Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, udhëhequr nga kryesuesja e grupit punues, Arjeta Fejza, me pjesëmarrjen e depUtetes Arijeta Rexhepi, anëtare, dhe deputetit Alban Bajrami nga Grupi i Deputetëve të Rinj, mbajtën dy dëgjime publike lidhur me Projektligjin nr. 08/L-264 për Rininë, në Komunën e Gjilanit dhe Ferizajt.
Në këto dëgjime publike deputetët bashkëbiseduan mevtë rinj të këtyre dy komunave, përfaqësues të drejtorive për rini në nivel komunal, përfaqësues të organizatave vendore të shoqërisë civile, si dhe grupe tjera të interesit.
Kryesuesja e grupit punues deputetja Arjeta Fejza, falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre, ndërkaq, potencoi se përmes këtij projektligji do të rregullohen shumë çështje për rininë dhe veprimtarinë e tyre. .
Anëtarët e Komisionit dhe pjesëmarrësit e tjerë të këtyre dëgjimeve publike diskutuan gjatë lidhur me aspekte përmbajtësore të projektligjit, duke dhënë njëkohësisht sugjerime, komente dhe rekomandime në nene të caktuara të tij, në funksion të rregullimit sa më të mirë të fushës të cilën ai mbulon.
Të pranishmit e konsideruan të qëlluar organizimin e takimeve të tilla nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, si një mundësi për të dëgjuar nga afër kërkesat dhe propozimet e qytetarëve.
Kryesuesja Fejza falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen, duke i siguruar ata se të gjitha vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre do të shqyrtohen dhe inkorporohen sipas vlerësimit, në funksion të një ligji sa më përmbajtësor dhe të zbatueshëm. /2LONLINE/