dhe Drejtoresha e Institutit të Bazelit për Qeverisje (IBQ), znj. Gretta Fenner, kanë nënshkruar memorandum për vazhdimin e bashkëpunimit lidhur me gjurmimin dhe identifikimin e aseteve të fituara në mënyrë të paligjshme, që ka për qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar në Republikën e Kosovës.
Ky partneritet do vazhdojë t’iu ofrojë prokurorëve të shtetit ekspertizë ligjore ndërkombëtare për rastet e korrupsionit, krimeve financiare dhe krimit të organizuar, përmes asistimit të tyre në gjurmimin e pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme.
Nënshkrimi i këtij memorandumi është vazhdimësi e marrëveshjes së 23 shtatorit 2020 ndërmjet institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Institutit të Bazelit për Qeverisje (IBQ), i cili, është mundësuar nga Zyra e UNDP-së në Kosovë, në kuadër të Projektit SAEK III, projekt ky, që mbështetet financiarisht nga qeveria zvicerane dhe ajo suedeze.